Leksioni turk

Por Turqia e dënoi menjëherë aktin, duke e konsideruar si shkelje flagrante të të drejtave të Qipros turke. Turqia është i vetmi shtet i cili njeh Qipron turke por pavarësisht kësaj ajo është zotuar se do të jetë garante e kësaj pjese veriore të ishullit. Sigurisht që pas kundërshtimit turk qëndrojnë interesa strategjike të Ankarasë, por në fasadë ajo ka vendosur interesat e qipriotëve turq dhe deklaron që kjo lëvizje e njëanshme dëmton bisedimet midis dy popujve të ishullit dhe rrjedhimisht proçesin e ribashkimit të tij.
Pra greko-qipriotët nuk mund të kryejnë shpime në ujra territoriale për sa kohë, në bazë të Marrwveshjes së vitit 1960, sovraniteti mbi ishullin i takon të dy popujve. Domethënë ose asnjëri ose të dy popujt bashkë mund ta ushtrojnë atë mbi tokën dhe mbi ujin. Nëse kjo ankesë nuk merret parasysh, as Turqia dhe as Republika Turke e Qipros së Veriut nuk do të qëndrojnë duarkryq.
Për t’iu përgjigjur provokimeve të Qipros greke dhe nëpërmjet saj të Tel Avivit, Turqia ka ndërmarë iniciativën e saj për eksplorimin e detit në afërsi të brigjeve qipriote.

Ankaraja gjithashtu ka rihapur problemin e kufijve detarë me Greqinë, dhe më saktë atë të çështjes se ku mbaron Deti Egje dhe ku fillon Mesdheu. Ajo në mënyrë të hapur kundërshton argumentin grek, sipas të cilit prania e ishullit të Kastelorizos fare pranë brigjeve turke justifikoka sovranitetin grek në një pjesë të mirë të mesdheut. Një debat shumë i ngjashëm me atë të ishujve mikroskopikë grekë në afërsi të brigjeve të Sarandës. Edhe në këtë rast kundërshtia vjen kryesisht për shkak të interesave energjitikë dhe pasurisë së këtyre zonave me gaz natyror e naftë. Për këtë arësye dhe me simbolikë kërcënuese të hapur, Turqia lëshoi në shtator të këtij viti fregatën Heybeliada, anija e parë luftarake e prodhuar tërësisht në një kantier turk.

Pra Ankaraja e di mirë që pas këtij veprimi të Qipros (ndërmarrja unilaterale e shpimeve në det), qëndrojnë Greqia dhe Izraeli. Sidomos ky i fundit konsiderohet si përgjegjës kryesor i tensionit në rajon. Marrëdhëniet me aleatin e vjetër nw Tel Aviv, vazhdojnë të jenë të acaruara pas sulmit izraelit ndaj anijes Mavi Marmara me pacifistë turq, aksion i cili përfundoi në gjakderdhje. Deklarata e kryeministrit turk Erdogan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të këtij viti, mbi çështjen izraelo-palestineze, i tensionoi edhe më shumë marrëdhëniet midis dy shteteve. Erdogan kërcënoi hapur se do të ndërmarrë masa drastikë për të çuar në vend dinjitetin e shkelur të popullit turk pas sulmin izraelit mbi anijen Mavi Marmara. Anijet turke do të patrullojnë rregullisht brigjet e mesdheut, pra edhe ato të Izraelit…

Është e qartë që Ankaraja nuk do të ndërmarrë asgjë më shumë sesa kërcënime ngaj Tel Avivit, duke mos dashur të prishë në këtë mënyrë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilën Kryeministri Erdogan e konsideron aleat kyç dhe të pandryshueshëm të Turqisë. Por nga ana tjetër Turqia po luan një rol vendimtar në të gjithë mesdheun dhe me ngjarjet e Pranverës Arabe i ka forcuar edhe më tepër marëdheniet në rajon duke marë tashmë flamurin e liderit, e duke u kthyer deri diku në pozitat e dikurshme të Perandorisë Osmane. E ndihmuar dhe nga rritja e fuqishme ekonomike e viteve të fundit, Turqia nuk lëshon pe në asnjë front dhe po ndërmerr me kurajo politika mjaft të forta në favor të interesave kombëtare. Në frontin kurd ajo i ka shpallur luftë ballore terrorizmit, siç dëshiron ta quajë lëvizjen kryengritëse të popullit kurd. Në frontin grek loja është fare e thjeshtë duke patur parasysh krizën ku është zhytur Athina. Në frontin qipriot dhe izraelit sërish ballafaqimi është i hapur dhe duket se rezultatet do të jenë pozitive. Edhe në frontin evropian Ankaraja po luan një lojë të shkëlqyer diplomatike duke u shfaqur e interesuar për integrimin në BE, por jo deri në atë pikë sa të bëjë lëshime në dëm të interesit kombëtar (kryesisht çështja e Qipros turke). Në frontin më të gjerë, të pellgut të Mesdheut ajo tashmë ka marrë lidershipin de facto, duke u kthyer në një lloj Udhërrëfyesi, për formën e shtetit që duhet të përqafojnë simotrat muslimane, ku ka patur revolta dhe rëzime të regjimeve totalitare.

Rezultatet do të shihen mbas një dekade por është e sigurt se me rrugën ambicioze që ka ndërmarrë Turqia synon dhe ka shumë gjasa ta realizojë, rikthimin në shkëqimin e dikurshëm osman.

Onufri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *