Macja e zezë (Pjesa e parë)

Për mua, ato kanë qenë llahtari; uroj që të tjerëve t’u duken më pak të tmerrshme e më pak të ndërlikuara se stili barok. Kështu qoftë, që edhe unë të gjejë sadopak arsye për të qetësuar fantazmat e mia…  Uroj, që, të paktën për ju, me një arsye me të shëndoshë, me një logjikë më të qetë dhe pa nervozizëm, siç ndodhi me mua për rrethanat që m’u krijuan, ta trajtoni si diçka krejt të zakonshme e të ndodhur për shkaqe krejt normale.

Që fëmijë kam qenë një natyrë e bindur dhe e brishtë. Kaq shumë binte në sy butësia e zemrës sime, saqë shokët më vinin në lojë. Isha i dhënë, veçanërisht, pas kafshëve, prandaj dhe prindërit ma bënin qejfin e më llastuan me shumë kafshë shtëpiake. Me to kaloja shumicën e kohës, dhe ndihesha aq i lumtur kur i ushqeja dhe i përkëdhelja! Unë rritesha, rritej edhe kjo veçanti e karakterit tim, dhe prej saj mora një nga burimet e mia kryesore të kënaqësisë. Për ju, që e keni provuar dhimbsurinë ndaj qenit besnik, nuk e kam hiç të vështirë t’ua shpjegojë llojin apo thellësinë e asaj kënaqësie të rrallë. Ajo dashuri bujare dhe vetëflijuese, që të godet mu në zemër, ve në provë edhe miqësinë e besnikërinë e njeriut.
Jam martuar herët,dhe sa mirë që njoha tek ime shoqe një gatishmëri të ngjashme me timen. Ajo e vuri re shpejt dobësinë time për kafshët shtëpiake, dhe nuk la rast t’i ikte për të kërkuar ato më të lezetshmet. Kishim zogj, peshk të kuq, një qen të zgjuar, lepuj, një majmun të vogël dhe një mace.

Më vonë, macja jonë u rrit, u bë një kafshë e madhe dhe e bukur; e gjitha e zezë, dhe me një nuhatje mahnitëse. Kur fliste për inteligjencën e saj, gruaja ime, e cila ishte edhe disi supersticioze, kujtonte një pikëpamje të lashtë popullore, sipas së cilës,  të gjitha macet e zeza ishin, thjesht, shtriga të maskuara. Jo se ajo e kishte fort seriozisht këtë ide… E përmenda, pa ndonjë arsye të veçantë, po ja që më erdhi ndërmend tani…
Pluto, kështu quhej macja, ishte kafsha ime e preferuar dhe e kisha shok loje. E ushqeja vetë, dhe ajo më shoqëronte kudo nëpër shtëpi. Mezi e ndaloja të më vinte pas kur dilja në rrugë.

Në këtë mënyrë,miqësia jonë zgjati për shumë vite, gjatë të cilëve, temperamenti dhe karakteri im (më vjen turp ta rrëfej) pësoi një ndryshim rrënjësor për keq. Ditëpasdite, humori im ndryshonte. Me hënë, siç i thonë. U bëra gjaknxehtë, kisha më pak kujdes ndaj ndjenjave të të tjerëve.  Për një kohë të gjatë përdorja një gjuhë të papërmbajtur; madje, përdorja edhe dhunë. Sigurisht, kafshëve të mia iu desh të duronin ndryshimin e karakterit tim. Jo vetëm që i lashë pasdore, por u tregova edhe i ashpër ndaj tyre. Megjithatë, për Pluton kisha goxha merak se mos e keqtrajtoja. Ndërkohë, u tregova i paskrupullt edhe ndaj lepujve, majmunit, por, edhe ndaj qenit, kur ndonjëri më dilte përpara padashje, ose më përkëdhelte. Por, me kalimin e kohës, sëmundja m’u shtua – sëmundje si alkooli! Edhe Pluto, e cila kishte nisur të mplakej, ishte bërë ca grindavece, kishte filluar t’i ndiente edhe ajo efektet e gjendjes sime të keqe shpirtërore.

Një mbrëmje, kur po kthehesha në shtëpi nga një lokal i qytezës, xurxull fare, vërejta që macja më shmangej. E mbërtheva fort. Nga frika se mos e dhunoja, më kafshoi me dhembë dorën. Në çast, më pushtoi një tërbim djalli. Nuk e njoha më veten. Shpirti, dukej se më kishte dalë nga trupi, dhe diç më e fortë se ligësia mizore, e ushqyere dhe nga xhini që kisha pirë, më pushtoi çdo qelizë. Mora nga xhepi i jelekut një biçak, e hapa, rroka nga fyti kafshën e gjorë, dhe me ngadalë, ia nxora njërin sy nga zgavra! Po më vjen turp, digjem, ngjethem, teksa përshkruaj  kete egersi të neveritshme.
Me mëngjesin, m’u rikthye mendja e shëndoshë.  E kisha marrë veten nga xhindosja e natës së shkuar. Ndjeva gjysmëlemeri, e gjysmëpendesë për krimin që kreva; ndonëse ishte veç një ndjesi e dyshimtë, kështu që shpirti më mbeti i paprekur. Sërish e teprova, dhe pak më vonë, i mbyta me verë tërë kujtimet e asaj që bëra.

Ndërkohë, macja, ca ngadalë, po e mori veten. Vërtetë, zgavra e syrit që i mungonte ishte ca e frikshme, por mesa dukej, nuk ndjente më dhimbje. Vinte rrotull shtëpisë, si zakonisht, por, -doemos,- siç pritej, nuk më afrohej aspak. U vrerosa nga shpërfillja e dukshme e asaj krijese që më kishte dashur kaq shumë dikur. Veçse, shpejt, kjo ndjesi ia la vendin irritimit. E, më pas, si ndryshim i mbramë dhe i pakthyeshëm, depërtoi brenda meje shpirti i perversitetit. Filozofia, as që do t’ia dijë për shpirtin. Nuk jam i sigurtë as nëse jeton shpirti im, aq sa jam i sigurtë se perversiteti është një nga impulset më primitive të njeriut- një nga zotësitë dhe ndjesitë më të pandashme, që janë përcaktuese për karakterin e njeriut. E, cili nga ne nuk e ka gjetur veten, me qindra herë, madje, duke bërë ndonjë veprim të ndyrë, të turpshëm, apo qesharak, vetëm për arsye se e dimë që nuk duhet kryer? A nuk kemi, megjithë gjykimin tonë të mirë, një prirje të përjetshme për ta thyer ligjin, thjeshtë, ngaqë e dimë se nuk duhet shkelur? Them, se ky shpirt pervers u bë, përfundimisht, pjesë e qenies sime. Bash, kjo dëshirë e fshehtë e shpirtit tim, thjesht, për të bezdisur të tjerët, për t’i dhunuar, thjesht, për t’u bërë keq, për hir të keqdashjes, më nxiti ta plagosja edhe kafshën e gjorë.
Një mëngjes, ashtu gjakftohtë, siç isha, i lidha maces sime një lak reth qafës dhe e vara në degën e një peme. E vara me lotët që më rridhnin çurg, dhe, me keqardhjen më të hidhët të zemrës; e vara, sepse e dija fare mirë që më kishte dashur, dhe se nuk më kishte dhënë, as edhe një arsye për t’i bërë keq. E vara, sepse e dija që po mëkatoja – një mëkat të tmerrshëm i cili do të përdhoste shpirtin tim të pavdekshëm, dhe Zoti Mëshirëplot nuk do të më falte kurrë…

Mbrëmjen e ditës që kreva këtë mizori, më zgjoi një zjarr i madh. Mbulesa e shtratit tim kishte marrë flakë. E gjithë shtëpia po digjej. Me shumë vështirësi, gruaja ime, shërbëtorja dhe unë, ia mbathëm larg zjarrit të madh. Shkatërrimi qe i plotë. E gjithë pasuria ime për një çast të vetëm, u gllabërua nga flaka, dhe m’u desh të dorëzohesha, të humbisja çdo shpresë.
Po përpiqem të gjej lidhjen shkak-pasojë midis katastrofës dhe ligësisë sime. Jam duke rikujtuar çdo detaj të zinxhirit të gjatë e të ngatërruar të fakteve, dhe  nuk dua të le, as edhe një hallkë të pazbërthyer. Një ditë më pas, shkova tek rrënojat. Të gjitha muret, përveç njërit, ishin rrëzuar. Ky ishte një mur ndarës, jo fort i trashë, i cili ndodhej në mes të shtëpisë, përballë të cilit gjendej koka e krevatit tim. Atje, suvatimi i kishte bërë ballë goxha zjarrit, gjë që e shpjegova me faktin se e ishte bërë së fundmi. Rretherrotull murit u mblodh një turmë e madhe njerëzish, dhe shumë prej tyre po vëzhgonin gjithë vëmendje një pjesë të veçantë të tij. Fjalët “e çuditshme!”, “e veçantë!”, dhe shprehje të tjera të ngjashme, më ngacmuan kureshtjen. U avita dhe pashë, si të gdhendur në një basoreliev, mbi sipërfaqen bardheme, imazhin e një maceje gjigante. Imazhi ishte i qartë dhe, çuditërisht shumë i saktë dhe i vërtetë. Përreth qafës së kafshës ishte lidhur një litar.

Fillimisht, kur u përballa me këtë imazh, ndonëse nuk doja, çudia dhe lebetia ime qenë shumë të mëdha. Por, më pas, i thirra mendjes. Mbaja mend që macen e kisha varur tek një kopsht pranë shtëpisë. Sa ra alarmi i zjarrit, kopshti u mbush me njerëz, kështu që ndonjëri prej tyre mund ta ketë zbritur macen nga pema, dhe ta ketë hedhur në dhomën time, përmes dritares së hapur. Ka shumë mundësi ta kenë bërë, që të më zgjonin nga gjumi. Rënia e mureve të tjerë e kishte ngjeshur viktimën e mizorisë sime brenda suvasë së porsavënë, gëlqerja e së cilës, tok me flakët, dhe me amoniakun e skeletit ia kishin formësuar portretin, ashtu siç e pashë unë.

Ndonëse mirë ishte që të arsyetoja dhe ta qetësoja ndërgjegjen, fakti befasues që iu tregova, më mbeti në mendje. Muaj të tërë nuk ia dola dot të shpëtoja nga fantazma e maces; dhe, gjatë kësaj kohe, më gjalloi në shpirt njëfarë  ndjenjë gjysmake, që i  ngjante pendesës, por jo, jo!- nuk ishte vërtetë e tillë. Arrita gjer në atë pikë, sa ndjeva keqardhje për humbjen e maces. Madje, edhe kur ndodhesha nëpër mejhane të ndyra, ku më ishte bërë zakon, tanimë, të shkoja, hidhja sytë lartë e poshtë për ndonjë kafshë tjetër, por disi të ngjashme në pamje, që të mund të ma zëvendësonte.
Një mbrëmje, i ulur, i drobitur, në një kantinë të fëlliqur, më tërhoqi vëmendjen një objekt i zi, që ndodhej majë një fuçie të madhe plot me xhin, apo rum, që përbënte orendinë parësore të dhomës. Kisha një copë herë me sytë mbërthyer tek ajo fuçi, por ajo çfarë më habiti ishte fakti se si nuk e kisha vënë re më herët. I shkova pranë dhe e preka me dorë. Ishte një mace e zezë, shumë e madhe, po aq e madhe sa Pluto, dhe i ngjante goxha, përveç një detaji. Pluto nuk kishte qime të bardha në asnjë pjesë të trupit, kurse kjo kishte një njollë të madhe të bardhë, një ngjyrë e turbullt, që i mbulonte gati të gjithë pjesën e kraharorit. (Fundi i pjesës së parë)

Edgar Allan Poe (Përktheu nga origjinali Fiona Kopali)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *