Konfuzion dhe diletantizëm i Tiranës zyrtare në Kaukaz

Kështu shtete si Irani, Arabia Saudite apo Rusia e Putinit, ndjekin politika  të qarta që çojnë drejt ekspansionit ekonomik-ushtarak, duke synuar forcimin e pozitave përkatëse dhe influencës rajonale. Të tre këto shtete, diktatoriale apo gjysmë diktatoriale dhe me struktura pushtetesh diametralisht të kundërta, kanë të përbashkët lineritetin e politikave të jashtme.
Shtete të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, demokraci perëndimore të konsoliduara, si Anglia, Australia, SHBA etj. karakterizohen gjithashtu nga strategji lineare në diplomaci. Ndërsa shtete të tjera si Italia dhe Franca mund të kenë politika kontradiktore në periudha të ndryshme. Mjafton të kujtojmë linjën politike të Shirakut dhe antiamerikanizmin e tij gati publik… Edhe pse sot në pushtet vazhdon të jetë e njëjta parti, politika e jashtme e Sarkozisë është krejt e kundërt. Në ndryshim nga periudha e qeverisjes së Shirakut ,Parisi i Sarkozisë është përherë në krah të Uashingtonit. Në vizionin e tij, Franca dhe interesat e saj, ndjekin të njëjtën rrugë me ShBA-në.

Pra pavarësisht strukturës së pushtetit, kulturave të ndryshme, dhe peshës specifike në arenën ndërkombëtare, të gjitha këto shtete, por edhe çdo shtet tjetër i denjë që të quhet i tillë, kanë të përbashkët atë që është shtylla kurrizore e politikës së jashtme, abc-ja e diplomacisë, mbrojtjen e interesave shtetërore.

Një shembull konkret dhe mjaft afër pozicionit gjeostrategjik shqiptar është Maqedonia dhe menaxhimi i shkëlqyer i konfliktit me fqinjin e madh dhe më të fuqishëm, Greqinë, për çështjen e emrit. Nuk ka rëndësi cila parti është në pushtet, nuk ka rëndësi cili është kundërshtari në tavolinën e diplomacisë, humbasin rëndësinë edhe pasojat, kur politika e jashtme e shtetit udhëhiqet nga abc-ja e diplomacisë, mbrojtja e interesit kombëtar.

Për të shumtët sa më sipër është krejt normale. Normale sikur të mos jetonim në një republikë përrallash si kjo e jona, ku do të ndjeheshim më të nderuar po ta quanin republikë bananesh. Të paktën do të kishim një protektor shfrytëzues mbi krye, do njiheshim në botë për eksportin e një fryti a minerali, dhe do të bënim për të qeshur republikat e tjera. Në fakt ajo çfarë kemi është: shumë politika të jashtme, nga një çdo javë sipas oreksit, diplomatë të nënshtruar dhe servilë, mungesë serioziteti, dinjitet të nëpërkëmbur në tavolina të çdo  niveli, dhe më e pakonceptueshmja harresa, me apo pa dashje, e interesave kombëtare.

Mangësive dhe mungesave në tavolinat që kanë rëndësi, injorimit të Kosovës dhe trajtimit të Prishtinës si një fqinj i rëndomtë, faljes së “copëzave” të territorit fqinjëve zyrtarisht agresorë, shitjes së sektorëve strategjikë të ekonomisë blerësit të parë, i cili përkon rigorozisht me fqinjin “benefaktor”; të gjitha këtyre por edhe plot të tjerave u shtohet së fundmi, konfuzioni diplomatik me shtetet e Kaukazit të largët.
Çfarë e Lidh Berishën me presidentin e Azerbajxhanit Aliyev e shpjegon mjaft mirë një analist i cili dikur ka qenë pranë Kryeministrit. Praktikisht Berishën nuk e qas më asnjë politikan tjetër i huaj. Kryeministri, e si rrjedhojë edhe Shqipëria, është izoluar në arenën ndërkombëtare më shumë se në kohën e dohambarit e nuk do e lëshojmë pushtetin. Por  e vërteta nuk është kaq e shkurtër.

Ajo i ka rrënjët në 2007-ën, atëherë kur Shqipëria e gërdeceve, për arsye përfitimi qartësisht personal të pushtetarëve, vendosi t’i shesë armatime Armenisë. Plot 60 kontejnerë u nisën me anije drejt Jerevanit. Se çfarë rruge do të ndiqte malli nuk dihet, dihet që skandali plasi një vit më vonë në 2008-ën kur Turqia e bllokoi anijen shqiptare në brigjet e saj. Është e njohur nga të gjithë armiqësia shekullore mes Turqisë dhe Armenisë dhe zbulimi i trafikut të armëve nga Shqipëria rrezikoi të shkaktonte një incident diplomatik midis Ankarasë (partneri ynë me i rëndësishëm në rajon) dhe Tiranës. Incident që nuk u shmang me aleatin tjetër Azerbajxhanin. Me një letër zyrtare dërguar ministrit të Jashtëm të kohës Lulëzim Bashës, Ministri i Jashtëm azer kritikonte hapur shitjen e armëve Armenisë dhe kërkonte tërheqjen e menjëhershme të ngarkesës. Ndër të tjera në letër, qeverisë Shqiptare i kujtohej se po shkelte embargon ndërkombëtare që i ishte vendosur Armenisë dhe i kërkohej të respektonte akordet e firmosura në Konferencën Islamike (Shqipëria së bashku me Azerbajxhanin dhe Turqinë janë anëtarë të Konferencës Islamike).

Duke lënë mënjanë shkeljet e traktateve ndërkombëtare për arsye të qarta mbushjeje xhepash (po ia falim këtë ves shtetarëve shqiptarë), pyetja që lind natyrshëm është: A ka ndonjë ide sado të turbullt Kryeministri se cilat janë interesat kombëtare, cilët partnerët dhe cilat politika të jashtme duhen ndjekur për pasojë?!
Armenia mbështetet në rajon kryesisht nga Rusia dhe është në konflikt të armatosur me Azerbajxhanin në krahinën Nagorni Karabak. Me Turqinë marrëdhëniet janë tejet të ndera. 
Për arsye interesash gjeostrategjike Shqipëria është shumë e lidhur me Turqinë dhe në mënyrë jo aq të drejt për drejtë edhe me Azerbajxhanin.
Ky është mozaiku. Aritmetika e diplomacisë në këtë pikë nuk le hapësirë për dyshime. Akti i shitjes së armëve Armenisë, po!

Afrimi i papritur i kohëve të fundit me Azerbajxhanin është një tjetër hallkë e dobët që i shtohet rrëmujshëm katrahurës ku lëngon diplomacia shqiptare. Përveç shpjegimit të izolimit të Berishës, për mendimin tim fsheh edhe surpriza të tjera, të cilat do të na bëhen të ditura në të ardhmen. Pra më shumë sesa afrim i Tiranës me Bakun, ky i ngjan një afrimi mes dy totalitaristesh, për interesa personale dhe aspak të lidhura me ato të vendit.

Si përmbledhje mund të nxjerrim të paktën një përfundim, sa të thjeshtë aq edhe të sigurt: sot në arenën ndërkombëtare Tirana është katandisur e papërfillshme, si pasojë e mungesës së një linje bazë kombëtare në politikën e jashtme.

Onufri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *