Kombësia 1 euro

Problemi i kombësisë në Shqipëri, nga pikëpamja praktike ka lindur kur njerëzit e kuptuan se përveç mjeteve të tjera ligjore ose joligjore për t’i shpëtuar skamjes ishte dhe ndërrimi i kombësisë. Ky fenomen duhet parë ngushtë me joshjet që bënte shteti fqinj në lidhje me ata që rezultonin me kombësi greke. Një nga përfitimet në këtë rast ishte dhe pensioni i famshëm i derdhur çdo muaj për ata që rezultin të “homogjenizuar”, pra që arrinin të vërtetonin se kishin prejardhje helene. Sa për anekdotë, fqinji ynë Greqia është një nga shtetet e vetme në botë, të paktën e sigurt që në Evropë po, që përveç lejeve të qëndrimit dhe shtetësisë u jep individëvedhe karta homogjeneiteti.

Megjithatë, që t’i rikthehemi folklorit tonë vetëvrasës, mjeti me anë të të cilit filluan ndërrimet e kombësisë ishin gjykatat. Në saj të një neni të Kodit të Procedurës Civile në lidhje me vërtetimin gjyqësor të fakteve, shumë persona kërkuan vërtetimin e faktit të të qënit pjesë e minoritetit grek. Gjykatat, pa patur asnjë lloj dokumentacioni në dispozicion përveçse pohimin e vet kërkuesit dhe një dokument qesharak lëshuar nga komuna e lindjes së individit ose prindërve të individit, procedonin në ndërrimin e kombësisë. Ky dokument i komunës vërtetonte se personi ka lindur ose ka origjinën nga filan fshat, që ndodhet në një zonë të njohur si minoritare. Kuptohet se ky dokument ishte abuziv dhe pa asnjë vlerë ligjore. Dhe ky dokument paçavurre së bashku me pohimet e indidivëve arrinin të rrëzonin dokumentin e shkruar nëpër regjistra që flasin për individë me kombësi shqiptare dhe me prindër shqiptarë. Këtu nuk fus ata që kanë një nga prindërit me kombësi tjetër ose rastin ekstrem por ekzistues të atyre pakicave që nuk kanë të shkruar asnjë kombësi, fenomen i ndodhur sidomos menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. E theksoj dhe njëherë është rast shumë i rrallë dhe nuk ka të bëjë me fenomenin e ndërrimit të kombësisë.

Në këtë aspekt, del qartë fakti se gjykatat kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, disa politikanë përfaqësues të interesave të huaja më shumë sesa të minoritarëve mbrohen me parimin e lirisë së ndërrimit të kombësive, parim që sipas tyre mbrohet nga Konventat ndërkombëtare. Medemek, edhe pse vendimet e gjykatave janë të paligjshme, ju vazhdoni të procedoni me ndërrimet sepse jua  lejon e drejta ndërkombëtare.
Një pohim i tillë është kryekëput abuziv. Konventa thotë se çdo person që i përket një pakice kombëtare gëzon lirinë për t’u trajtuar apo jo si i tillë. Pra nuk bëhet fjalë për zgjedhje të lirë, por për përfitime që mund të vijnë në favor të individit për shkak të përkatësisë së tij në një pakicë kombëtare (për shembull shkollimi në gjuhën amë…). Gjithashtu, Konventa thotë se ajo nuk duhet nënkuptuar sikur i jep të drejtën individit që të zgjedhë arbitrarisht përkatësinë e tij në një pakicë kombëtare. Zgjedhja subjektive indidviduale është pandashmërisht e lidhur me kriterin objektiv përkatës të identitetit të personit. Pa dashur të spekullojmë, mund të themi me bindje se kriteri objektiv është shënimi i kombësisë nëpër regjistrat e gjendjes civilë. Pra ndryshimi arbirtrar në bazë të lirisë së zgjedhjes së kombësisë është abuziv, jo ligjor, kundërshton të drejtën ndërkombëtare dhe në analizë të fundit është antishqiptar.

Arsyet e kësaj kryqëzate kuptohen. Madje kuptohet dhe neglizhenca e gjykatave dhe e shtetit ndaj fenomeneve te ndërrimit të kombësisë, pasi nëse Shqipëria do të kishte shtet shqiptarët do të ishin të parët që do e kishin marrë vesh. Por nuk kuptohet përse vazhdohet në rrugën e doktrinës së ndërrimit të lirë të kombësisë ndërkohë që ajo bie në kundërshtim me çdo gjë që ka ligjore në këtë vend! Në fakt nuk kuptohet përse në Shqipëri është bërë traditë që asnjë ligj nuk duhet zbatuar, madhe këtë stil e kanë kuptuar mjaft mirë dhe komshinjtë tanë që kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të zbatuar parime që në vendet e tyre as nuk guxojnë t’i mendojnë. Por për aq kohë sa në Shqipëri do të qeveriset me retorikë nacionaliste, të gjithë do të jenë të lumtur: fqinjët, në radhë të parë, sepse kemi të bëjmë vetëm me retorikë dhe shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve gjithashtu, sepse kënaqen vetëm me atë retorikë…
                                                                                                                                                             Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *