Lotët e Skënderbeut

Por le t’i lëmë mënjanë nacionalizmat e profetizimet dhe të përqëndrohemi tek çështja: kohët e fundit, pas kthimit me sukses në atdhe të eshtrave të Ismail Qemailt, Ministria e Kulturës dhe e atyre gjerave të tjera që përtoj t’i shkruaj, ka ndërmarrë një tjetër mision jetik për kombin – në Qendër të Tiranës, në vendin ku dikur qëndronte busti vigan i Enver Hoxhës do të vendoset busti i Nënë Terezës. Mrekulli! Zoti, që nga lartësitë e qiellit, me në fund ia hodhi edhe një sy Shqipërisë.

Por, le të bëhemi disi më laikë, dhe të pyesim, a duhet ta zbatojmë këtë vendim të Zotit? Me fjalë të tjera, a duhet që busti i Nënokes të vendoset aty?
Në qoftë se do të vendosej, atëherë ne do të identifikoheshim me një figurë të famshme në mbarë globin, të gjithë të huajt që do të vinin të na vizitonin do ta shihnin se nga mitra e Nënës Shqipëri ka lindur një figurë madhështore.
Por, nga ana tjetër, ai bust në qendër të qendrës do ta eklipsonte tërësisht bustin e Skënderbeut. S’është diçka e re kjo, pasi politikanët tanë seç kanë një mllef të pazakontë më Skënderbeun – siç duket të gjithë duan të konkurojnë më të, të gjithë përpiqen ta zhdukin e pastaj të shndërrohen në Skënderbetë e rinj. Ndërsa me Nënoken puna qëndron ndryshe – e kush nuk do ta donte dashurinë e një virgjëreshe ?!
Faktet janë fakte. Simboli kombëtar më të cilin identifikohemi të gjithë ne, populli, është Skënderbeu, ndërsa simboli më të cilin kërkojnë të identifikohen politikanët është Nënë Tereza. Le të vazhdojmë me faktet.
Jo para shumë kohësh u fol se sipas planit rregullues të Tiranës busti i heroit do të hiqej që aty, dhe këto nuk ishin vetëm thashetheme, te jeni të sigurtë për këtë.

Në Tiranë, me emrin “Skënderbe” kemi një shesh në qendër të Tiranës dhe kemi edhe Akademinë Ushtarake. Ndërsa me emrin e Nënokës kemi një shesh, për nga rëndësia gjeografike i krahasueshëm me atë të Skënderit, kemi Qendrën spitalore më të madhe në vend, kemi Aeroportin, e ndonjë gjë tjetër që s’po më vjen në mendje. Shihet qartë se për nga emërtimet e shesheve dhe institucioneve Skënderbeu nuk guxon të kruhet më Nënë Terezën. Madje ai është në të njëjtin nivel me Qemal Stafën, me emrin e të cilit kemi një rrugë, një shkollë të mesme, dhe stadiumin kombëtar (se pse stadiumi duhet të mbajë emrin e një njeriu pa asnjë lidhje me sportin këtë nuk arrij ta kuptoj!)
Mllefin kundrejt Skënderit, politikanët s’e kanë treguar vetëm në emërtime. Nja ca kohë më parë, kur edhe ne u bëmë me karta identifikuese (për të cilat çutitërisht të gjitha ankohen se në fotografi kanë dalë shumë shëmtuar), politikanët e shprehën qartë synimin e tyre – ata donin që Skënderbeun ta zëvëndësonin me Nënë Terezën. Pas kundërshtimeve të komunitetit mysliman, diçka e tillë nuk u bë. Por ama u arrit diçka tjetër: në kartën e identitetit nuk shfaqet figura e Skënderbeut. Përveç kësaj, fusha, nga e kuqja e flamurit të Skënderit, tanimë mori blunë e tunikës së Nënë Terezës. E njëjta gjë po ndodh edhe me pasaportat e reja biometrike.
Ndoshta, situata u bë gati, domethënë u bë blu, që në të ardhmen aty të zërë vend figura e Nënë Terezës. Ndoshta!
Diçka e tillë të bën të shkulësh leshtë e kokës.
Ore, por a është me të vërtetë Nënë Tereza një simbol më i rëndësishëm se Skënderbeu për Shqipërinë ?!
Mua për vete, sa kam qenë fëmijë s’ma ka treguar njeri ndonjë përrallë me Nënë Tereze, por përralla me Skënderbe sa të duash. Pra, Nënokes të mos i vijë keq që shqiptarët duan më shumë Skënderbeun – që i thurin këngë e legjenda vetëm atij.
Skënderbeu është një figurë që i ka rezistuar historisë, siç thotë edhe kënga: pesëqind vjetë kanë Kaluar / kapedan o Skënderbe / populli s’të ka harruar / kapedan o Skënderbe.  Kurse Nënë Tereza është një figurë e ndërtuar krejtësisht nga media, një tjetër zë i ëmbël e bamirës që u jep varfanjakëve një lugë gjellë. Figura të tilla media ka ndërtuar me thasë.

Arsyeja e tretë është se popullsia shqiptare është më së shumti myslimane. Kjo s’do të thotë se në vend të Enverit duhet të vëmë Muhametin, apo heroin e filmave të dikurshëm, Hamzain. Jo. Simboli kombëtar duhet të jetë kombëtar dhe jo fetar.
Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur baballarët e kombit hodhën themelet e kombit shqiptar, ata e nuhatën mjaft mirë një situatë të tillë. Ata e shihnin se si gjatë atyre kohëve Shqipëria ishte e ndarë për shkak të përkatësive fetare. Dhe ata nuk e themeluan kombin mbi fenë, por kërkuan diçka që do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët: e vunë theksin tek gjuha, tek mitet e legjendat, tek Skënderbeu… Falë tyre ne tani themi e mësojmë në shkolla se toleranca fetare është një vlerë e rëndësishme e kulturës shqiptare. Nuk është aspak kështu. Merr e lexo Stavro Skëndin, Anton Harapin, Lumo Skëndon, Branko Merxhanin, Tajar Zavalanin, Ismet Toton, etj. Do të shohësh se shqiptarët jo vetëm që nuk kanë qenë tolerantë për sa i përket fesë, por janë kacafytur e janë vrarë për të. Ne sot flasim për tolerancë fetare vetëm sepse baballarët e kombit na e kanë rrënjosur thellë këtë. Kështu që simboli i etnisë shiptare s’ka pse të jetë një figurë fetare.

Në fund le të pyesim, ç’ka bërë Nënokja për shiptarët dhe Shqipërinë? Madje edhe nga ata varfanjakë që ushqeu asnjëri prej tyre nuk ishte shqiptar. Pastaj vetë ajo e quante veten Tereza e Kalkutës… Le të pyesim tani se ç’ka bërë Skënderbeu? S’kam ndërmend të shkruaj asgjë sepse çdo shqiptar mund të përpilojë një listë të stërmadhe me bëmat e tij.
Çfarë do që të ndodhë, nëse Nënë Tereza bëhet simbol kombëtar, ky simbol do të mbetet fals, ashtu si flamuri i Kosovës. Vetëm mendoni për vështirësitë që do hasë një prind kur atij do t’i duhet të sajojë ndonjë përrallë me Nënë Terezën për t’ia treguar fëmijëve të tij.
Simboli kombëtar, flamuri, nuk janë gjëra që vendosen me marrëveshje politike, por janë gjëra që mbeten, janë gjëra që historia i rrënjos thellë në zemrat e individëve. Prandaj i lutemi politikës që pasi na ka marrë gjithçka, të paktën të na lërë simbolet kombëtare, fundja simbole janë dreqi ta hajë, nuk do të fitoni asgjë nga kjo. Kurse populli fiton shumë.
                                                                                                                                                          Kel Musaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *