Kush e prishi Piramidën

Konteksti të paktën është i ngjashëm: kemi një vendosmëri e pashoq të Kryeministrit nëpërmjet një arme pseudo institucionale të quajtur me pompozitet Komiteti Shtetëror për ndërtimin e Parlamentit të ri, ku janë mbledhur kokat më të larta të shtetit, kemi shpurën e sahanlëpirësve të cilët nuk kanë nevojë të marrin urdhra direkte, sepse i kapin impulset që u vijnë nga lart në ajër dhe janë të gatshëm nëpërmjet retorikave boshe të shprehin urrejtjen e tyre të thellë por të sapozbuluar kundër Piramidës, kemi gjithashtu përpjekjen e vazhdueshme të ngritjes së një pjese të popullsisë kundër tjetrës, duke i rreshtuar ata si antikomunist që duhet t’u tregojnë vendin nostaligjikëve të komunizmit që kapen pas simboleve siç është Piramida. Me pak fjalë, një ringjallje nga humnerat e kohës të asaj që përbën thelbin e luftës së klasave: jashtë kuadrit institucional, ngrihet një organizëm, i cili shoqërohet me brohoritje dhe me entuziazëm fals që premton gjoja rivitalizim të hapësirës ku ndodhet Piramida. Me këtë rast, ju ftoj të shikoni materialet propagandistike të Goebbels-it me shokë nëpër Youtube-ra dhe do të befasoheni nga ngjashmëria e stilit…

Përpara kësaj strategjie mjaft të njohur, rezistenca (ndoshta është fjalë e fortë por e duhur dhe në raport të drejtë me presionin e përdorur) duket e vakët. Disa mbledhje konspirative, takime, protesta muzikore para Piramidës si dhe demonstrime nëpërmjet ekspozitave artistike, përveçse krijojnë një sensibilizim herë të dukshëm herë vështirësisht të perceptueshëm për shkak të një errësire që pllakos Piramidën dhe rrethinat (nuk dua të besoj se errësira është e qëllimshme nga ithtarët e pushtetit, uzurpues të posteve publike…) nuk përbëjnë një kundërpeshë reale ndaj strategjive gati fashiste të Komitetrave të pilotuara nga Qeveria. Aksioni i deritanishëm është i vyer por modest edhe pse me siguri përbën një sinjal shprese që i dërgohet botës se në Shqipëri nuk interesohemi vetëm pas Benzit, Mumjes dhe suksesit të fundit Hip-Hop të Kanye West… Por është realisht pak. Sepse Qeveria jonë është një strukturë në mbështetje të andrallave të Kryeministrit dhe jo për të shërbyer njerëzit. Dhe andralla e radhës mund të jetë një sulm surprizë një natë të ftohtë dimri nga fadroma të kontraktuara pa tender për të prishun Piramidën. Mjafton një goditje sado të vogël, një “upper cut” fadrome në pjesën e majtë ose të djathtë (vë bast për pjesën e majtë) të Piramidës dhe lufta për mbrojtjen e saj boshatiset nga çdo kuptim sepse nga një ngrehinë e lënë në harresë dhe e katandisur qëllimisht ashtu, ajo do të katandiset në një strukturë agonizuese që nuk do të kërkojë të dëgjojë më muzikë por të marrë goditjen përfundimtare që të bëhet njësh me tokën. Dhe aty do të ndjejmë se kemi humbur një betejë tjetër, betejën e radhës kundër determinizmit të sëmurë, abuziv, arrogant dhe të jashtëligjshëm të Kryeministrit…

Ndoshta, realisht nuk kemi asgjë në dorë. Në fushë të determinizmit Kryeministri do të dalë shpesh triumfues. Por nëse, populli, elita, intelektualët ndërgjegjësohen se përtej Piramidës është një stil jetese ndoshta dhe bashkëjetese që promovohet, mundet që të konkurrojmë disi determinizmin e tij. Në këtë kuptim, një miting i madh, i fuqishëm me mesazhe të forta dhe që nuk është i pilotuar nga asnjë parti do të na ndërgjegjësojë se jemi shumë dhe se përballë stilit arrogant të Komitetit për zënien e hapësirës publike të radhës ngrihet stili i komunikimi qytetar aktiv, pjesëmarrës dhe të ndjeshëm sidomos kur Qeveria tallet hapur me popullin e vet… Heshtja e sotme është kostoja e papërballueshme e të ardhmes që do të na rëndojë të gjithëvë mbi kurriz.
                                                                                                                                                           Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *