Karrotreci

Karrotreci është bërë miku më i ngushtë i atyre që rrahin shpesh rrugët e tejmbushura të Tiranës.  I shohim kudo, përgjithësisht nëpër cepa, i shohim grup, të shpejtë dhe të vendosur në detyrën e tyre.  Por në të njëjtën kohë, askush nuk i shikon derisa zbulon se makinën nuk e ka më aty ku e ka lënë.  “Në shërbim të Policisë Bashkiake”.  Mbyllet kapitulli.

U bë e panumërta herë që flasim për universe paralelë kur i shpjegojmë njëri-tjetrit, sikur themi përralla natën para se të na zërë gjumi, sesi duhet të ishin gjërat, të bukura, të pastra dhe të drejta.  I bëjmë qejfin njëri-tjetrit duke i treguar se kemi sensibilitet qytetar, se dimë të mendojmë kur duam dhe se dimë të gjejmë të drejtën tonë aty ku mungon.  Pasi përfundojmë këto zhbirrilime të brendshme rifillojmë me rutinën, ribëjmë të njëjtat gabime, tregojmë të njëjtën neglizhencë, falim sërish të pafalshmet dhe e lëmë veten në duart e batakçinjve të rendit, që rendin vullnetshëm pas një fitimi që po e ushqejmë vetë ne me mefshtësinë, neglizhencën dhe urrejtjen tonë të mbytur përbrenda.

Ta dinim se ato lekë të karrotrecit do të ushqenin buxhetet e shtetit e të bashkisë do të ishim pjesërisht të lumtur.  Ta dinim se do të kontribuonin në uljen e borxhit publik do u jepnim dhe pak gjel deti gjelave të karrotrecave.  Ta dinim se shërbejnë për të na edukuar, do të pranonim dhe pedagogjinë e policit rrugor me bllok në dorë.  Ta dinim se shkelim kaq hapur rregullat e qarkullimit do t’i shikonim si supermenët e kamionëve pa rimorkio.

Por asnjë nga këto nuk është e vërtetë.  Po i rikthehemi andrrallave dhe po riimagjinojmë universin paralel: në këtë univers, përveç tabelave të ndalimit të qëndrimit janë dhe tabelat pak më të vogla me karrotrecin e zi në sfond të bardhë.  Nuk është tabelë për bukuri apo për të majmur tenderaxhiun e radhës së tabelave rrugore.  Është tabelë që tregon rrezikshmërinë e lartë kundrejt automjetit aventurier. Por jo, këtu puna është ndryshe. Edhe sikur tabela të jetë gjysmake, pse jo dhe inekzistente, karrotreci vjen më shpejt se polici dhe në këtë universin tonë joparalel, nuk do të dimë asnjëherë kush është në shërbim të kujt.  Pale t’i futemi spekulimeve dhe të mendojmë se në fakt policët mund të jenë krahu i armatosur i një biznesi të errët… Po t’ia lëmë thashethemeve të nxjerrin përfundime.  Këto karrotreca nuk na shërbejnë as për të na edukuar.  Sepse fatkeqësisht, ata marrin automjete që ndalojnë për pak çaste për arsye pune dhe që ngushtësia e ambjenteve në qytetet tona nuk lejojnë ndonjë manovrim shumë të madh.  Dhe nuk marrin automjetet e atyre që të vetmen punë që kanë është të shesin arrogancën e tyre të mishëruar në luksin idiotesk të makinave që zotërojnë.  Këto nuk preken, se përveçse gdhë, punonjësit e rendit ose të rreshtimit të makinave për t’u rimorkiuar, janë dhe frikacakë.   Nuk shërbejnë as për të rritur ndonjë buxhet të katandisur si mos më keq, sepse janë shuma të një karakteri të tillë që mund të përmbushin vetëm aspiratat e një buxheti privat, që këtë shërbim publik e kanë kthyer në fitim privat.

“Këtij me siguri i kanë ngritur makinën” mund të thuhet.  Jo.  Të paktën jo këto kohët e fundit.  Por kur i shikon teksa dalin skutave si minj në kërkim të ndonjë cope djathi me atë shkrimin profetik në ballë sikur të jenë “dashuronjës të dalldisur” të pastërtisë rrugore, të vjen ndot nga vetja që mbetesh në mëshirën e këtyre hiçëve që rrinë bllokut për të gjuajtur makina dhe kësisoj harrojnë detyrën e tyre kryesore.  Nuk është as ndonjë detyrë madhore, është thjesht një detyrë për të cilën duhet të përgjigjen.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *