Ilir Meta, boll më se na çave trapin!

Ai duhet të pushojë, t’ja lërë fjalën atyre që e kanë për detyrë të flasin: prokurorëve (megjithëse shpresa është shumë e imët që ata të prodhijnë ndonjë gjë…), analistëve të shitur ose jo, njerëzve të thjeshtë në mënyrë që të shprehin dufin kundër një situate që është bërë rrugë por që tashmë kanë zbuluar deri në ç’përmasa shkon tejngopja e atyre që do të na e bëjnë Shqipërinë evropiane. Është radha jonë që të themi fjalën tonë, që të veprojmë dhe është radha e Ilir Metës të qëndrojë spektator, ashtu siç qëndruam në spektatorë në rrënimin e vlerave që na janë përpjekur me shumë sakrifica të na ushqejnë, në talljen më të madhe që mund t’i bëhet njerëzve sy për sy dhe pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë. Është radha që të mësohet se ai është Kryetar i një partie të lindur nga një sherr personal, të fryrë me njerëz që kërkojnë favore personale dhe që do të vdesë së bashku me karrieriën politiko-personale të krijuesit të saj…

Shumëkush mund të thotë se nuk ka përparim pa një çikë lubrifikim, në kuptimin që të funksionojë mirë motori i kapitalizmit duhet vajosur në mënyrë që të punojë në regjim të plotë. Kjo është e vërtetë. Po kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim për të pranuar se ato që pamë dhe që mund të shohim janë normale. Si mund t’i sqarohet një personi që varfërohet gjithmonë e më shumë se lubrifikimi i një politikani pa profesion të vërtetë në jetë është kusht i domosdoshëm për rritjen ekonomike të vendit? Po të kishte disa jetë ndoshta po, do e kishte pranuar. Madje do të dënonte gjestin e ulët prej çimke të Dritan Priftit se të mirat e atij lubrifikimi do të ndihen pas 50 ose 100 vjetësh dhe kësisoj do i shijonte ne jetën e tij të tretë a të katërt… Ndoshta varfëria është një fenomen që nuk lidhet vetëm me korrupsionin e baballarëve të kombit. Po ama ajo nga kafshatë e pakapërdishme kthehet në një gjellë që të ngjall krrupën sa herë që e shikon kur përpara saj vihet e vërteta e zyrave të shtetit, ku qarkullojnë eurot si pa gjë të keq.

Shumëkush mund të thotë se 3 milionë sa jemi ne si popull mjafton që të kënaqemi me teorinë në mos mos rrjedh do të pikojë dhe se ato eurot do të kishin shumë përfitues, ku secili prej tyre mban familjen e vet dhe nga gjilpëra në pe, çdo shqiptar do të jetë përfitues i atyre lekëve. Po atëherë përse marrim edukatë shoqërore, përse shkojmë në provime për të testuar njohuritë, përse kursejmë lekë, përse u mësojmë fëmijëve të mos vjedhin e të mos shajnë, përse lexojmë libra dhe propagandojmë vlera? Apo për bukurinë e të qënit moralist. Këtë luks e ka vetëm Kryeministri, i cili si bolshevik burokrat i regjur të bën moral ditën dhe ta shkopsit natën se me këtë mënyrë është mësuar të sillet.
Të dyja fenomenet që përmendëm më sipër janë në vetvete shumë problematikë. Sepse nga masivizimi i tyre lind injoranca, ekstremizimat kundër tolerancës dhe rrymat moralizatore që kanë për qëllim shtypjen e individit dhe krijimin e një morali të ri sepse njerëzit do të lodhen dhe do të jenë më lehtësisht pre e lëvizjeve fashiste, autoritare ose anti-tolerante. Nëse vazhdohet me këtë rrugë, pra nëse Ilir Meta pëllet në mikrofon çdo ditë nga zyrat e Lëvizjes Haluçinante për Integrim, rrezikojmë të përfundojmë në një diktaturë tjetër.
Së fundi, të më falni për titullin. Po në krahasim me fjalorin e përdorur këto kohët e fundit në Parlament, në histeri e sipër dhe nën drejtimin e fëmijës së lumtur Jozefinë, më duket shumë i pranueshëm dhe, ç’është më e vërteta, në lartësinë e mllefit që kam.
                                                                                                                                                           Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *