Itinerar në një qytet policor

Te kryqëzimi i Ministrisë së Integruar shoh dy ose tre policë të tjerë, kësaj radhe rrinë diagonalisht… Nuk e kuptova përse. Marr majtas për të kaluar afër ETC. Shoh një polic rrugor që vë gjoba, një patrullë që kishtë parkuar në “dopjofil” dhe një tjetër që vinte nga krahu përballë që i hakërrehej një shoferi anonim përse ky kishte parkuar në dopjofil. Anonimi në fjalë pati refleksin e gabuar t’u tregonte atyre shembullin që kishte marrë nga kolegu i tyre i parkuar në të njëjtën mënyrë. Refleks i gabuar sepse shoqëruesja e shoferit polic, doli me një shpejtësi të rrufeshme më nje bllok në dorë. Ma do mendja se ky nuk ishte blloku që shërbente për të shënuar emrat në listë të atyre që do të merrnin pjesë në mitingun e radhës…

Eci më tej. Marr djathtas dhe futem përgjatë Unazës. Dhe aty shoh një polic tjetër duke biseduar me një shofer furgoni që të çon për Elbasan. Marr djathtas për të vajtur rrëzë Living Room-it, vendi më “in” i qytetit më “out” në Evropë… Aty shoh tre makina policie, kuptohet shoferët e tyre e kanë kaluar rripin prapa, me siguri prej faktit se rripi mund të ketë zënë pluhur dhe u fëlliqet deviza (në sensin literal se ne atë figurativ vlen të diskutohet…). Vazhdoj më tutje dhe bëj për nga rruga e Gjimnazit Sami Frashëri. Dalloj një sherr të mirë organizuar (Samiu legjendar ka ditur gjithmonë të organizojë evente për të qënë) po nuk shoh polic. M’u kujtuan tre ngjarje të dy ditëve më parë ku në lagjen Tirana e Re janë shkëputur tre varëse nga tre qafa të pafajshme. Natyrisht policia është vënë në dijeni, po në mungesë të dëshmitarëve është e vështirë…
Bëj si bëj dhe rikthehem në Bulevard. Të kryqëzimi i Komitetit Qendror “Jozefina Topalli” shoh se drita jeshile më fton të mos e shtyp frenën. Dhe befas ja beh një mastodont me kapele të bardhë dhe me një fanellë fluoreshente si të Barcelonës vjet. Frenoj! Dhe përse? Se po kalonte serbes Mister Bukuria e Brendshme… Aty e kuptova për çfarë shërben policia.

Policia, në parim është krahu i armatosur i shtetit, i vënë në shërbim të komunitetit ose klasës sunduese (varet nga shijet). Po me sa po shoh, policia nuk është krah i armatosur, por një barkë i fryrë në shërbim të një kaste të ngushtë, interesat e së cilës nuk mund të krahasohen me interesat tona ose të ndonjë shtrese të caktuar. Sepse shtresë nuk ka, popull nuk ka, ka vetëm drejtues të një shteti të vogël brenda shtetit të madh të shkërrmoqur dhe policia është shëmbylltyra më e mirë e vijimësisë së kësaj shkërrmoqjeje…

Mund të vazhdoja dhe më tej. Këto historira në Tiranë e në Shqipëri nuk kanë fund. Nuk besoj se mund të ketë dyshime në lidhje me vendosjen strategjike të forcave të Ministrisë së Brendshme nëpër pikat kyçe të Fortesës Tiranë. Sepse në çdo rast, ato aty do të jenë, nesër, pasnesër, pas pasnesër…

 

Nuk përmenda policinë bashkiake, organi më i panevojshëm në stadin e tij aktual të zhvillimit, edhe pse i pajisur me karrotrecin, arma më e fuqishme e përshtatur për mjedise urbane… Mbi të nuk kemi ç’të themi, veçse të konstatojmë kotësinë e saj.

                                                                                                                                          Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *