Lamtumirë Shqipëri

Dëshira e emigrantëve për t’u kthyer, nuk ishte e rastësishme. Ajo nuk ishte, sigurisht, meritë e ndonjë politike shtetërore për të kthyer forcën punëtore apo edhe mendjet e ndritura me qëllim patriotik dhe si projekt kryesor, ringritjen e vendit. Kthimi i shqiptarëve në atë periudhë shpjegohet me një fjalë. Shpresa.
Mjafton shumë pak që emigranti të kthehet në vendin e tij. Kështu, 10-12 vite më parë shihje një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e mëparshmja por edhe nga kjo e sotmja, mjaftueshmërisht tërheqëse për cilindo që jetonte jashtë kufijve të vendit. Edhe ai që nuk shihte një vend të begatë, shihte mundësinë për ta ndryshuar vendin dhe për ta bërë atë më të mirë.

Ndërsa sot, sot mbizotëron dëshira për tu larguar. Fenomeni i kundërt me atë të 10 viteve më parë. Dëshira për të ndryshuar vend dhe jo për ta ndryshuar këtë vend. 
Kush lindi këtu por edhe kush u kthye nuk e pati kurrë mundësinë për të kontribuar në ndërtimin e vendit të vet. Por jo vetëm kaq. Shqipëria sot nuk është vend i jetueshëm sepse shteti ka rënë. Institucione të pavarura nuk ka më, madje ato nuk mund të quhen më institucione. Sot, 22 vjet më pas, problemet kryesore të shqiptarëve vazhdojnë të jenë, mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit të pijshëm, por edhe e sigurisë fizike, sigurisë ekonomike, dhe sigurisë shëndetësore. Sot mund të jesh deputet, gjykatës, dëshmitar, qytetar protestues apo punëtor fabrike në të zezë dhe jetën nuk ta garanton askush. Atë çka garanton shteti sot është pandëshkueshmëria e satrapëve.

Në 1997-ën ikëm sepse nuk kishte më shtet, nuk kishte siguri, nuk kishte të ardhme. Të rinjtë ishin ata që ikën në numër më të madh. Sepse të rinjve u nevojitej shumë pak, vetëm rrobat e trupit, një trastë me bukë sa për të përballuar dy ditë rrugë, dhe guxim. Fluksi i emigrimit vazhdoi për disa vjet. Konstant. Nuk ishte si një dallgë Tsunami në ikje e cila lë pas rrënojat, por si një valë e cila largohet pasi ka përmbytur tokat për vite me rradhë dhe pas saj lë hiçin. 

Çfarë perspektive mund të shihnin të rinjtë në këtë vend? 
Me dashje apo pa dashje, si pasojë e djallëzisë së përfituar ndër vite apo si pasojë paaftësisë së tij të lindur; besoni cilin version të doni, Berisha në ’97-ën nuk e la Shqipërinë të rrënuar por e la bosh. Një hiç i vogël në mes të Evropës.

Po sot, çfarë i bën të rinjtë ta shohin të ardhmen, njësoj si në 1997-ën, vetëm larg Shqipërisë?

Më parë akoma, në fillimvitet ‘90, ikëm sepse këtu nuk rrihej më, sepse 50 vjet ishin shumë për një zog shqipeje, për të qëndruar mbyllur në kafaz. Mbase shtet kishte, edhe pse në dekadencë, por shteti me hekura të ndryshkura nuk mund të na mbante të mbyllur për sa kohë jashtë ishte ëndrra Evropë. Shumë ikën duke lënë pas rrënojat e një regjimi të cilin, në fund zbuluam që askush nuk e donte por të gjithë ndihmuam për ta mbajtur, plot gjysmë shekulli, në jetë. 

Po sot? Ç’arsye kemi sot, që nuk na mban njeri të mbyllur e nuk ka rënë shteti, për të ikur drejt Evropës që nuk është më ajo e viteve ’90? 
Dëshira e të rinjve për tu larguar nga Shqipëria pas një izolimi 50 vjeçar ishte reagim i pritshëm por largimi i tyre gjatë 22 viteve demokraci është i pafalshëm dhe deri diku i pariparueshëm.

Te rinjtë duan një vend ndryshe, një vend tjetër por e vetmja mënyrë për ta realizuar këtë ëndërr është duke luftuar këtu dhe duke i dhënë jetë aspiratave të tyre në Shqipëri. Për ta realizuar këtë duhet filluar nga angazhimi aktiv, i përditshëm, konstant, për të përmbysur sistemin e krimbur që bazohet në feudet e të paktëve dhe që ngrihet mbi kokat e të gjithëve. 

Për koincidence, për ters apo për dreq, Berisha është protagonist në të tre periudhat e emigrimeve masive të shqiptarëve. Ai ishte përballë dhe jo në krah të studentëve në ’90-ën, përballë dhe jo me shqiptarët në ’97-ën. Berisha është përballë nesh sot, dhe ne nuk duam, nuk duhet të ikim. Kujt i ka ardhur ora për të ikur një herë e përgjithmonë është Berisha sistem dhe jo vetëm Berisha kryeministër. Alternativa jonë është ndryshimi jo mbajtja, qëndrimi jo largimi.

Onufri

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *