IK

Gjithçka për të qenka një loje luftash, gjithçka merr permasa personale. Tani po ngre llogoren e vet, aty ku do të fusë një pjesë të popullit shqiptar duke i thirrur për një miting absurd kundër dhunës. Ndoshta duhet t’ja kujtojmë se është dinjitar, është Kryeministër i një vendi, paçka se në detyrë,dhe thirrjet për bërje të një kundërmitingu i ngjasojnë strategjive të çarjes më dysh të popullsisë. Për të pak rëndësi ka shteti, rëndësi ka pushteti. Dhe atë do e mbrojë dhe duke përdorur njerëz, nëpunës civilë të cilët kanë neveri kur marrin pjesë në mitingjet e tij, po kanë hallin e jetës së tyre dhe familjes së tyre. Pikërisht kjo tentativë për të mbajtur në kurth popullin duhet dënuar me forcë dhe duhet anatemuar, pasi dje përballë tij nuk ishte një pjesë e popullsisë kundër tjetrës, shqiptarët nuk e kanë në gjak një gjë të tillë dhe nuk ka për të ndodhur kurrë edhe pse despoti ynë i llogoreve e dëshiron. Ai në këtë situatë dramatike ndihet si në fushë të vet, ai përcakton dhe rregullat e lojës paçka se mund të çojnë në vëllavrasje. Por dje në fakt ishte populli kundër një pushteti personal të pakufizuar. Ishte populli që kërkonte një dinjitet të humbur për shkak të fëlliqësive që ndodhin rendom nëpër zyrat e shtetit dhe ndaj dhunës absurde të shpalosur, kryekëput e palegjitimuar dhe në disproprocion me mjetet që përdornin protestuesit.
I duhet thënë kësaj logjike jo, ashtu sikundër i tha jo dhe ambasadori amerikan. Erdhi koha që despoti i llogoreve të sillet si politikan i qytetëruar. Dhe kjo do të thotë që duhet të ikë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *