Loja “tek a çift” me sistemin zgjedhor

Një sqarim i shkurtër për ata që kanë durim edhe më të shkurtër:

Po marr si shembull fillimisht qarkun e Korçës. Duke u bazuar në rezultatet e 2009-ës shohim që koalicioni opozitar dominon me thuajse 7 mijë vota, por e përkthyer në deputetë, rezultati është barazim, pra 6-6. Në Elbasan ku diferenca është me 10 mijë vota në favor të së majtës rezultati është sërish barazim, 7-7. Përse nuk kemi fitues? Përse hidhen në lumë 7 mijë vota në Korçë dhe 10 mijë vota në Elbasan?

Qarku i Korçës nxjerr 12 deputetë, numër çift. Rezultati i parë më afër fitores është 7-5. Pra me nj
ë diference prej dy mandatesh.  Që të arrijë këtë rezultat koalicioni i majtë, që është historikisht fitues në qarkun e Korçës (edhe pse nuk është bastion i majtë), ka nevojë për 11 mijë vota.  Pra avantazhi prej 6-7 mijë votash që ka sot nuk është i mjaftueshëm për të marrë një deputet më shumë. Duke pasur parasysh që në 2009-ën në qarkun e Korçës kishte 133 mijë votues, i bie që për të fituar më shumë deputetë se kundërshtari, koalicioni i majtë ka nevojë të fitojë me 9% diferencë… përndryshe barazim 6 deputetë me 6.

Krejt e kundërta ndodh, për shembull ,me zonën e Lezhës, e cila nxjerr një numër tek deputetësh, 7. Koalicionit të djathtë në një zonë historikisht të djathtë (por jo bastion i djathtë), i duhet vetëm një votë më shumë se koalicioni i majtë për të fituar 4 me 3 (deputetë).

Është e qartë që kjo diferencë është më e ndjeshme në qarqet të cilat janë më të lëkundura dhe ku nuk ka fitore të thella të njërës palë apo tjetrës siç është rasti i bastioneve.
Kështu e majta e bashkuar fiton ngushtë Qarkun e Tiranës (të dhënat e 2009) por nuk arrin të nxjerrë  1 deputet më shumë se kundërshtarët pasi Tirana ka numër çift deputetësh 32. Po ashtu edhe në Elbasan.
Ndërsa e djathta përveç Lezhës fiton ngushtë edhe Qarkun e Durrësit. Por edhe këtu numri i deputetëve është tek, 13. Të jetë koincidencë? Sado ngushtë të fitojë e djathta, qoftë edhe me 1 votë plus, arrin të nxjerrë 1 deputet më shumë se kundërshtarët edhe në këtë qark.

Përmbledhje:
Teorikisht, falë matematikës me cen dhe jo falë vullnetit të votuesit, PD-ja arrin të marrë 1 deputet në Lezhe me vetëm 1 votë më shumë se kundërshtari. E njëjta situatë përsëritet në Durrës. Pra teorikisht me 2 vota më shumë se kundërshtari, PD-ja nxjerr 2 deputetë, në Lezhë dhe Durrës.
Nga ana tjetër, PS-ja nuk merr dot asnjë deputet më shumë se kundërshtari,me 10 mijë vota më shumë në Korçë. Po të shtojmë edhe Elbasanin kemi 20 mijë vota të majta që nuk e bëjnë një deputet. 30 mijë është numri i votave të majta që nuk e nxjerrin dot një deputet po të mbledhim Korçën, Elbasanin dhe Tiranën. 

3 qarqe të majta (jo bastione) me numër çift deputetësh  
2 qarqe të djathta (jo bastione) me numër tek deputetësh

Majtas 30 mijë vota
= 0 deputetë
Djathtas 2 vota = 2 deputetë  

Ata që duan të angazhohen:

Këtë dhuratë e kemi nga Kastriot Islami. Por kjo është histori e vjetër dhe mua nuk më rezulton që të jetë bërë ndonjë përpjekje nga opozita për ta drejtuar një shtyllë të shtrembër të sistemit zgjedhor.
E megjithatë, sa u tha deri më tash është teknicizëm, llogari matematike, spekulim. S’ka faj as Zaloshnja që bën llogaritë, as Islami që krijon sisteme matematikore e as mediat që janë kthyer në zyra shtypi të partive. Zgjedhjet janë tjetër gjë. Zgjedhjet janë vullnet i popullit dhe nuk pyesin për numra e aq më pak për marifete matemticienësh.

Pjesëmarrja në jetën politike të vendit, duke filluar që nga vota e deri te angazhimi social, konstant dhe i përhershëm, nuk është opsion por detyrë e çdo shqiptari. Moderacioni gjithashtu nuk është opsion. Të jesh i moderuar në Shqipërinë e Berishës do të thotë të jesh bashkëfajtor. Ndërsa asnjanësi është diçka më shumë se bashkëfajtor. Asnjanësi është autor i çdo padrejtësie, të cilave iu nënshtrohet edhe ai vetë. 
Pjesëmarrja, sa më e lartë në votime, nuk duhet të vijë si përgjigje ndaj thirrjes së  kryetarit të opozitës, por duhet të jetë si një grusht që i përplaset në fytyrë diktatorit. Masiviteti është edhe një grusht kërcënues për atë që është në opozitë sot. Është grushti me të cilin mund të përballet nesër, nëse tenton të nëpërkëmbë vullnetin e popullit siç bën Kryeministri sot.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *