Kushtetuesja e dy standardeve

Duke patur një nivel partishmërie shumë të lartë, një politizim dhe ndërgjegjësim shoqëror shumë të ulët, është shumë e lehtë të biesh në arbitraritet.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Aktit Normativ për nëpunësin civil krijon disa dispozita kushtetuese që në fakt nuk gjejnë mbështetje në tekstin e Kushtetutës dhe de facto, rishkruajnë pjesë të saj, që kanë të bëjnë me nxjerrjen e akteve normative nga Këshilli i Ministrave. Duke dashur të mbrojë të shenjtën ndarje të pushteteve, Gjykata Kushtetuese ka shkelur në fakt në një prerogativë që Kushtetuta ia ka rezervuar Qeverisë, atë të nxjerrjes së akteve normative, sipas kushteve që parashikon vetë Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese tenton të mbrojë pushtetin legjislativ nga shkeljet që mund t’i bëjë pushteti ekzekutiv, por në vend që të shikojë rast pas rasti shkeljet që ky i fundit mund të bëjë, duke tërhequr  dhe një vëmendje më të madhe të Kuvendit ndaj të drejtave që ai ka, Gjykata Kushtetuese thjesht dhe vetëm i heq disa të drejta Qeverisë, të garantuara me Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese, me pak fjalë, nuk mbron kontrollin parlamentar mbi aktet normative të qeverisë, por ndalon qeverinë të nxjerrë akte normative, duke e bërë faktikisht nenin 101 të Kushtetutës, që lidhet me aktet normative, pjesërisht të pazbatueshëm.

A mund të nxjerrë më akte normative qeveria, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese? Ajo zbulon se në Kushtetutë ka një fushë të caktuar që i rezervohet ekskluzivisht Kuvendit. Bëhet fjalë për ligjet që votohen me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit. Ajo zbulon diçka që nuk ia kërkon Kushtetuta. Këto ligje kanë një procedurë të caktuar të përgatitjes, debatit dhe votimit që nuk mund të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Gjykata Kushtetuese asimilon procedurën e aktit normativ me procedurën e përshpejtuar të miratimit të ligjit. Për të arritur në këtë përfundim që nuk gjen asnjë bazë në Kushtetutë, Gjykata thotë se ka disa marrëdhënie që kërkojnë një rregullim të caktuar që i përket ekskluzivisht Kuvendit. Gjykata përpiqet të ndajë, me pak fjalë, ligjet në dy grupe: ligjet që mund të rregullohen me akt normativ dhe ligjet që janë ekskluzivisht kompetencë e Kuvendit. Kjo lloj ndarjeje në Kushtetutë nuk ekziston. Këtë lloj ndarje Gjykata e ka shpikur për të arritur në atë përfundim që do ajo. Përpjekje të tilla akrobatike nuk bëhen për të kërkuar drejtësinë, por për të argumentuar sa më mirë padrejtësinë.

Të njëjtën linjë ka ndjekur dhe për të ndryshuar tërësisht thelbin e kushteve që të nxirret një akt normativ. Neni 101 i Kushtetutës thotë se duhet një rast nevoje dhe urgjence që Këshilli i Ministrave të nxjerrë akte normative, nën përgjegjësinë e tij. Këto akte normative janë tërësisht në kontrollin e Kuvendit, i cili duhet t’i diskutojë ato  brenda 5 ditëve nga dita e komunikimit. Aktet normative duhet të miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve, përndryshe ato e humbasin fuqinë e tyre që nga fillimi. Aktet normative, për shkak të natyrës së tyre shumë të veçantë, shprehje të një hyrjeje të pushtetit ekzekutiv në atë legjislativ, janë të kontrolluara. Për këtë shkak, Kushtetuta parashikon dërgimin e tyre Kuvendit dhe jo më kot, Kushtetuta thotë se Kuvendi duhet të mblidhet brenda 5 ditëve nga data e dërgimit. Këto nuk janë formula stili pa domethënie, siç, fatkeqësisht ka përdorur shumë Gjykata Kushtetuese, por momente procedurale të rëndësishme që tregojnë se Kuvendi duhet të debatojë mbi to. Madje Kuvendit i jepet dhe një afat 45 ditor në mënyrë që të vijojë debatin dhe në fund, i jep atij mundësinë që ta hedh poshtë aktin normativ, ta zerojë dhe të rivendosë kështu situatat juridike siç kanë qenë para nxjerrjes së aktit normativ.

Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi ka kohën e nevojshme që të vlerësojë kushtet e nevojës dhe urgjencës dhe nëse mendon se ato nuk janë përmbushur, i “tërheq” veshin Këshillit të Ministrave, i cili e ka nxjerrë atë “nën përgjegjësinë e tij”, siç thotë Kushtetuta. Kuvendi duhet të bëjë interpretimin e duhur të togfjalëshit “nën përgjegjësinë e tij” duke i treguar Qeverisë se “kush drejton”, jo vetëm duke i shfuqizuar aktin normativ, por edhe duke i angazhuar përgjegjësinë.

Kontrolli që bën Kuvendi ndaj kritereve të nevojës dhe urgjencës, që mund ta quajmë dhe kontroll oportuniteti, është themelor. Argumentimi i tyre është i domosdoshëm, kontrolli i tyre nga ana e Kuvendit është thelbësor. Dhe pikërisht këtë duhet të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese. Ajo nuk mund të marrë trajtën e Kuvendit që të kontrollojë rast pas rasti nevojën dhe urgjencës, por ajo nëpërmjet debatit në Kuvend, dokumenteve sqaruese  të Këshillit të Ministrave në lidhje me aktin normativ, arrin në konkluzionin nëse akti normativ kishte arsye të nxirrej apo jo.

Dhe këtu shikojmë një sjellje me dy standarde të Gjykatës Kushtetuese. Nevoja e urgjencës nënkupton një situatë të tillë që kërkon zgjidhje sa më të shpejtë në kohë, për ta korrigjuar nëpërmjet masave të përkohshme. Në rastin konkret, nëse ligji për nëpunësin civil hynte në fuqi, do të kishim siç ndodh rëndom në Shqipëri (prandaj dhe nuk u bën syri tërr politikanëve tanë) rastin e një ligji që nuk zbatohet dot pasi nuk ka dispozita nënligjore. Dhe hyrja në fuqi e një ligji të mangët dhe shfuqizimi i një ligji aktual do të linte të zbuluar një pjesë të mirë të administratës së re, të krijuar pas ristrukturimit të Këshillit të Ministrave. Në këto kushte, ishte e domosdoshme të shtyhej afati i hyrjes në fuqi të ligjit të ri, derisa të korrigjoheshin këto mangësi. Akti normativ u votua me shumicë të cilësuar, gjë që e hedh poshtë dhe pretendimin e Gjykatës se akti normativ nuk është votuar sipas paralelizmit të formave, pra nëse ligji për nëpunësin civil është miratuar me shumicë të cilësuar edhe akti normativ duhej votuar me të njëjtën shumicë.

Pikërisht këtë urgjencë Gjykata Kushtetuese nuk e pa. Madje shkon më tej duke u gabuar kur asimilon urgjencën dhe nevojën me situatën e jashtëzakonshme. Le ta themi hapur: këtu ka gabuar. Aktet normative mund të ndërhyjnë në situata të jashtëzakonshme, por do të ishte rishkrim i Kushtetutës të thuhej se këto janë të vetmet rastet. Sepse në praktikë, ka ndodhur e kundërta. Është ndërhyrë, për shembull, në ndryshimin e Kodit Doganor në 1999 me anë të një akti normativ. Nuk besoj se ka patur një situatë të jashtëzakonshme që e ka diktuar një amendim të tillë. Nëse pranohet kjo gjë, Këshilli i Ministrave nuk ndërhyn dot me akt normativ, në një kohë kur do të ishte realisht e nevojshme dhe urgjente, edhe pse Kuvendi mund të mos jetë mbledhur dhe situata e caktuar mund të njohë një përkeqësim, pasi nuk do të kishte asnjë institucion që do të regullonte këtë situatë. Përse? Sepse nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, siç e kërkon Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj.

Në këto kushte, shtrojmë pyetjen: ku ka qenë urgjenca dhe nevoja për të amenduar ligjin për pensionin e ushtarakëve me akt normativ, kur ndërkohë kjo çështje nuk është zgjidhur për vite me radhë dhe kësisoj do të kërkonte një reformë të thellë? Ku ishte urgjenca dhe nevoja për të nxjerrë jashtë si mall  të pavlerë banorët qiramarrës nga hyrjet që kanë qenë prona të ish pronarëve? Kjo çështje nuk është zgjidhur për 20 vjet, ose është zgjidhur keq. Përse një akt normativ duhet të vendosë drejtësinë në këtë drejtim, ndërkohë që do të ishte qartësisht më frytdhënëse një reformë e thellë dhe e mirëmenduar dhe në këtë fushë. Ah po! Nëse Gjykata Kushtetuese mendon se në Shqipëri asgjë s’ka funksionuar ndonjëherë dhe se jemi përpara kushteve emergjente të kalbjes së shtetit dhe se kjo situatë krijon kushtet për nxjerrjen e akteve normative, atëherë po. Por kjo nuk quhet më demokraci. Dhe pikërisht, Gjykata Kushtetuese ka toleruar shkelje të demokracisë kur akti normativ ishte dukshëm i paarsyetuar dhe godet atëherë kur akti normativ ka patur në dukje dhe në thelb misionin që i ka ngarkuar Kushtetuta.

Këto lloj standardesh të dyfishta vijnë pikërisht atëherë kur pushtetin që na është dhënë e keqpërdorim për arsye të ngushta personale apo partiake. Do të ishte më mirë që Gjykata Kushtetuese, foleja e fundit ku mund të fshihet e paprekur drejtësia, të mbetej besnike e parimeve të saj, qoftë dhe sikur këto parime të mos zbatoheshin asnjëherë nga qeveritë inatçore që kemi. Sepse do të vijë një ditë që ato parime do i shërbejnë këtij vendi dhe drejtësisë dhe nuk do të kemi nevojë që ta nisim gjithçka nga e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *