Këpucët

Karshi zyrave të Kuvendit, pra karshi godinës që dikur njihej si Komiteti Qendror, ndërsa sot në zhargon njihet si “te Jozefina”, pra në rrugën anash kësaj godine dhe përballë kryeministrisë, makinat parkojnë pa pyetur për rregullat e qarkullimit rrugor; në kundravajtje, në parkim të dyfishtë, mbi trotuare. Çdo gjë në sy të policisë së shtetit. Shoferët e politikanëve ose i përqafojnë miqësisht uniformat blu ose i kapin me shpulla, në varësi të zgjimit mëngjesor dhe motit. Këpucët, sidoqoftë, në këtë pjesë nuk vuajnë shumë kurse personi që i vesh mund të rrezikojë të ndeshet me cubat e politikanëve.

Rruga pranë Pallatit të Kongreseve që sot njihet si “te KQZ-ja” nuk ka asnjë pusetë me kapak, për be as edhe një. Pas Stadiumit Qemal Stafa sheh kurorat e pishave të Liqenit, por edhe një kope dhensh që kalon rrugën thuajse çdo ditë në të njëjtën orë. Nejse, ky përshkrim mu kujtua thjeshtë si orendi folklorike, në historinë me puseta pa kapak, që përjetuan këpucët e mija të gjora, dhe ku mund të thyesh qafën. Kuptohet shëndeti personal është më i rëndësishëm sesa ndonjë grisje që mund të pësojnë këpucët. Si do qoftë, ai burri me dele e deshë nuk besoj të ketë gisht në vjedhjen e kapakëve të pusetave. Duhet të ketë qenë dikush që realisht vuan për bukën e gojës.

Para se të arrija te KQZ-ja kalova edhe në Bulevard. Grupe njerëzish të veshur relativisht mirë, ecnin me hap rreshtor drejt Korpusit. Kalonin mijëra këpucë në bulevard drejt koncertit madhështor që kujton fitoren e jashtëzakonshme të partisë në 22 mars ’92. Më kujtohet kur thërrisnim “e duam Shqipërinë, si gjithë Evropa”. Sot jemi në kohë të tjera. Te pallati i COIN-it, aty ku ndodhen edhe zyrat e BE-së, një grup të rinjsh që kishin ndërmend të shkonin në miting pak më vonë, po bërtiste me megafon: “Evropë e mallkuar, Shqipëri e bekuar”. 
“Ah mor Fyle ç’na bëre” – mendova në atë moment. “Pse na e shan Qeverinë Demokratike dhe armiqëson popullin shqiptar?”

Kur u ktheva, pas një ore, duke përshkuar të njëjtën rrugë me puseta të hapura, grupi me megafon nuk ndodhej më aty. Koncerti vazhdonte dhe zhurma ishte shurdhuese, por turma e kishte zbrazur sheshin dhe ishte duke nxituar në drejtim të kundërt. Drejt shtëpive. Sigurisht që Qeveria demokratike nuk  e kishte joshur gjithë  atë milet me këngëtarë e spektakle. Dukej qartë që gjithë ai milet kishte qenë aty për të dëgjuar nga Lideri atë çka dëgjon çdo ditë në TV, por kësaj here LIVE. Dhe për këtë ia vlen konsumimi minimal i këpucëve në Bulevardin e Kryeqytetit.

Po të qëlloi të shkosh drejt periferisë së kryeqytetit, jo shumë larg,  p.sh. në Shkozet ku punon një miku im,  mos u habit nëse has në një grabitje. Aty je realisht larg policisë, larg shtetit. Nuk e di sa guxim do t’i duhej njeriut të shkojë në Viçidol apo në Konispol, por do ti duhet patjetër të llogarisë që shteti aq larg nuk ka gjasa të ekzistojë. 

Sidoqoftë, në fund fare, këpucët e mia kaluan rrugët që nuk ishin rrugë dhe u zhytën në baltën që nuk kishte asgjë të ngjashme me mjaltin që e krahasonin Rilindasit. Ajo ishte thjeshtë baltë. Aty shteti nuk kalon. Aty shteti shkon vetëm për të kërkuar votën me Land Rover Sport. Nuk zbret shteti vetë nga makina por badigardi ose shoferi. E kanë zgjidhur edhe këtë punë për veten e tyre. 
Kurse këpucëve të mia iu desh të zhyteshin mirë në baltën e ëmbël të Rilindasve. 

Televizori më në fund u ndez:  dëgjova Kryeministrin që fliste për internetin dhe rekordet e Shqipërisë në këtë sektor.
“Të gjorat këpucë sa shumë që vuajnë, ndërkohe që ne, qytetarët e Republikës së Shqipërisë zhvillojmë një jetë frenetike, por të lumtur. E gjitha kjo falë Qeverisë Demokratike që mendon për ne por jo për këpucët tona”. Mendova gjithashtu se sa fatlume ishin këpucët e atij Irakianit, të cilat fluturuan drejt surratit të Xhorxh Dabëllju Bushit… 

Onufri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *