Macja e zezë (Pjesa e dytë)

I shmangesha maces; njëfarë ndjenje turpi dhe kujtimi i aktit tim të mëparshëm mizor më penguan që të abuzoja fizikisht me të.  Për disa javë nuk e godita, as e dhunova; por, gradualisht, dita me ditë, nisa ta shihja me një ndjenjë neverie që nuk tregohet dhe, heshturazi, i largohesha si kolerës pranisë së saj të urryeshme.
Ajo çfarë e shtoi, padyshim, urrejtjen time ndaj kafshës ishte zbulimi, të nesërmen pasi e mora në shtëpi, se asaj, ashtu si edhe Plutos, i mungonte njëri sy. Ky detaj bëri, që ime shoqe, e cila, siç ju thashë, e ka në një shkallë të lartë njerëzillëkun, (gjë që, dikur, ka qenë edhe një nga tiparet e mia dalluese,- burim i kënaqësive më të pastra), të lidhej edhe më shumë me të.
Përkundër neverisë sime, afiniteti i maces ndaj meje rritej përditë. Më ndiqte hap pas hapi dhe, me aq këmbëngulje, sa ju, të nderuar lexues, as mund ta imagjinoni. Sapo ulesha, ajo kruspullosej nën karrigen time, ose më hidhej mbi prehër, dhe më mbulonte me ato përkëdhelitë e saj të neveritshme. Sapo ngrihesha për të ecur, më hidhej ndër këmbë, dhe sa s’më rrëzonte; më shtrëngonte me kthetrat e saj të gjata e të mprehta, e më ngjitej në kraharor. Atëherë, sidoqë më kapte dalldia ta dërmoja me ndonjë goditje turinjve, e mbaja veten. Arsyeja: kompleksi i krimit tim të hershëm; më hipnin të dridhura frike nga kafsha!

Kjo nuk ishte saktësisht frikë për ndonjë dëmtim fizik. E kam vështirë ta shpjegoj këtë frikë. Më vjen ndot nga vetja, po, edhe këtu në qeli ku jam, llahtarinë që më zinte ma shkaktonte një përbindësh, dhe ky përbindësh ishte, thjesht, një mace. Gruaja ma kishte tërhequr më shumë se një herë vëmendjen për llojin e njollës, që ua përmenda edhe juve, dhe përbënte dallimin e vetëm të dukshëm mes kafshës së çuditshme, dhe asaj që kisha varur. Lexuesit do t’i kujtohet që, kjo shenjë,edhe pse e madhe, fillimisht ishte shumë e paqartë. Por dalëngadalë, në formë gati të pakuptimtë, të cilën, për një kohë të gjatë, mendja ime nuk arrinte ta perceptonte, zuri të kthjellohej. Tani, ajo përfaqësonte një objekt që ngjethem ta ze ngoje. I frikësohesha dhe i druhesha më shumë së çdo gjëje tjetër në botë,dhe doja vetëm ta hiqja qafe egërsirën. Tani më shfaqej imazhi i një gjëje të neveritshme, të kobshme, i TRIKËMBËSHIT! Oh, shkaktar gjëmëzi e i lemerishëm i Llahtarit dhe Krimit, i Agonisë dhe Vdekjes!                                                                          
Tani isha vërtetë i mjerë, përtej mjerimit të Njerëzimit. Madje, një bishë e egër, të ngjashmen e së cilës e kisha shkatërruar me përçmim; një bishë e egër. Isha shndërruar në një bishë të maskuar pas imazhit të të madhit Zot. Hidhërim i padurueshëm! O Zot! Qetësia, për mua vdiq një herë e mirë. Nuk shlodhesha dot as ditën, as natën! Dikur, macja nuk më linte asnjë çast vetëm; më vonë, më mbërthenin endrra të shpeshta dhe më kapte një frikë që s’tregohet. Mbi fytyrë ndieja frymën e ngrohtë të asaj gjësë, peshën e madhe. O Zot! Ishte një peshë e rendë dhe një makth që doja ta hiqja e nuk e hiqja dot nga zemra. Nën trysninë e kësi përndjekjesh, edhe ajo pak mirësi që më kishte mbetur, shterroi. Mendime të këqija, ato më të errëtat e më të ligat, m’u bënë miqtë e vetëm. Zymtësia e temperamentit tim u kthye në urrejtje ndaj gjithçkaje dhe gjithkujt. Ndërkohë e braktisa veten verbërisht në shpërthimet e papritura, të shpeshta, të pakontrolluara të tërbimit tim, dhe gruaja ime, nuk ankohej më. O Zot! Vuante përulësisht dhe me durim.
Një ditë, kur po bëja ca punë shtëpie, macja më erdhi pranë në qilarin e ndërtesës së vjetër, ku na u desh të jetonim ngaqë ishim të varfër. Më ndoqi tatëpjetë shkallëve. Mend u plandosa me kryet përdhé. Më nevrikosi, më tërboi. Nga zemërimi, harrova fare frikën që kisha ndjerë gjer atëherë, rrëmbeva një sëpatë, shenjestrova goditjen në kokën e maces e cila, padyshim, do të kishte mbetur në vend, nëse do të kishte shkuar ashtu siç dëshiroja. Por, synimit tim i vuri fre dora e gruas sime. U tërbova nga ndërhyrja e saj, mora vrull nga xhindosja ime demoniake, e tërhoqa krahun që më kishte mbërthyer, dhe ia ngula sëpatën në kokë. Gruaja ra e vdekur në vend, pa as edhe një rënkim.

Pasi kreva këtë vrasje të tmerrshme, menjëherë, ngadalë e me kujdesin më të madh, i vura vetes detyrën e fshehjes së trupit. E dija mirë se nuk do të mundja ta nxirrja nga shtëpia, as ditën e as natën, pa rrezikun që të më pikasnin fqinjët. Sa gjera më kaluan nepër mend! Një herë mendova t’ia copëtoja trupin në pjesë të vogla, pastaj ta hidhja në zjarr. Një herë tjetër, thashë të gërmoja një gropë në dyshemenë e qilarit dhe atje ta fshihja. Pastaj, mendova ta hidhja në pusin e kopshtit, apo ta paketoja në kuti, kinse do ta shisja, dhe të njoftoja portierin që ta largonte nga shtëpia. Në fund, zgjodha atë që m’u duk më e sigurt se të tjerat. E ndava mendjen ta varrosja në murin e qilarit, siç bënin murgjit mesjetarë kur varrosnin viktimat e tyre.
Qilari, sikur ishte bërë tamam për këtë qëllim. Muret nuk ishin fiksuar mirë, e së fundmi, qenë suvatuar me një llaç të ashpër, të cilin lagështia nuk e kishte lejuar të ngurtësohej. Për më tepër, në një nga faqet e murit kishte një dalje, e bërë për një oxhak të rremë, që ishte mbyllur për t’i përngjarë pjesës tjetër të qilarit. Nuk kisha asnjë mëdyshje; mund t’i hiqja tullat në atë anë, ta shtija trupin brenda dhe ta rindërtoja murin si më parë, në mënyrë që askush të mos vinte re diçka të dyshimtë.
Nuk u gabova me këtë përllogaritje. Me një levë, i hoqa tullat lehtësisht dhe, pasi e futa trupin në murin e brendshëm, e vendosa në pozicionin që duhej. Me fare pak mundim e ringrita të gjithë strukturën si në fillim. Gjeta gëlqere, rërë dhe lesh; me shumë merak, gatita llaç, që nuk dallonte nga ai i vjetri, dhe kështu, zuri fill puna me tullat. Kur mbarova, u kënaqa që gjithçka shkoi mbarë. Muri, as që të lindte përshtypjen më të vogël se ishte prekur. Mbeturinat përtokë i mblodha me shumë kujdes. Vështrova përqark në mënyrë triumfuese, dhe i thashë vetes: “Të paktën, kësaj here nuk më vajti dëm puna.”
Hapi i radhës ishte kërkimi i egërsirës që ishte dhe shkaku i gjithë mjerimit tim. E ndava mendjen që ta vrisja. Po ta hasja atë çast, nuk do të kisha kurrëfarë mëdyshjeje për fatin e saj. Po ja, që kafsha tinëzare na ishte alarmuar nga dhuna e zemërimit tim të hershëm dhe m’u shmang. Është e pamundur ta përshkruaj. Nuk mund ta imagjinoni dot ndjenjën e thellë, të hareshme të çlirimit që m’u ndez në kraharor që kafsha e përbuzur m’u hoq nga sytë. Shpëtova- uf! As që u duk gjatë natës, dhe së paku një natë, qysh prej ardhjes së saj në shtëpi, fjeta si qengj, ndonëse me barrën e një krimi në shpirt!
Kaluan edhe dita e dytë dhe e tretë, dhe ajo që më mundonte nuk po dukej. Edhe një herë, mora frymë lirisht. Monstra, nga frika, ishte larguar një herë e mirë nga godina! Nuk do t’ia shihja më bojën! Lumturia ime ishte e pafund! Ndjenja e fajit për krimin tim të errët nuk më shqetësontë më. Disa hetime ishin bërë, dhe u tregova i gatshëm të bashkëpunoja me policinë. Madje, u bë edhe një kërkim, por, natyrisht, asgjë s’kishte për t’u zbuluar. E quaja të sigurtë lumturinë time të ardhshme.
Ditën e katërt, pas vrasjes, erdhi në shtëpi krejt papritur një skuadër policie, dhe vazhdoi të bënte hetim rrënjësor nëpër godinë. Por unë ndihesha i sigurtë se vendi i fshehjes ishte i paarritshëm, kështu që nuk u ndjeva hiç në siklet. Policët më kërkuan t’u bashkohesha gjatë hetimit. Nuk lanë qoshk pa rrëmuar. Ata zbritën tri a katër herë në qilar, dhe përmbysën gjithçka. Nuk m’u drodh qerpiku. Zemra më rrihte qetësisht, si të isha njeriu më i pafajshëm në botë. I rashë qilarit kryqetërthor. Mblodha krahët mbi gjoks dhe lëvizja lirshëm lart e poshtë. Policët mbetën plotësisht të kënaqur dhe u bënë gati të largoheshin. E kisha vështirë ta përmbaja gëzimin e madh që ndieja në zemër. S’më rrihej pa nxjerrë, qoftë edhe një fjalë, si ngadhënjimtar që isha, në mënyrë që t’i bindja dyfish në pafajësinë time.
-Zotërinj! -u thashë më në fund, ndërsa ekipi po ngjitej lart, -Jam i kënaqur që hoqa mëdyshjet tuaja. Ju uroj shëndet, dhe pakëz më tepër mirësjellje! Meqë ra fjala, kjo… Kjo është një shtëpi e ndërtuar fort mirë. (Nga dëshira e shfrenuar që të thoja diçka, nuk po e kuptoja fare atë që nxirrja nga goja.) Mund të them, se kjo është një shtëpi e ndërtuar mrekullisht mirë. Këta mure… Po largoheni, zotërinj? … Këta mure janë të puthitur mirë. Dhe, me kapadaillëk ngrita shkopin që kisha në dorë dhe godita fort në atë pjesë të murit, pas së cilës gjendej trupi i gruas sime.
Zoti më ruajttë dhe më shpëtoftë nga helmi i Djallit! Pa u mbytur mirë jehona e goditjes, një  tjetër jehonë  m’u përgjigj nga varri! Një britmë, fillimisht e mbytur dhe e këputur, si ngashërima e fëmijës u shndërrua shpejt në një ulërimë të gjatë, të fortë, të vazhdueshme, tejnormale dhe jonjerëzore… Një britmë, klithmë vajtuese, ca nga tmerri e ca nga gëzimi i shpëtimit, a thua se vinte nga vetë ferri, e bashkuar me fytin e të dënuarve në agoninë e tyre, dhe e djajve të ngazëllyer nga dënimi.
Është e kotë, besoj, t’ju rrëfej mendimet e mia. Gati i zalisur u ktheva nga muri përballë. Për një çast, skuadra e policëve mbi shkallë, e shastisur nga tmerri dhe frika gjer në palcë, nuk lëvizi. Pastaj, nja dymbëdhjetë qyta armësh njëherësh goditën murin. Ai u shemb tërësisht. Tanimë, trupi, krejtësisht i kalbëzuar dhe i mbuluar me gjak i gruas u shfaq para syve të të pranishmëve. Mbi kokën e gruas u duk bisha e neveritshme: me gojën e kuqe të hapur dhe sytë flakërues. Ishte ajo që më nxiti në ngasje të vrisja një njeri; ishte ajo kallauzi që më dorëzoi tek xhelatët. Në mur ia paskam bërë varrin!

Edgar Allan Poe (Përktheu nga origjinali Fiona Kopali)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *