Kriza e Universitetit Publik

Trupa pedagogjike e urtë dhe studentët e sjellshëm, të mbledhur në Sproul Plaza për të mbajtur një grevë të përgjithshme në nëntor, u zunë në befasi nga goditjet me shkopinj të policisë mbi trupat e tyre. Kështu i ndodhi edhe ish poetit tonë të shquar Robert Hass, që për reagimin e tij, ndjeshëm i dhanë goditje në stomak me shkopinjtë e policisë së Universitetit të Kalifornisë, gjë e cila dëshmon për pjesën tragjike të kësaj ndodhie. Po përse u goditën dhe u kapën prej flokësh trupa pedagogjike dhe studentët nga policia e kampusit?

Kriza në Universitetin e Kalifornisë nuk është për shkak të shkurtimeve të pagesave të trupës pedagogjike dhe stafit (këto na u desh ti gëlltisnim), as për bonuset për trupën pedagogjike (ato nuk ekzistojnë), apo për përfitimet akademike (nëse kanë ekzistuar ndonjëherë). Trupa pedagogjike në institucionet e mëdha publike, si Universiteti i Kalifornisë në Berkeley (më poshtë UK), i blejnë vetë kompjuterët dhe mjetet e tjera mësimore. Ata që ende përdorin shkumësin, e vjedhin nga raftet e fëmijëve të tyre dhe e sjellin në klasë nëpër xhepa. Ne përdorim telefonin tonë për çështjet e punës.

Profesorët e universitetit (nëse nuk kanë një projekt të madh kërkimor) nuk kanë staf ndihmës për të përgatitur dorëshkrimet e botimeve apo qindra letra rekomandimesh, dhe ky është një çmim sakrifice që profesorët paguajnë për mundësinë për të mësuar dhe formuar brezin e ardhshëm të dijetarëve. Ne nuk shkruajmë më nga ato letrat e bukura me stampën e universitetit, edhe kjo është një gjë e të kaluarës. Pavarësisht se çfarë mund të mendoni, profesorët në universitetet publike vlerësojnë pjesën më të madhe të detyrave të studentëve të ciklit të parë, dhe tezat dhe doktoratat e studentëve të ciklit të dytë e të tretë pa kurrfarë ndihme.

Profesorët e universiteteve janë njerëz të përkushtuar, të palodhur dhe me vlera tradicionale. Shumica e tyre nuk janë në ndjekje të “tregut” për paga dhe përfitime më të larta. Ne jemi atje, për të shkuar më larg, për të parë studentët për shtatë apo tetë vjet në edukim profesional.

Kriza në Berkeley është për mosmbajtjen e premtimit për hyrjen e arsyeshme në sistemin e arsimit të lartë. Është për rritjen e përshkallëzuar të shpenzimeve të shkollës, të cilat po i shndërrojnë brezat e rinj në punëtorë të pakualifikuar dhe borxhlinj, dhe në vështirësi për të gjetur punë pas diplomimit.

Kriza aktuale është rrënjësisht e lidhur me privatizimin dhe tjetërsimin e fondeve publike kombëtare. Studentët dhe profesorët, të cilët u rrahën me shkopinj, duan të ruajnë universitetin publik, për të cilin u desh një shekull që të ndërtohej deri në shkëlqimin e tij, dhe tani mjaftojnë pak vite për ta shkatërruar.

Megjithëse universitetet publike janë të sulmuara kudo në SHBA, në veçanti Universiteti i Kalifornisë po merr një goditje të fortë, në kuptimin metaforik dhe  të vërtetë të saj. Në Kaliforni, universiteti publik (10 kampuset e UK, sistemi shtetëror i kolegjeve, dhe kolegjet dy vjeçare) – si bibliotekat publike dhe qendrat e kujdesit ditor – mbahet peng për qytetarët që janë ngritur për taksat qysh në vitin 1978, por që pasuesit e tyre ende kundërshtojnë mbështetjen e institucioneve publike që nuk ndikojnë direkt në jetën dhe nevojat e tyre private. (“Kush ka nevojë për një bibliotekë publike?”; “Fëmijët tanë ndjekin shkolla private”; “Strehimi publik përbën shqetësim.”)

Dhe për pasojë, fëmijët tanë janë më pak të shkolluar, dhe rrugët tona po mbushen me luftëtarë pa shtëpi të kthyer nga fushëbetejat e Lindjes së Mesme. Ndërkohë, mbështetja e shtetit për Universitetin e Kalifornisë po tkurret në mënyrë të vazhdueshme, tarifa e shkollimit për ciklin e parë pothuajse është dyfishuar qysh prej vitit 2007, dhe kuotat, që dikur ruheshin për banorët e Kalifornisë, po ju shiten studentëve të pasur nga shtete të tjera. Larmia është e mirë për çdo institucion, por larmia e kufizuar vetëm për ata që mund të paguajnë nuk përbën aspak larmi.

Burimet e jashtme përbëjnë një tjetër strategji për mbijetesë. Marrëveshja e shumëpërfolur për të hapur një degë të Berkeley në Shangai është një zgjidhje ndaj falimentimit, por a do ti ndihmojë  studentët që luftojnë për mbijetesë (shumica prej të cilëve punon me turne, duke mbajtur një pjatë plotë me porosi dhe duke punuar më shumë se 20 orë në javë) të paguajnë shpenzimet e strehimit, ushqimit dhe internetin?

Mësimi digjital dhe në distancë është një tjetër zgjidhje për tu mburrur, por ajo që mund të funksionojë për gjuhët, matematikën dhe lëndët shkencore, nuk do të funksionojë për ndërveprimin me studentët, për të mos përmendur këtu përvojat aktive gjatë laboratorëve shkencore, apo seminaret debatues dhe inteligjentë që i mësojnë studentët të reagojnë shpejt në situata të caktuara.

Arsimi i lartë publik është duke vdekur. Kur profesorët dalin në pension, vendet dhe programet e tyre shkojnë pas tyre, dhe nuk zëvendësohen më. Ka gjithmonë debat për mbylljen e departamenteve “të shtrenjta”: shkencat humane, artet, dhe shkencat sociale në veçanti. Guvernatori Rick Scott nga Florida kohët e fundit deklaroi se antropologët nuk duhen në shtetin e tij: “Është një diplomë e shkëlqyer nëse njerëzit duan ta fitojnë atë, por ne nuk i duam ata këtu.” Në një rast tjetër ai tha: “A dëshironi të përdoren taksat tuaja për të edukuar më shumë njerëz në antropologji, të cilët nuk mund të gjejnë punë në antropologji? Unë nuk dua.” Por ka edhe shenja të tjera të rrënimit të institucioneve, të paktën në Kaliforni. Stafi administrativ, i shkurtuar deri në palcë, bën të pamundurën, por korridoret, shkallët dhe tualetet janë jo higjienike, ashensorët nuk punojnë për gjashtë muaj, dhe klasat e “mirë pajisura” (ato me viodeoprojektorë) janë më pak se dhëmbët e pulës.

Në kushtet, e luftës kundër rënies së madhe ekonomike, e dështimit në Afganistan, e përpjekjeve të ngadalësuara për të rregulluar sistemin shëndetësor amerikan, e shfaqjes së papritur të klasës së “re” punëtore e varfër në strehim dhe ushqim, përse u dashka ngritur zëri për krizën në arsimin e lartë publik?

Ka dy pikëpamje për universitetin. I pari e shikon universitetin si një institucion kritik i përfshirë në shndërrimet sociale dhe politike të shoqërisë ku bën pjesë. Dhe i dyti e shikon universitetin si një manastir, manastir laik i mbylljes së shkrimtarëve, të mbrojtur nga ndikimet e shoqërive të mëdha dhe botës. Kjo pikëpamje është çuar më tej me shumë forcë nga Presidenti John Sexton i Universitetit të Nju Jorkut, i cili i referohet universitetit si një “hapësirë e shenjtë”, i bazuar në esenë e Cardinal Newman “The Idea of the University” botuar në 1852. Newman e përshkroi universitetin si vendin e ruajtjes dhe mësimit të “dijes universale”.

Por në të vërtetë, universiteti nuk ka qenë kurrë i mbyllur. Ai gjithmonë i përgjigjet interesave jashtë universitetit – në disa raste për përfitime, dhe në raste të tjera për pushtet dhe ndikime politike.

Arsimi i lartë ka, gjithashtu, përgjegjësinë për të mbështetur dhe drejtuar rritjen ekonomike, siç bëri me aq forcë në Kaliforni gjatë gjithë shekullit të njëzetë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shembull, UK shërbeu në përpjekjet për luftë, sa që sot do ti bënte shumë profesorë përparimtarë të turpëroheshin. Pas luftës, Departamenti i Shtetit dhe pushteti legjislativ i Kalifornisë e konsideruan universitetin publik si një armë – kështu që, shpeshherë trupa pedagogjike kundërshtoi vendosjen e financimeve federale për kërkimet bërthamore në UK – por edhe si një makinë për të furnizuar sundimin ekonomik dhe politik, nëpërmjet përparimit teknologjik. Programe dhe fusha studimore të përqendruar në Amerikën Latine, Evropë, Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë, u zhvilluan për të mbrojtur interesat amerikane dhe për ti mbajtur qytetarët tanë të edukuar dhe të informuar për çështjet e politikës së jashtme.

Por universiteti publik është i paralizuar nëse shteti dhe qytetarët e saj nuk e mbështesin atë. Krenaria e dikurshme dhe ndikimet e fuqishme po rrudhen, pjesërisht për shkak të mungesës së financimeve, dhe pjesërisht për shkak të lirisë akademike. Për shembull, ligji “Catch 22” në kuadër të “sigurisë kombëtare” i nënshtron profesorët dhe studiuesit e ftuar nga vendet e tjera ndaj një kontrolli dhe përzgjedhje të rreptë. Shumë prej tyre ju mohohet hyrja pa ndonjë arsye të veçantë. Të tjerë i marrin vizat me aq vonesë sa që nuk mund të ndjekin konferencën e parashikuar, apo të pranojnë bursën e ofruar për studime pas-doktorate. Kështu, ne humbasim kontributin e disa prej studentëve dhe kërkuesve, duke zvogëluar në këtë mënyrë aftësinë tonë për të njohur shoqëritë  dhe kulturat e tjera, si dhe për të parë vetën tonë në lidhje me pjesën tjetër të botës. Shkëmbimi global i dijes është në rrezik të madh në kampuset tona.

Ndërkohë, ndërhyrja e modeleve të bizneseve dhe korporatave në çdo aspekt të lirisë akademike ka çuar në zhvlerësimin e arteve, shkencave humane dhe shoqërore, të cilat shikohen ose si luks ose si armiqtë intelektualë të ekonomisë botërore. Presidentja e Universitetit të Harvardit Drew Gilpin Faust, vinte në dukje në vitin 2009, rritjen e dominimit ekonomik si justifikim për ekzistencën e universiteteve, duke përjashtuar misionet e tjera, si shtrirjen e dijes, edukimin liberal, bursa të drejta, dhe normat shoqërore. Edukimi i lartë, shkruante ajo, nuk është për dhënien e një malli – diploma universitare – por për krijimin e të mirës publike. Universitet kanë lindur si për të prodhuar skepticizëm, po ashtu edhe dije. Ato duhet të kundërshtojnë idetë e pëlqyeshme, por të paprovuara, që shpesh dëmtojnë shoqëritë demokratike. Universitetet, tha Faust, duhet të jenë “hapësira të krijimit dhe të pakontrolluar, të lira për kundërshti, të lejojnë një polifoni zërash të ndryshëm”

E ardhmja duket e zymtë, por trupa pedagogjike dhe studentët e Berkeley po luftojnë për të mbajtur premtimin e tyre – për një institucion publik të hapur, të lirë, të pavarur dhe të larmishëm – ndaj njerëzve të Kalifornisë, edhe pse publiku nuk i mbajti premtimet ndaj tyre. U desh një kryengritje e trupës pedagogjike në vitet 1919-20 për të detyruar pushtetin legjislativ të Kalifornisë dhe drejtuesit e UK për të njohur Senatin Akademik dhe rolin e tij në drejtimin e universitetit. Clark Kerr, rektor i Berkeley nga 1952 deri në 1958, u ngrit kundër pushimit nga puna të trupës pedagogjike, që refuzoi të firmoste betimin për besnikëri anti-komuniste, të paraqitur nga drejtuesit shtetërorë  gjatë “erës McCarthy”. Dhe rektori Chang-Lin Tien u ngrit kundër drejtuesve shtetërorë në 1995 (të cilët kërkuan ndalimin e ligjit mbi diskriminim në pranimet universitare) duke mbledhur më shumë se një miliardë dollarë, një pjesë e të cilave u përdor për të përgatitur pakicat, në gjendje jo të favorshme, për tu pranuar në kampuset e Berkeley.

Studentët e Berkeley filluan lëvizjen për fjalën e lirë në 1964, studentët dhe trupa pedagogjike u ngritën kundër rekrutimeve në ushtri gjatë luftës në Vietnam, u ngritën në greva bojkoti kundër aparteidit, si dhe luftuan për mundësi të barabarta në punësim. Jo të gjitha këto beteja ishin të suksesshme, por të gjitha ishin beteja me vlerë.

Sot, trupa pedagogjike dhe studentët po përpiqen të ndalojnë rritjen e tarifave, të cilat do ta shkatërronin universitetin publik dhe do ta shndërronin atë në një ndërmarrje publike-private. Ata janë gjithashtu të vendosur të ndalojnë brutalitetin policor kundër demonstruesve, si dhe të mbrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për mosbindje civile dhe paqësore.

Rezistenca paqësore ka humbur pak nga shkëlqimi i saj në dekadat e fundit, të hijezuara nga “lufta kundër terrorizmit”, si dhe nga rilindja e asaj që dikur quhej autoritarizëm. Trupa pedagogjike synon të përqasë mënyra të qytetëruara të reagimit. Mosbindja civile nuk vjen aq lirshëm për shumicën e njerëzve me ndërgjegje të pastër. Ne jemi rritur për tu përshtatur. Por tani, nuk është koha për tu përshtatur.

Përktheu Jani Marka

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *