Lufta antikorrupsion dhe “Prometeu i lidhur”

Por ndërsa kjo shqiponjë tregonte forcën e saj, një tjetër lëngon në çerdhe, asaj copëza-copëza po i shqyejnë zemrën. E kam fjalën për Shqipërinë, le t`ia bëjmë pak qejfin vetes, për shqiponjën tonë zëmërthyer, zemra  e së cilës çdo ditë e më shumë po brehet nga korrupsioni.

Një shqiponjë që ushqehet me Prometeun dhe një tjetër që kërkon ndihmën e tij. Ndoshta janë këta të dy krenat e flamurit tonë, por nuk është kjo çështja.

Theksi bie mbi Prometeun, ai i duhet Shqipërisë, ai mund ta çojë atë në dyert e mirëqënies, ashtu siç çoi Virgjili Danten në dyert e parajsës. Por jam i frikur se mos ai trëmbet nga fati i Prometeut të mitit, dhe pastaj nuk do më, që të jetë Promete.
Por kjo frikë nuk ka objekt (ndoshta është ankth) pasi Prometetë në Shqipëri i gjen me thasë, janë aq shumë sa që perënditë e Olimpit do mendoheshin gjatë para se të vendosnin që të merreshin me ta, dhe të mendosh se gjithë ato perëndi u “gënjyen” nga një Promete i vetëm.
Ndër gjithë këta Promete, më Prometeu bije lehtë në sy. E dëgjon ngado teksa mburret me cilësinë që ka, teksa thotë se qëllimi i jetës së tij është që ta çlirojë zemrën e Shqipërisë nga ky virus me emrin e çuditshëm ‘korrupsion’. Kjo duket një detyrë më e përshtatshme për Asklepin, zotin e mjeksisë, po ku i dihet, ndoshta Prometeu ynë është edhe Asklep. Ndoshta ai zotëron ndonjë fuqi magjike që mund ta shfarosë këtë virus sa hap e mbyll styë. Mirë do ishte, por koha tregon të kundërtën: ajo thotë se duhet më shumë kohë; koha është treguesi më i mirë i kohës.
Dhe koha ka treguar se koha nuk është problem, Prometeu ynë as që interesohet për të. Gjaku hyjnor që rrjedh në venat e tij me rrëmbyeshmërinë e lumit të Valbonës e bën të pazhdukshëm. Përpara një krijese të tillë korrupsioni duhet të gjejë vrimë e të futet.

*     *     *    *
Jemi akoma në sipërfaqe, le të shkojmë pak më thellë, sigurisht pa rrëzikuar që të mbytemi. Dhe thellësia nxjerr në dritë problemin e parë: Prometeu i përrallës për t`i dhënë njerëzimit të mirën tradhëtoi të ngjashmit e tij që, në bazë të një logjike të thjeshtë, i bije të jenë të këqijtë. Ai ishte pjesë e të keqes, diçka ndodhi, dhe ai ndryshoi faqe, mori anën e të mirëve. Mos duhet që edhe Prometeu ynë të jetë i tillë?
Mos duhet që për të luftuar korrupsionin (virusin) ai duhet më parë të ketë qënë i infektuar nga ai, çka nënkupton një të korruptuar të penduar për të keqen që shkaktoi, që tash kërkon të hakmerret ndaj atyre që e ‘infektuan’ me dëshirën për të hedhur këtë valle. Do ishte mirë, më e mira e mundshme. Ne do kishim spiunin tonë mu në gjirin e të korruptuarve. Ai do i dinte mirë strategjitë e tyre (më parë kish qënë vetë i tillë), do dinte pikat e dobëta, ku goditjet tona do ishin dyfish më të forta…. me duket se jo vetëm Shqipëria, por edhe Asklepi-Zot, do t`i përgjërohej atij për ndihme.
Por prometeu ynë nuk është i tillë; ai nuk është tradhëtor, e urren gënjeshtrën dhe përçmon mashtrimin, ai është i drejtë, kokë e këmbë i drejtë, që nga maja e flokut deri te gishti i këmbës, është arma më e mirë që mund të kemi kundër shtrëmbërimeve të korruptuara, ai është ilaçi për virusin, ai është Prometeu, Zoti njerëzor, përuluni para tij, ose më mirë shtrihuni për tokë. Pak rëndësi ka kjo e fundit, ‘drejtësia’ mund të shtrijë këdo për tokë.
Fatkeqësisht një Promete i tillë zor se mund të gjendet. Nëse ai do kish qënë pjesë e së keqes, ndershmershmëria që e karakterizon nuk do e lejonte të tradhëtonte miqtë e tij e të rreshtohej krah armatave të së mirës. Nesë do ishte i papërlyer (me duar të pastra) me të keqe, ai nuk do dinte si ta luftonte këtë të keqe. Promete që vetëm emrin ke të tillë, e çna duhesh ti? Apo vetëm sa për të veshur rrobat e mitit që prej kohësh janë varur në dollapin e historisë.

*     *     *    *
Nuk e di!
Sa herë që e kujtoj këtë figurë ndijej se ka diçka në të që mi turbullon mendimet, tamam si ajo kova që pasi hidhet në pus për të marrë pak ujë të pastër ka turbulluar gjithë pusin.
Më ka rastisur ta shoh Prometeun ndryshe nga ç`ma kanë mësuar.
Në rregull! Ai vodhi zjarrin dhe u`a dha njerëzve. Këtë e dimë të gjithë… tradhëtoi perënditë e tjera, edhe këtë e dimë. Ajo që nuk na kanë thënë kurrë është se mos ndoshta perënditë kanë dashur vetë që Prometeu t`ua vidhte zjarrin, mos ndoshta ai u përdor nga ato. Ku i dihet, Zotat mund të kenë dashur t`i çojnë një mesazh njeriut me anë të tij. Ata e dinin se Prometeu do bëhej i përjetshëm e se historia e tij do tregohej anë e mbanë botës. Rrugë më të mirë për të përçuar në fshehtësi një mesazh nuk do kishte.
Cili është ky mesazh? Ma do mendja se u kuptua, më saktë është kuptuar me kohë. Ai kumbon në kokën e çdo njeriu të familjarizuar me figurën e Prometeut: “ja se ç`të gjen po u vure kundër nesh, perëndive, do të të lidhim përjetësisht në shpatin e një mali, të vetmit vizitorë të tutë do jenë nxehtësia e diellit, lagështira e shiut, dhe thatësia e erës, edhe shqiponja zëmërthyese sigurisht.
Më duket se e gjetëm Prometeun tonë, ai mishëron triumfin e perëndive mbi njeriun.

 

Kel Musaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *