Keqkuptimet e qëllimshme

Po marrim disa shembuj keqkuptimi, duke e mbyllur me kulmin e tyre, KQZ-në.

Po të marrim rastin e kontratave të shitjes së pasurive të paluajtshme, Kodi Civil thotë: “Pronësia mbi një pasuri të paluajtshme kalon në çastin e lidhjes së kontratës së tjetërsimit të kësaj pasurie. […] Sendet e paluajtshme dhe faktet që kanë lidhje me gjendjen juridike të tyre regjistrohen në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Regjistrimi bëhet në bazë të një akti publik, të një vendimi gjykate apo të një organi tjetër shtetëror kompetent, si dhe në rastet e tjera të parashikuara nga ligji.”

Ajo që vlen në këtë rast, është shprehja e vullnetit nëpërmjet kontratës, për shfaqjen e pavesuar të të cilës sigurohet noteri, përballë të cilit kjo kontratë duhet të lidhet detyrimisht. Kjo do të thotë se transkriptimi ose regjistrimi në hipotekë nuk është gjë tjetër veçse një mjet i nevojshëm për t’i dhënë publicitetin kontratës, për të bërë të njohur ekzistencën e saj dhe të pronarit nga të tretët. Transkriptimi ka funksionin e publikimit deklarativ. Po si mund  t ‘ja shpjegosh këtë njerëzve të fiksuar pas regjistrimit si një akt vlefshmërie dhe jo publikimi të një drejte të fituar qysh me lidhjen e kontratës?! Gjithandej dëgjohet vetëm refreni bajat: “e ke me letra, e ke të regjistruar…”. Me pak fjalë e ke të kopsitur mirë në mënyrë që askush mos të ketë pretendime kundër saj? Po kush mund të ketë pretendime përveçse zaptuesi pa të drejtë i pronës?

E njëtja histori vlen dhe për agjencitë ere ja të krijuara këto 4 vitet e fundit, njëra prej të cilave është Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Fatkeqësisht, enverizmi primitiv në konceptimi e institucioneve që populli shqiptar nukpo e flak dot tutje e ngre këtë institucion në një tempull që vendos fatet e bizneseve,q ë vendos se kush biznes do të jetojë dhe kush do të vdesë. Në fakt, puna është shumë më e thjeshtë. Edhe si në shembullin më lart, do të zbulojmë, nëse do të kishim fare pak kohë në dispozicion, se regji strimet në QKR janë thjesht për efekte deklarative, në  mënyrë që palët e treta të kenë në dispozicion të dhënat mbi shoqëritë tregtare. Po për shkak të injorancës në këtë pikë, shumëkush ka abuzuar me këtë gjë, që në fakt do të thotë se ka abuzuar me naivitetin e popullit shqiptar ku institucionet i sheh si shprehje plotfuqishmërisë së atij që ka të drejtë të të fundosë, të të lërë siç je, ose të ngrejë më lart, të gjitha këto abuzivisht.

Dhe këtu arrijmë dhe në rastin më të nxehtë të këtyre ditëve, në atë të KQZ-së. KQZ-ja është organ që në këtë fazë ku jemi thjesht regjistron vullnetin e popullit. Pra ka një funksion të pastër deklarativ të gjendjes së vullnetit të popullit. KQZ-ja nuk mund të përcaktojë fituesin në këtë stad, pasi KQZ luan vetëm rolin e administruesit. Në një fazë të dytë (faza e ankimeve) ajo mund të luajë dhe rolin e gjyqtarit. Nuk ka nevojë për shpjegime të mëdha për të kuptuar se KQZ ka një rol kryesisht administrues dhe jo arbitri për të vendosur në tavolinë se kush do të fitojë zgjedhjet. Kështu siç po vepron KQZ, ajo merr kompetencat e vendimmarrëses në vend të vullnetit të popullit dhe pasi të mbarojë me këtë maskaradë do të veshë robën e gjyqtarit, si organ ankimimi që është. Pra, Ristani do të vendosë dhe Ristani do të vulosë. KQZ nuk duhet të kishte vepruar kështu. Ajo duhet të shpallte rezultatin dhe pastaj të analizonte problematikat si organ që adresohen ankimet. Dhe pas kësaj, të merrte vendim. Natyrisht, sipas Kodit Zgjedhor, vendimet mund të ankimoheshin në shkallën më të lartë që është Kolegji Zgjedhor. Mirëpo, në rastin e Tiranës, kjo procedurë u shkel rëndë: meqënëse KQZ është duke rinumëruar votat jo në kuadër të ankimit por në kuadër të “korrigjimit” të vullnetit të popullit, ajo nuk mund jetë gjyqtare në fazen e ankimit, pasi KQZ, konvertuar në trup gjykues nuk do të ketë asnjë kredibilitet. Me pak fjalë, njëra nga shkallët e ankimit do të ishte e paragjykuar ose ndryshe e pavlerë.

Kjo situatë e moskuptimit me sa duket të qëllimshëm me institucionet tona do të zgjasë për aq sa populli nuk do të ketë kulturën e nevojshme demokratike dhe respektin për vete për të kërkuar atë që shteti, nëpërmjet institucioneve i detyrohet. Kjo do të zgjasë për aq sa shteti dhe politika nuk kanë interes që qytetari të jetë i edukuar me frymën e demokracisë. Dhe kjo kuptohet: me këtë teknikë, ata i mbajnë peng qytetarët, mbajnë peng zgjedhjet, mbaj peng shpresat se në Shqipëri do të sundojë ndonjëherë shteti i të drejtës dhe vota e lirë.
                                                                                                                                                       Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *