Iran-SHBA-Izrael, a do të shmanget konflikti i armatosur?

Sigurisht që politika e gabuar e presidentit Bush kundrejt Iranit, pushtimi i Afganistanit dhe Irakut, ndihmuan ngjitjen në pushtet të krahut ekstremist iranian. Politika e Ahmadinezhadit, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin të zëna duke luftuar armiqtë historikë të Iranit, në kufirin lindor dhe perëndimor të tij, ishte ajo e pritjes, forcimit të pushtetit të brendshëm dhe ndërtimit të bombës bërthamore. Një lëvizje kjo e fundit që do ta radhiste Iranin ndër shtetet më të fuqishme në arenën ndërkombëtare dhe sigurisht do ta kthente atë në faktorin kyc në rrajon, duke i hequr primatin Izraelit, si i vetmi shtet që ka armën bërthamore në Lindjen e Mesme.

 

Ndërsa me politikën e re të presidentit Obama dukej se konflikti dhe pozicionet e forta po zbuteshin. Obama premtoi dialog me Iranin dhe Ahmadinezhad e pranoi atë duke ia lënë gjuhën e ashpër të shkuarës dhe “fajtorit” kryesor, ish presidentit Bush. Sic e kemi përmendur edhe në shkrime të mëparshme, administrata e SHBA-së do të mbyllte një sy edhe nëse gjatë zgjedhjeve do të kishte shkelje të hapura madje deri në përgjakje të shesheve. Por ajo që nuk parashikohej ishte fitorja e Netanjahut në Izrael dhe qëndrimi i fortë e pa kompromise i këtij të fundit. Izraeli nuk heq dorë nga plani për të sulmuar ushtarakisht vendndodhjet bërthamore të Iranit dhe kjo ka vënë  në vështirësi Uashingtonin. Aleanca me mikun më të fuqishëm të popullit të Izraelit nuk vihet në dyshim, por Obama është i paralajmëruar dhe nuk duhet të tejkalojë vijën e kuqe. Sipas MOSSAD-it (sherbimet sekrete Izraeliane) pajisja e Teheranit me rraketa berthamore do të kishte një efekt domino. Shtete të tjera (sunite) të rajonit do të provonin të prodhonin nuklearen, si kundërpërgjigje ndaj gjigandit Shiit. Si rjedhojë në këtë vorbull do të përfshiheshin edhe grupe terrosriste të Palestinës apo Libanit. Hipoteza këto, të papranueshme dhe që detyrojnë Tel Avivin të ndërmarrë rrugën e vetme të mundshme, atë të ndërhyrjes ushtarake. Ndërsa nga ana tjetër taktika e Izraelit është ajo e mohimit ose e mospranimit se zotëron armë bërthamore edhe pse është e njohur ekzistenca e një numri të konsiderueshem raketash të këtij lloji në pronësi të Tel Aviv-it (mendohet 150).

Ndeshja tashmë luhet midis tre faktorëve dhe jo vetëm midis SHBA-së dhe Iranit. Shtypja e dhunshme e protestave në Iran e vendos Obamën përpara një përgjegjësie të madhe. Nëse do të pranojë të ulet në një tavolinë me një bashkëbisedues si Ahmadinezhad, ndërsa  liritë dhe të drejtat e njeriut u shkelën me të dyja këmbët nga ky i fundit, nëse do të pranojë pajisjen e Iranit me armën bërthamore, ndërsa aleati i vjeter i SHBA-së në rajon e refuzon në mënyrë të padiskutueshme një opsion të tillë. Një gjë është e sigurtë: për herë të parë që nga krijimi i shtetit të Izraelit, Uashingtoni dhe Tel Avivi ndodhen kaq larg njëri tjetrit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *