Kujt t’i drejtohem (2)

Paraqitem pranë zyrave të Albtelekomit. Pasi mbaj radhën “një burrë një grua”, i zgjas librezën zonjës prapa sportelit që i duket vetëm koka, e cila kontrollon një listë emrash dhe më thotë sa do të paguaj, pa saktësuar se çfarë po paguaj: ajo thjesht të jep një vlerë që të është caktuar nga kompania. I them se vlera më duket e lartë në krahasim me herët e tjera, pasi unë nuk e përdor shpesh telefonin e shtëpisë, sepse komunikoj me celular. Ajo më jep te drejtë duke pranuar se vlera është e larte dhe më përcjell duke më thënë  të drejtohem pranë zyrave qendrore të kompanisë dhe të interesohem atje. Pra,  trajtuar me syrin e njeriut mesatar shqiptar që ka halle, punë, familje dhe trafik, kjo fjalë  goje e sportelistes përkthehet si vajtje në “qendër”, nën kaosin e trafikut, pasi marr leje shtesë nga puna dhe duke humbur kohën time për një pseudo-shërbim, i supozuar modern dhe për të cilin ne paguajmë rregullisht. Paraqitem ne sportelet “levizëse” të kësaj kompanie serioze dhe parashtroj problemin tim, u jap të dhënat e mia dhe më thonë se sistemi nuk e mundëson dot faturën analitike, pasi jemi në remont!!!
I pyes se si i justifikoni ju këto shifra që ne paguajmë, nuk marr përgjigje, por më lihet të kuptoj me shikimin e saj, që “o kështu o hiç”!!!

E kuptova se privatizimet strategjike në Shqipëri nuk janë në favor të konsumatorit dhe e kuptova se do të ishte një operacion vetëvrasës të shkoja të paguaja dritat në të njëjtën ditë. Rrjedhimisht sakrifikova ditën e punës të radhës me shpresë se ecejaket do të ishin më modeste…

Përpara së të paraqitesha pranë sportelit të radhës, u pajisa me një shumë të konsiderueshme lekësh,  pasi nuk i dihet kurrë se ç’shumë të thonë: konsumatori cjap që shkon te kasapi nuk e di se sa do të paguajë sepse shërbimi modern që presupozohet se është ngritur nuk të njofton për asgjë…

Në këtë çast shumë vendimtar, shoh të përvijohen dy radhë, një që shërben për printimin e faturave dhe tjetra për të paguar lekët. Njësoj si më lart,  edhe këtu e filloj rrugëtimin dhe i nënshtrohem diktatit të radhës “një burre një grua”, për të printuar faturën të cilën nuk m’a dërgojnë më në “kutinë postare” te parvazit te katit të parë. Kur më vjen radha, jap librezën dhe printohet fatura e re me shenjën CEZ, në të cilën shënohet vlera që më krijoi një pështjellim përzier me shastisje. Kërkoj menjëherë shpjegim: si ka mundësi që faturat e mëparshme ishin 150% më të ulëta se kjo aktualja. Përgjigja ishte e kulturuar por acaruese: “më vjen keq, por duhet ti drejtoheni sportelit të ri i cili ndodhet ne cepin tjetër të Tiranës”, të mirënjohurin Pallati me Shigjeta. Insistova duke thënë se ju jeni një zyrë qendrore dhe se duhet të keni një ambjent për çdo paqartësi, më thotë se atje është pika e vetme ku mund te paraqesësh ankesat, nderkohë më tregonte me gisht se duhet të shkoja dhe të paguaja nga radha tjetër ku sërish ndiqej me përpikmëri parimi “ një burrë dhe një grua”. Po s’kisha çfarë të  paguaja, nuk kisha lekë mjaftueshëm, pasi vlera ishte më e madhe nga parashikimi im (më rroftë parashikimi…). U detyrova të largohesha e të merrja lekët qe me mungonin. Kthehem pas një ore për të kryer pagesën dhe gjej ekonomisten qe bënte llogari e me thotë se janë mbyllur dhe se i duhet te shkoj në bankë. I kujtoj  orarin qe është per publikun dhe që s’mund të largohet para përfundimit të këtij orari. Zonja e nderuar, ma pret si pa të keq “ik mër çun se mua po më luan mendja këtu, kam ne dorë 20 milionë lekë dhe po më pret makina e ndezur”. Largohem nga sportelet dhe kërkoj ndonjë numër telefoni në faturë. Zbulova se faturat e reja e kanë një të tillë mu ne ballë, i bie numrit me 080 e rri ne pritje për kohë të gjatë dhe nuk marr asnjë përgjigje nga krahu tjetër…
Per t’iu kthyer “traditës” shqiptare të zgjidhjeve të halleve, i drejtohem nje shokut tim i cili punon në këtë kompani, e pyes nëse funksionon numri që gjendet në faturë dhe më thotë se nuk është ende aktiv. I them për faturat që kane vlera të pakuptimta, më thotë se edhe ai vet ka të njëjtin shqetësim dhe nuk i ka dhënë dot zgjidhje, pasi është në dorë të faturueses. Paguaj më tha ky shoku dhe kur te vijë faturistja, zëri prit dhe kërkoji llogari, vetëm kështu mund të zgjidhesh dçka (?!). Nuk e pyeta si dhe qysh është futur në atë punë, po me siguri për arsye se ka patur hobi t’i zërë prita faturuesve… Pra, që të merrem me hallin tim, më këshilloi të bëhem polic i një shërbimi që unë e paguaj me lekë!!!

Lindin natyrshën pyetjet:
Kujt ti drejtohem që të mos kem kokëçarje të tilla, kush i kontrollon këto kompani shërbimesh të cilat abuzojnë duke sjellë metoda të reja, moderne dhe perëndimore të vjeljes së lekëve po ruajnë të njëjtat teknika primitive të dhënies së shërbimit?
Kujt ti drejtohem qe ti thotë ndal vjedhjes dhe të bëjë diçka për individin e thjeshtë që duhet të punojë, jetojë, të ushqejë me lekë këto kompani dhe të durojë ofendimet e tyre të përjetshme.

Që Shteti shqiptar është një organizëm që lëngon kjo dihet. Dhe strategjia e privatizimeve pa hesap është një metodë që po përjetëson këtë lëngim dhe viktimat jemi prapë ne. Mund të trumbetojmë Evropën sa të duam, por ajo gjendet në këto detaje të vogla, detaje të cilat tregojnë se jemi duke ndjekur krejt rrugën e kundërt…

 

                                                                                                                                                    Ersan Karameto

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *