Kolonializëm në shtëpi të vet

U shit Albpetroli.  Siç u shitën shtëpitë në 1992, trojet, fabrikat, uzinat, asetet e ushtrisë, ambjentet spitalore, gjithçka.  Në 28,000 kilometra katrorë që ka Shqipëria, shteti e ka shumë të thjeshtë të bëjë inventarin e aseteve dhe pronave që zotëron, pikërisht sepse nuk i mbetet më asgjë, përveç shkëmbinjve, nëntoka e godinave qeveritare dhe ndonjë park a lulishte, derisa të kalojë ndonjë zjarr tjetër dhe t’i përvëlojë me rrënjë e me degë.

Por Albpetroli nuk duhej të shitej.  Sepse nuk shiten vetëm asetet e kompanisë shtetërore por në të njëjtën kohë, shteti dhe publiku zhvatet nga nëntoka e tij.  Albpetroli si agjencia e vetme shtetërore për burimet hidrokarbure përbënte kontrollin shtetëror mbi këto burime të cilat janë pronë publike.  Por edhe pse në onirologjinë shqiptare, kryeëndrra është pajisja e çdo individi me një pus nafte, na duhet ta pranojmë që është teknikisht e pamundur.  Kësisoj kontrolli shtetëror mbi burimet hidrokarbure përbën jo vetëm një mjet mjaft të mirë të menaxhimit publik të këtyre pasurive por dhe një mjet fitimi më shumë se i ëndërruar, jo vetëm për shtetin tonë (dhe për vemjet që gëlojnë në administratë) por edhe për publikun.  Për të mos harruar se tashmë përcaktimi i prioriteteve gjeopolitike bëhet në raport me kontrollin e pasurive dhe burimeve natyrore dhe një shtet që gëzon një nëntokë si e jona duhet të përcaktojë politikat e tij strategjike me shumë kujdes, se një fat i tillë nuk të jepet që ta shpërdorosh.  Pavarësisht vështirësive teknike për përmirësimin e aseteve, të teknologjisë së shpimit etj, këto faktorë duhet të ishin marrë parasysh para se të shitej tërësia e këtij aseti të pazëvendësueshëm publik.

Po përse u shit Albpetroli?  Fatkeqësisht nuk do të duhet një shkencë e madhe për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.  Po mbetemi te arsyet publike të deklaruara, pa iu futur arsyeve të errëta që mund të rezultojnë dhe spekulative, duke iu referuar një interviste të dhënë nga Zv/Ministri i Ekonomisë në të përditshmen “Shqip”.  Arsyeja e parë që paraqitet është pafuqia e Albpetrolit për të bërë investime të konsiderueshme për nëntokën shqiptare, pasi duhen shuma të mëdha parash që shteti nuk i posedon dot për të kryer investimet.  Dhe në mënyrë të pakuptueshme merr shembuj disa shtete ku pikërisht ekzistojne kompani shtetërore që bashkëpunojnë me kompani private në investimin dhe marrjen përsipër të rreziqeve të shpimit të nëntokës.  Mënyrë e bukur sqarimi.  Së dyti, ai thotë se nuk kemi të bëjmë me shitje të nëntokës, pasi legjislacioni shqiptar e ndalon kategorikisht privatizimin e pasurive minerare.  E vërtetë.  Por edhe kur është e vërtetë, faktet do të flasin ndryshe në të ardhmen.  Sepse aksesi i vetëm drejt nëntokës do të bëhet vetëm nga kompania private që bleu Albpetrolin.  Kësisoj shteti shqiptar do të veprojë jo si zot i tokës së vet, por vetëm si tagrambledhës episodik për të marrë taksat, por nuk do të ketë asnjëherë të drejtë të kontrollojë dhe të përfitojë nga kjo pasuri që është e gjithëve.  Zv/Ministri thotë se nëse Albpetroli do i mbetej në dorë shtetit, ai do të duhej të investonte në kërkimin e burimeve të reja të energjisë dhe kësisoj do të kishte më pak lekë për të investuar në shkolla, rrugë apo spitale.  Ndoshta duhet t’i kujtojmë Zv/Ministrit se rrugët nuk po ndërtohen nga buxheti i shtetit, por nga kreditë marramendëse që po merr shteti shqiptar për t’i ndërtuar ato dhe, për t’i shlyer, merr përsipër të bëjë një akt antikombëtar duke shitur një aset shtetëror që mund të kthehet në një kohë të shkurtër në një përfitim të jashtëzakonshëm publik nëse do të mbetej në duart e publikes dhe jo të privates.

Në planin parimor, arsyet e mënjanimit total të shtetit dhe përse ky largim është “strategjik”, siç thotë Zv/Ministri nuk qëndrojnë.  Por më shqetësues është fakti se shitja e Albpetrolit bëhet për ato burime të cilat janë ende të paeksploruara, ose ndryshe e quajtur zona C.  Cfarë përfaqëson zona C?  Potencialisht të gjithë Shqipërinë.  Nëse nuk është identifikuar ende një fushë ku mund të bëhen shpime, kompania që ka blerë Albpetrolin do të gëzojë një pushtet që nuk e pati dot as shteti: të shpojë kudo, ngado, mjafton të shikojë leverdi.  Dhe kush do të jetë leverdia e publikut përveçse do të rrezikojë një ndotje ambjentale, fitime të munguara, pasi me kockën që i është ofruar shtetit, kompania që zotëron Albpetrolin do t’i ketë shlyer detyrimet ndaj tij, pavarësisht degradimit të vazhdueshëm të pozitës strategjike të Shqipërisë.

Shitja e Albpetrolit mund të jetë gjëja më e shkëlqyer që mund të ketë parë shqiptari këto vitet e demokracisë.  Puna është se arsyet nuk na mbushin mendjen se është vërtetë kështu.  Puna është se nuk ka asgjë strategjike të zhvatësh shtetin për një kothere.  Por nëse përfaqësues të lartë të shtetit mashtrojnë kaq hapur, përse ne mos të spekulojmë?  Përse mos të themi, për shembull, se një zgjidhje do të ishte që Albpetroli të kontrollohej qoftë dhe në minorancë nga shteti, i cili nuk do të merrte pjesë në investim, por si zot në shtëpinë e vet, ofronte atë për të cilën do të kryenin investimet, nëntokën?  Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë, për kompaninë që privatizon Albpetrolin (nëse realisht kjo kompani do të investojë) dhe për shtetin, i cili do të ruante kontrollin strategjik dhe, më në fund, do të krijonte premisa të forta për të qenë i pasur.  Por fatkeqësisht, as shtetarët dhe as përfaqësues të Opozitës nuk e kanë parë me këtë sy?  Përse?!  Nëse kjo pyetje mbetet pa përgjigje, gërryet përfundimisht jo vetëm legjitimiteti tashmë i rrënuar i qeverisë por edhe besimi përherë i lëkundshëm për Opozitën.   Një Shqipëri e rrënuar dhe e shitur, në një situatë tejet të vështirë dhe që nuk shqetëson askënd, është ajo që po hyn në 100 vjetorin e Pavarësisë. E bukur Pavarësi…

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *