Konflikt në Paqësor

Sipas të gjitha gjasave, prova e lëshimit të një rakete, me rreze veprimi tre mijë kilometra, nga ana e Koresë së Veriut, nuk u mbyll me sukses.  Këtë e konfirmojnë edhe vetë oficerët e lartë Jug-Koreanë, apo burime nga Pentagoni. Zyrtarisht qëllimi i këtij testi ishte nisja në orbite e një sateliti që do të përdorej nga regjimi  i Pyongyangut për zhvillimin e telekomunikacionit. Ndërsa Amerikanët pretendojne se pajisja e Koresë së Veriut me një teknologji të tillë ka qëllim të dyfishtë. Pra objektivi i vërtetë i Kim Jongil-it është ndërtimi i një rakete ndërkontinentale, të pajisur me material bërthamor,e cila mund të arrijë brigjet e SHBA-së. Ky është obiektivi final, por është e qartë për Shtëpinë e Bardhë, që Koreja e Veriut ndodhet mjaft larg një teknologjie kaq të sofistikuar. Shqetësim për momentin përbën proliferimi i teknologjisë berthamore. Dhe vërtetë; eksportet kryesore të Koresë së Veriut i përkasin pikërisht këtij sektori, duke patur si destinacion vënde me projekte ambicioze ushtarake dhe berthamore si Libia, Pakistani dhe Siria.

Një tjetër shtet i prekur në mënyrë direkte nga zhvillimet e fundit në Paqësorin e veriut është Japonia.  Pas luftës së dytë botërore në traktatin e 1951-shit, në San Francisco u vendosën kufijtë e rinj në lindjen e largët. Japonia humbiste shumë nga territoret e veta në Kinë, ishujt Kuril të cilat do të bëheshin shkak për konflikte të vazhdueshme me Bashkimin Sovietik, si dhe ishujt e arqipelagut Okinawa, që kaluan nën administrimin Amerikan (iu kthyen Japonise ne 1972-shin). Tokio Humbiste gjithashtu cdo të drejtë mbi Korenë dhe Taivanin. Që në atë periudhë, marëdheniet e Japonisë me fqinjët kanë qënë të vështira dhe shpesh herë konfliktuale, në mënyrë të veçantë me Korenë Komuniste.  

E rrezikuar nga planet ushtarake të diktatorit Kim Jong-il dhe zhvillimet negative të muajve të fundit, ndjehet edhe Koreja e Jugut. Në Seul edhe qarqet më liberale, pro afrimit me vëllezërit veriorë, kanë përdorur një gjuhë të ashpër. “Asnjë hapje e mundshme ekonomike nuk mund të merret parasysh në kushtet e sotshme”.

Disi më të butë në deklaratat e tyre janë treguar, Rusia dhe Kina. Në fund të fundit këto dy shtete e në vecanti Kina, kanë mbështetur gjithmonë, edhe pse me rezerva, regjimin diktatorial në Korenë e Veriut, duke e përdorur shpesh këtë të fundit si kundërpeshë ndaj influencës Amerikane në rajon.

Nga ana tjetër Kim Jong-il e ka përdorur gjithmonë kartën e ngritjes artificiale të tensionit me fqinjët për të arritur rrezultate politike dhe ekonomike. Sa herë që është diskutuar për programin bërthamor të Koresë së Veriut, është dalë me marrveshje për ndihma ekonomike dhe lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare. Hapje kjo, e fqinjëve dhe ndërkombtarëve që është oksigjen i pastër për “diktaturën e çeliktë” në agoni. Rreziku që i orvatet pushtetit gjysëm shekullor të Kim Jong-il, vjen jo vetem nga skamja dhe krizat e vazhdueshme humanitare që prekin Korenë e Veriut, por edhe nga kasta e ushtarakëve që tashmë duket se drejton de-facto vendin…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *