Kozmetika e faktit ose fundi i lajmit

Nga një lëpirje qeveritare do kalosh tek një adhurim ministri. Nga një televizion i kapur prej pushtetit ka shum gjasa të kalosh tek një tjeter që i bindet Taçit. Fatkeqësisht nuk ka asnjë përjashtim nga ky rregull, as kur bëhet fjalë për drama që prekin një pjesë të madhe të popullsisë (përmbytjet, Gërdeci etj), as për çështje madhore ku preket interesi dhe cenohet integriteti kombëtar.

Në rastin e pare të fatkeqësive masive, mediat tregojnë pandjeshmëri dhe përulësi ndaj politikës duke rendur kush të mbrojnë më shumë ministrin e radhës dhe kryeministrin e përhershëm. Ndërsa të tjera media që sulen e shajnë, nuk e bejnë për ndjeshmëri ndaj jetës njerëzore dhe profesionalizëm por sepse ka shume gjasa t’i ketë kapur ndonjë ndërtues i opozitës. Hetimit në gazetari nuk i duket as hija. Deri këtu gjërat duken të tolerueshme pasi ka një barazpeshë midis  atij që mbron të pambrojtshmen dhe atij që shan se i preken interesat. Nje botë e rreme pallavrash por e balancuar. E ndotur por e pranueshme, sikur të mos kishte ndodhur çudia e radhës. Kohët e fundit po shohim sesi televizioni apo grupi mediatik më i njohur për qëndrimin e tij majtas (gjatë të 20 viteve) papritmas me t’u rrahur Bazja nga Taçi, ka bërë kthesë spektakolare si të ishte një garë Rally. Taçi natyrisht është reklamuesi më i fuqishën në këtë grup mediatik dhe ateherë: “ Askush të mos prekë Taçin”… Përfundimi? Të gjitha mediat fryjnë në të njëjtin drejtim, atë që çon përpara anijen e kalbur nga korrupsioni dhe paaftësia.

Le të kalojmë tek çështjet e rëndësishme me interes kombëtar. Mediat tona këtu duhet te ishin të pavarura. Në përgjithësi mediat në këtë pikë janë në llogore, janë të parat që mbrojnë partizançe interesat e kombit. Por jo! Aty ku duhet të bërtasin mediat tona pafytyrësisht heshtin. Dhe shembulli më i turpshëm është ai që ka të bëjë me shitjen e vijës bregdetare nga kryeministri i gjithë shqiptarëve. Mediat shqiptare në tërësinë e tyre reklamojnë kompanitë e fuqishme celulare me kapital grek Vodafone dhe AMC (kërkoj ndjesë, bën përjashtim News-i që reklamon vetëm Taçin). Atëherë ndodh që as Topmedia, as Vizionmedia, e aq më pak mediat e Klanit Berisha, nuk u morën me këtë punë, sepse kjo do të thoshte të humbje hyrjet më të fuqishme financiare nga reklamat e kompanive greke. Por nuk kanë faj. Fukarallëku, maskarallëku – thotë populli. Po e bëjmë këtë përpjekje të dëshpëruar që ta justifikojmë botën e informacionit me këtë shprehje popullore…
 Sikur të mos ishin blogjet dhe Interneti cfarë do të ndodhte vallë? A do të kishte qënë i mundur ai reagim mbarëkombëtar që bëri të mundur shtyrjen e kalimit të ligjit në estradën e vendit që quhet Parlament? Edhe opozita vrapoi të kapte pak elektorat duke e mbështetur shpërthim popullor të nisur në internet, por vetëm 6 muaj më vonë…

Le të kthehemi tek mediat. Le ta mbyllim njëhërë e pergjithmonë me mediat. Le t’i mbyllim ato, në shtëpitë tona, pasi nuk do të donim që mijëra punonjës të këtij sektori të mbeteshin rrugëve. Në fund të fundit nëse gazetat mund të mbijetojnë pavarësisht nga shitjet (sepse ky eshte realiteti), falë financimeve nga të fortët e mëhallës e politikanë, atëhere ato shumë mirë mund të vazhdojnë këtë rrugë edhe pa ne.
Shqipëria moderne ka njohur më shumë përbysje dhe revolucione sesa qetësi dhe emancipim. Më në fund menduam se liria dhe mediat si mburojë e saj do të na e sillnin këtë qetësi. Por në fakt na sollën shumë zhurmë dhe mbarësi me pikatore. Zgjidhja mund të jetë fikja e ekraneve të TV-ve dhe injorimi i gazetave. Nuk e di! Mbase edhe këtë herë ndryshimi duhet të vijë nga populli!
                                                                                                                                                             Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *