Lubrifikimi i quajtur Korrupsion

Lufta për t’i siguruar vendit vlerën e plotë të burimeve bëhet dhe më e vështirë kur jemi në prani të një shitjeje të plotë të burimeve publike në favor të sektorit privat.  Sa herë që shteti përfiton më pak se vlera reale e asaj që shet, vendi vidhet.  Jemi në prani të një transferimi pasurie nga duart e tërësisë së qytetarëve në duart e përfituesit që paguan shumën.  Shpeshherë ndodh që përfituesi të jetë një individ shtetas i atij vendi dhe jo domosdoshmërisht një firmë ndërkombëtare.  Megjithatë, mbetet fakti që një pjesë e mirë e pasurisë që i takon kombit i shpëton përgjithmonë.

Para privatizimit, kur fushat e naftës janë ende në duart e shtetit, qeveritë janë të kufizuara në aftësinë e tyre për të vjedhur: nuk mund të përfitojnë më shumë se të ardhurat nga shitja aktuale e naftës.  Por me privatizimin, vlera e ardhshme e naftës i ofrohet vjedhjes dhe kësisoj interesi për to rritet shumë.  Duke shitur një ndërmarrje me një çmim më të ulët se vlera e tregut dhe duke përfituar një “bakshish” për dhuratën që i bëhet blerësit, përgjegjësit politikë të shtetit mund të marrin një pjesë të shitjeve të ardhshme, në vend që t’ua lënë si pre në duart e pasardhësve të tyre.  Shtetet kanë filluar të zhvillojnë shkathtësi në ruajtjen e një fasade të ndershme privatizimi.  Ata në fakt kanë mundësi të zgjedhin fituesin e tenderit dhe do të gjejnë gjithmonë arsye për të larguar blerësit që nuk janë pjesë e shoqërisë së tyre.  Ata mund të thonë se tenderi i padëshirueshëm u paraqit tepër vonë, tenderuesi nuk ka dhënë provat e mjaftueshme në lidhje me mjetet financiare etj.
Fatkeqësisht në këtë mesele hyn në lojë dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar (FMN).  Trysnia e FMN-së për të privatizuar sa më shpejtë asetet publike sjell një rënie të konsiderueshme të të ardhurave të shtetit.  Meqenëse për shkak të kësaj urgjence, tenderuesit e kanë të sigurt se çmimi nuk do të rritet shumë, askush nuk tregohet agresiv dhe shteti, do apo nuk do, do të pajtohet me një çmimin shitjeje shumë të ulët dhe të papërshtatshëm.  Problemi është edhe më i rëndë në situatat jo dhe aq të rralla ku ka pak tenderues dhe kësisoj rritet mundësia e marrëveshjeve të fshehura midis tyre.

Argumenti në favor të privatizimit është i njohur: sektori privat është më i efektshëm se sektori publik.  Kjo teori i kushtohet më shumë ideologjisë së përhapur sesa analizës serioze: ekzistojnë shumë kompani publike jashtëzakonisht të efektshme (dhe kompani private tërësisht të paefekthshme).  Disa ndërmarrje publike janë të paefektshme për shkak të insistimit të FMN-së që borxhi i ndërmarrjeve shtetërore të trajtohet si borxh publik.  Rrjedhimisht, ato nuk mund të marrin hua, siç bëjnë zakonisht ndërmarrjet private për kompanitë e tyre.
Por efektshmëria nuk duhet të jetë vetëm qëllim në vetvete.  Edhe sikur sektori privat të ishte tërësisht i efektshëm.  Është shumë e rëndësishme të kuptohet se sa përfiton publiku nga këto burime.  Normalisht, kur jemi në prani të një privatizimi, shteti merr një sasi parash në fillim dhe më pas pagesa në formën e royalties kur burimi natyror nxirret dhe shitet.  Në privatizimet e bëra keq shteti merr pak në fillim dhe akoma më pak më pas.  Kështu, kompania publike maljaziane e naftës Petronas është kthyer në një aktor ndërkombëtar dhe doktor Mahathir Bin Mohamad, ish kryeministri i vendit, pohon se vendi i tij merr më shumë përqindje të vlerës së burimeve në krahasim me vendet që kanë privatizuar dhe akoma më shumë krahasuar me rastin nëse Malajzia do të kishte privatizuar këto burime.

Rusia ofron një rast spektakolar privatizimesh delirante.  Me fundin e komunizmit dhe shkrirjen e shtetit të efektshëm, ky vend, njëherë e një kohë superfuqia e dytë në tokë, u kthye në një vend tërësisht të varur nga burimet e tij natyrore.  Sipas disa statistikave, rreth 70% të PBB të Rusisë rrjedh nga aktivitetet që lidhen me to.  Boris Eltsini kishte nevojë për përkrahje për zgjedhjet e vitit 1996 dhe një grup i vogël oligarkësh kishte mjete financiare të duhura për ta ndihmuar, në shkëmbim të kontrollit të burimeve natyrore të vendit.  Në këtë mënyrë, oligarkët morën kontrollin e burimeve natyrore gjigande të Ruësisë me një çmim afër qesharakes.  Disa ekspertë rusë mendojnë se vjedhja kap shifrën prej një mijë miliard dollarë.
Makutëria e tyre s’kishte fund.  Jo vetëm ata u bënë të pasur por nuk paguanin as taksat.  Dhe në këtë mënyrë, ishte më e kollajtë për Putinin që të gjente armën ligjore për të mënjanuar nga pushteti ekonomik këta oligarkë.

Privatizimet ruse nxorën në pah një problem endemik që prek gjithë botën.  Në rastin e tyre, ishin rusë që vodhën pasuritë publike ruse.  Në shumicën e rasteve, nxjerrja e burimeve kryhet nga të huaj.  Kjo krijon probleme politike të mëdha.  Në Bolivi, qeveria u përmbys për këtë arsye dhe indinjata që krijojnë këto praktika sollën në pushtet Hugo Chavezin në Venezuelë.  Në këtë vend, venezuelianët e thjeshtë shikonin shumë qartë se pasuritë e  vendit të tyre shkonin për pak venezuelianë të pasur dhe në duart e kompanive të huaja.  Kur Chavezi arriti që të rinegociojë kontratat e naftës, kjo e bindi më shumë popullsinë se në të kaluarën ata realisht po pësonin një vjedhje të jashtëzakonshme.  Një shembull është rinegocimi i kontratës së minierave të diamantit në Botsvanë ku prania e shtetit kaloi nga 15% në 50% në gjirin e shoqërisë që zotërohej nga karteli De Beers.  Pa këtë rinegocim Botsvana nuk do të kishte njohur zhvillimin ekonomik të fortë që po njeh sot.

Si përfundim, vendi del dy herë humbës: njëherë për shkak të privatizimeve të padrejta dhe herën e dytë për shkak të rrëmujave politike dhe si pasojë, të vëmendjes së ulët të institucioneve financiare kur ai merr përsipër të riparojë padrejtësitë.

Përktheu Oltion Spiro

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *