Kriza e kapitalizmit dhe e demokracisë përfaqësuese

Surpriza vjen nga BRICS. Pesë shtete në ekspansion ekonomiko-politik në arenën ndërkombëtare, janë bashkuar në 2006-ën në një organizëm që orienton politikat e tyre, të quajtur BRICS, (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrika e Jugut). Së fundmi Brazili ka hedhur hipotezën e një ndihme financiare ndaj Evropës, por me kusht që shtetet evropiane të rishohin politikat e investimeve publike. Kusht që ngjan më shumë me një tërheqje veshi. Duke lënë menjanë faktin që shtetet e BRICS, edhe pse me potencial të madh, kanë ende ekonomi të brishta dhe probleme madhore si korrupsioni, sidomos ato me sisteme demokratike, India e Brazili. Duke lënë menjanë edhe faktin që disa prej tyre, deri në dhjetëvjeçarin e kaluar ishin buzë greminës së falimentimit financiar (sidomos Rusia 1998), dhe kanë sisteme diktatoriale (Kina, Rusia). Bën përshtypje që ndihma vjen nga shtete të cilat deri para pak kohësh prisnin ndihmë nga Evropa. Sidoqoftë ky propozim u hodh poshtë nga dy shtete anëtare të BRICS, India dhe Rusia

Ku është SHBA-ja? Në Qershor 2011, në një fjalim të mbajtur përpara Kongresit, Obama çeli zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale të 2012-ës. Fjalimi ishte domethënës në dy kuptime; së pari duke treguar linjën e re politike që Obama do ti japë Shteteve të Bashkuara, atë të “ndërtimit të kombit”, duke u përqëndruar kryesisht në rimëkembjen ekonomike, dhe së dyti duke u tërhequr nga roli i liderit në politikat ndërkombëtare. Kemi të bëjmë me një kthesë radikale të shtyrë kryesisht nga frika se perandoria amerikane, ashtu si çdo perandori e madhe në histori, e arriti kulmin dhe tashmë e pret një fazë tatëpjete. Por nuk ka një ligj a një formulë që të përcaktojë me saktësi se kur arrin ky moment. Sidoqoftë qytetarët amerikanë, duket se nuk po e mbështesin frymën e re të Washingtonit, për arësye të qarta. Amerikanët kanë patur historikisht një tjetër koncept mbi shtetin e tyre dhe rolin që duhet të ketë në botë. Detyrë madhore e ShBA-së është beteja kundër tiranive dhe shembulli i demokracisë përfaqësuese…

Kriza është e dyfishtë. Lajmet ekonomike dhe financiare të kohëve të fundit, ashtu si edhe lajmet e një dobësimi gjeopolitik të SHBA-së, janë interesante jo sepse përbëjnë lajm, por sepse janë sinjale të një krize të dyfishtë, të kapitalizmit dhe të demokracisë përfaqësuese. Pas rënies së Bashkimit sovietik, u sanksionua përfundimisht fitorja e dy parimeve që përfaqësonin perëndimin: ekonomia e tregut dhe demokracia. Sot të dyja vihen në dyshim. Ekonomia e tregut ka filluar ti bindet komponentit financiar dhe shifrave, të cilat japin gjykime të menjëhershme dhe të pamëshirshme mbi ekonomitë e shteteve, duke rënë shpesh prè e spekullimeve. Çdo gjykim alternativ, ekonomik, industrial dhe social sakrifikohet në altarin e shifrave. Nga ana tjetër demokracitë perëndimore nuk ditën t’i bëjnë ballë kësaj sfide, të shfaqur për herë të parë në 2008-ën. Parlamentet e zgjedhura nga populli, përpiqen pa rezultat të nxisin manovra financiare të cilat nuk i binden më regullave të ekonomisë së trgut por atyre të institucioneve financiare ndërkombëtare, pra shifrave.

Evropa sërish në udhëkryq. E paaftë t’i zgjidhë problemet e brendshme në mënyrë të pavarur, e lënë thuajse në mëshirë të fatit nga linja e re politike e Washingtonit, Evropa është detyruar të shohë nga Kina dhe simotrat e sajë të BRICS. Sot për sot duhet vetëm të shpresojë që ky moment i vështirë do të kapërcehet. Në një plan më afatgjatë lindin detyra më të vështira, por të evidentuara qartë. Duhen kërkuar mekanizma të rinj dhe sisteme të reja. Kapitalizmi ashtu si e njohim sot ka dështuar dhe këtë e konfirmon lëvizja e fundit në kongresin amerkian që koncepton vjeljen e taksave si vjedhje dhe investimet në sektorin publik si vjedhje e dyfishtë.
Le të shpresojmë që demokracia përfaqësuese nuk do të ketë të njëjtin fat.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *