Kur quhesh i masterizuar në Shqipëri?

T’i rikthehemi çështjes së ditës. Ose më mirë problematikës që kemi ngritur. Në vitin 2007, u miratua Ligji për Arsimin e Lartë, i trumpetuar nga Qeveria e kohës si një prej reformave më të rëndësishme që prekin të ardhmen e brezave të rinj dhe të vendit tonë, pasi ky Ligj do i hapte rrugë brezit të ri të të diplomuarëve në përballimin e jetës profesionale ose përmbushjes së dëshirës së tyre për thellim shkencor.
Duhet të nënvizojmë menjëherë se ky Ligj u kritikua nga një brez specialistësh të arsimit të lartë që e njohin atë shumë më mirë se disa të kollandrisur që rrethonin në atë kohë Kryeministrin. Një nga reformat që përmbante ky ligj ishte dhe ngritja e një sistemi që mund ta quajmë 3+2+1+3 (ku 3-shi përbën diplomimin e studentit në fushën e specialitetit – jurist, ekonomist…, 2-shi një thellim të specialitetit, ta quajmë “DND”, ashtu si ligji dhe 1-shi vitin e Masterit, të ndjekur më në fund nga studimet e Doktoraturës). Pra krijohej një sistem që pikë së pari nuk përputhej me frymën e Kartës së Bolonjës dhe së dyti krijonte një amulli në lidhje me diplomimin e studentit. Kur do të quhej specialist, çfarë është të jesh specialist i thelluar i fushës dhe për çfarë shërben ai viti i Masterit pas Diplomës së Nivelit të Dytë (2-shi që folëm më lart)?
Problemi do të dilte herët a vonë. Së pari sepse Karta e Bolonjës, që nuk duhet ngatërruar me Universitetin e Bolonjës, pasi kam dëgjuar shpesh që Karta e Bolonjës lidhet me sistemin që aplikohet në Universitetin e atij qyteti, gjë që përbën një injorancë të pastër nga kushdo që rreket të thotë mendimin e tij mbi këtë çështje, parashikon një sistem universitar synimi i të cilit është të përgatisë individë të ndërgjegjshëm, dhe të aftë të futen në botën e punës sa më shpejt dhe që t’i përgjigjen kërkesave të tregut sa më mirë. Sot jetojmë në një kohë kur tregu dhe kapitali janë ata që diktojnë ligjin në rruzullin tonë dhe rrjedhimisht një student me kokën plotë nuk i hyn në punë, i duhet një student me ide të formuara mirë. Prandaj sistemi bazohet në nxjerrjen e diplomës “specialist” pas 3 vitesh në mënyrë që kush dëshiron t’i hyjë karrierës profesionale të mos harrakatet në bankat e shkollës me teori të tepërta. Nëse një punë e caktuar kërkon dije të veçanta në një fushë dhe rrjedhimisht më shumë njohuri dhe përgatitje shkencore, hyn në lojë 2-shi, po jo ai i Ligjit për Arsimin e Lartë, por 2-shi i Kartës së Bolonjës, pra Masteri. Masteri do të shërbente pra për thellimin e dijeve special të nëj fushe të caktuar, ashtu sikundër dhe për përgatitjen teorike sa më të mirë të studentit, nëse prej tij kërkohet të fillojë me studimet e doktoraturës. Në disa shtete, ekzistojnë mastera me dy drejtime, një teorik dhe tjetri praktik. Dhe kështu, shohim të përvijuar sistemin e Kartës së Bolonjës, të cilën e kemi nënshkruar dhe ne dhe që përbëhet nga sistemi 3+2+3 (3-shi i fundit përkon me vitet e studimit të doktoraturës).
Së dyti, problemi do të dilte për një arsye tjetër. Ai që mbaron DND do ta ketë shumë të vështirë të thotë jashtë shtetit se jam mbajtës i një diplome Masteri, pasi ligji ynë për Arsimin e  Lartë nuk e klasifikon si të tillë. Pra, ai duhet të ribëjë një dyvjeçar tjetër jashtë nëse, fjala vjen dëshiron të punojë në një vend ku kërkohet Masteri ose të vazhdojë studimin e Doktoraturës.
Gjithashtu, ai që mbaron DND, është specialist, apo pak më shumë se specialist, po pak më pak se i masterizuar. Ç’rrogë ka parashikuar qeveria për ata që mbarojnë DND-në. Dhe, më e rëndësishmja, ajo që futi në grevë urie studentët e Vlorës, çfarë vlere ka një diploma e specialist (tre vjeçari) nëse edhe studentin që mbaron DND-në e klasifikon si specialist. Atëherë, shumë logjikisht, gjithkush do ta kishte vështirë  të pranonte në punë një student që legjitimisht mund të kërkojë punë pasi ka kryer tre vjet universitet, por që shteti i vet ja bën shumë të vështirë njohjen e një diplome, që sistemi e bën që të jetë faktikisht gjysmake.
Duke parë në sy realitetin, Ministri aktual i Arsimit kërkon që ta ndryshojë në këtë pikë Ligjin për Arsimin e Lartë. Edhe pse vlen që të inkurajohet në këtë drejtim, duhet t’i kujtojmë se në 2007, kur është votuar ky Ligj, Ministri ka qënë këshilltar për Arsimin pranë Kryeministrit dhe e ka mbrojtur një ligj të tillë.
Nga një mungesë e tillë koherence, ne nxjerrim dy përfundime: në Shqipëri, askush nuk e ka të qartë në kokë se ku shkon dhe çfarë do të bëjë, përveç makutëve. Së dyti, reformat në Shqipëri kanë parametra dy vjeçarë dhe aspak afatgjatë, çka na bën të mendohemi mbi mënyrën si udhëhiqemi dhe mbi përkufizimin e fjalës reformë… Natyrisht, brezi i studentëve të diplomuar në këtë periudhë do e vuajnë këtë mungesë koherence. Shpresojmë të jenë në hënë të mirë dhe ta kuptojnë se kështu nuk ecet.
                                                                                                                                                          Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *