Ja vdekje ja liri!

Është më jetësore të diskutohet përse Django nuk e kishte fituar ndërgjegjen e klasës dhe pse nuk u përpoq të shpëtonte vëllezërit e tij por u mor me hallin e tij personal, sesa të shikohet realiteti i sotëm, të shikohet shqiptari i sotëm që nuk ka fituar asnjë lloj ndërgjegjeje.

Nuk duhet ta fshehim dhe ta pranojmë: vendimi i gjykatës na ka zgjidhur një barrë punë. Na ka rehatuar në mefshtësinë tonë, na ka treguar që duke ndenjur urtë dhe duke bërë disa allishverishe majtas dhe djathtas, duke kritikuar aty ku nuk na preken interesat, të vijojmë me jetën tonë pak a shumë të qetë. Në fakt, dhe me shumë faj nuk duhet të ngarkohemi pasi në fund të fundit, mirëqenia vetjake dhe lufta për ta arritur atë, është një nga lajtmotivet e kapitalizmit. Çështja është që tashmë, duhet të sigurohemi mirë nëse këtë mirëqenie do e kemi apo jo për shumë dhe a do të jemi ne në gjendje që me këtë jetë mospërfshirëse të mos prekim interesin e askujt që mund të na dëmtojë, të na hyjë në hak dhe të mos ketë asnjë ndëshkim për të.

Nuk më duket se deri më sot, ta kemi seriozisht luftën, le ta themi troç, kundër mafies institucionale që drejton këtë vend. Nuk e kemi seriozisht, sepse edhe pse jo të mençur, jemi të zgjuar mjaftueshëm për të tërhequr bythën në kohën kur duhet, kur e kuptojmë se nuk duhet ta kruajmë me filanin ose fistekun. 23 vjet demokraci kanë zhvendosur një hierarki partiake, që edhe pse ishte e padrejtë, ishte e qartë për të gjithë, në një hierarki fisnore, klanore dhe partiake meskine, e cila nëpërmjet padrejtësisë, arrogancës dhe cinizmit na ka bërë të kemi frikë kundër hienave dhe hijeve të tyre, të cilat nuk i njohim, nuk u flasim, por ua dimë shikimin. Kjo hierarki po bëhet shtypëse për atë që do të punojë, e pajetueshme për atë që nuk mund të mbijetojë, sfilitëse dhe gati depresive për të gjithë. Feudalët që kanë udhëhequr këtë vend, Zog, Enver dhe Sali, e kanë kultivuar këtë situatë, por ky i fundit ka kapur majat e cinizmit: fol po deshe se do e ndjesh pas qafe!

Nga kjo situatë ka dy rrugëdalje: ose vazhdojmë kështu dhe pështyjmë mbi idealet demokratike që i kërkuam, ose do e luftojmë. Por kujdes, është mirë që shpirtrat e dobët dhe të fortë, të gjerë dhe të ngushtë, ta dinë mirë: do jetë për jetë a vdekje. Nuk ka rilindje pa sakrifica. Këtë ta ketë të qartë kushdo që matet të marrë pushtetin dhe të ndryshojë këtë vend. Nëse do luftë kundër krimit, padrejtësisë dhe forcës së pushtetit. Hapni librat, futuni në Wikipedia dhe shikoni sa janë vrarë në luftën e fqinjit tonë përtej Adriatikut kundër Mafies. Sa oficerë policie janë vrarë, sa gjykatës janë masakruar, sa të pafajshëm kanë humbur jetën dhe prapë, fitoret e padiskutueshme të shtetit nuk janë ende të konsoliduara.

Këtu, ku mafia ka shtetin e saj, atë shqiptar (perifrazova Savianon, dikush që disa gjëra i di si janë…), lufta kundër krimit të organizuar shtetëror nuk mund të ketë, fatkeqësisht, pamje tjetër. Nëse do të shkulësh të keqen brenda, nuk mund ta bësh pa sakrifica. Kjo duhet të na ngulitet në mendje të gjithëve. Askush nuk është ende në gjendje ta kuptojë një situatë kaq kritike ku jemi. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë, që nëse duam një demokraci funksionale, mbizotërim të interesave të shoqërisë dhe të individit të lirë, do të ketë luftë dhe lufta do të ketë humbje. Këtë duhet ta dimë mirë dhe të përgatitemi për më të keqen, më të errëtën anë të krimit që ndoshta nuk e kemi parë ende, nëse duam të luftojmë për një Shqipëri siç e kemi ëndërruar. Nëse kjo nuk është e qartë, atëherë asgjë nuk do të ndryshojë, edhe me rotacionin në qershor (gjithmonë nëse do të ketë një të tillë) dhe duhet të përgatitemi për një jetë të frikshme që nuk do e kishim ëndërruar për vete por që do ua trashëgojmë brezave të ardhshëm. Kjo është situata. E kemi në duar. Është vendim i vështirë, por duhet marrë. Nëse jo, kokëfortë siç jemi, edhe koha do ta ketë të vështirë të bëjë punën e vet…

Gjeneral Megafoni

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *