Legjendat e reja urbane

Bota sot është aq e zhvilluar dhe emancipimi intelektual ka filluar të krisë dhe mendjet e shqiptarëve pas 40 vjet ngurosjeje fanatike. Në këtë mënyrë, këta krijuesit e rinj të miteve të vjetra duhet të llogaritin se dyshimi patologjik i shqiptarit ushqehet akoma më shumë sot që u jepet mundësia të reflektojnë dhe pse jo të shprehin mendimin e tyre. Këta krijues përrallash janë të detyruar t’i bëjnë fabulat e tyre sa më të besueshme.

Pra, fusin dhe elemente besueshmërie në to, marrin ekspertë të jashtëm, shpikin linja me korrentë defektuozë nëpër Tiranë (duhet thënë se të tilla ka me okë, po a nuk jetojmë në një vend me trajta absurdi…), që për çudi bien mbi makinën e dikujt që ka muaj të tërë që po ngacmon hegjemoninë e kryeministrit aty ku i dhemb më shumë. Pra, po asistojmë në krijimin e trillimeve të reja, por që në fakt janë po aq të vjetra sa pushteti, më saktë konservimi, ruajta e tij.

Legjenda të tilla ka plot, madje ato lulëzojnë çuditërisht aty ku nuk mendohej, në qytete plot jetë, ku mënyra e jetesës së njerëzve në to nuk lë vend për trillime imagjinative. Mirëpo, këto janë të një lloji të veçantë. Janë nga ato që përpunohen nëpër saraje ëndrrash, ato që kanë si qëllim të fshehin dorën mistrece që hedh gura sa majtas e djathtas për të krijuar një gjendje frike të përgjithshme dhe për të mos ngacmuar kupolën e çfarëdokrahu qoftë në lulëzimin e bizneseve të tyre. I kemi dëgjuar dhe më parë, në fakt deri diku dhe i kemi jetuar, për aq sa na e ka lejuar mosha. I njohim pasojat e këtyre legjendave nëse nuk ka asnjë zë të lirë që t’i demaskojë ato. Edhe pse nuk është e thjeshtë të bësh detyrën e denjë të një qytetari po aq të denjë, përçmimi i këtyre legjendave dhe demaskimi i tyre, duke kërkuar me ngulm daljen e së vërtetës do të jetë në të mirën e demokracisë, që kjo e fundit të mos jetë më një vegim, por një realitet në Shqipëri.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *