Helmetat që kanë pushtuar vendin nuk i vesh hordhi e huaj!

Shekulli i XX prodhoi dy luftra botërore dhe luftën e ftohtë. U eksperimentuan forma të reja qeverisjesh dhe u instaluan regjime totalitare, në të dy hemisferat të globit. Këto sisteme u karakterizuan nga pushtete të pakufizuara që jo domosdoshmërisht vareshin nga fuqia e një individi të vetëm. Sistemet totalitare nuk mbarojnë me largimin e diktatorit, apo pas ndarjes së tij nga jeta. Ato janë në gjendje të gjenerojnë totalitaristë të rinj, nga barku i të njëjtit regjim. Përkufizimi më i saktë i totalitarizmit do të ishte: një sistem pushtetesh të pakufizuara në duart e një shpure burokratësht të indoktrinuar, të cilët manovrohen nga produkti më i përkryer i vetë sistemit, diktatori.  
Sistemet totalitare gjatë shekullit të shkuar u bënë  drejtpërdrejtë përgjegjëse për shkeljet flagrante të të drejtave themelore të njeriut, për genocide dhe humbjen e miliona jetësh, tortura çnjerëzore dhe krijimin e kampeve famëkeqe të përqëndrimit…

Sigurisht përjashtim nuk mund të bënte Shqipëria, e cila pati eksperimentin e saj të vogël por me famë botërore për brutalitetin dhe hermetizmin që e karakterizoi. Paçka se me figurë qendrore dhe të vetme për thuajse 40 vjet,  Enver Hoxhën, regjimi shqiptar diti të nxjerrë nga gjiri i tij edhe totalitaristë të vegjël, bij të partisë dhe që i shërbyen më së miri linjës së shënuar. Këta ricikloheshin herë pas here në bazë të kërkesave dhe luftrave brenda llojit. Për të mos u zgjatur shumë, njëri prej tyre mban ende të gjitha fijet e pushtetit në vend…

Me rënien e murit të Berlinit por sidomos me epokën e re të globalizimit, me liberalizimin jo vetëm të tregjeve por edhe të lëvizjes së njerëzve, ideve, dhe komunikimit, shekulli i ri e fshiu një herë e përgjithmonë mundësinë e lindjes së sistemeve të reja totalitariste. Sigurisht që në vende të ndryshme të botës ka ende regjimë të tilla, por ato mbajnë datëlindje të shekullit të shkuar, nuk kanë aftësi ripërtëritëse dhe po shijojnë ditët e fundit të agonisë. Provën më të qartë na e japin lëvizjet popullore që kanë shpërthyer në botën arabe. Ndonjë diktator do të rezistojë akoma edhe në të ardhmen, por pas tyre, është e sigurt që nuk do të ketë më pasues. Po përjetojmë zhdukjen e parikthyeshme të sistemeve totalitare.

Shqipëria bën pjese pikërisht te ky grupim i fundit, i shteteve që kanë ende një totalitarist në krye, mbase pak nostalgjik për regjimin e shkuar, por që nuk do të lerë pinjollë nga pas. Jo sepse nuk do të dëshironte, por epoka dhe zhvillimet e shekullit të ri nuk e bëjnë të mundur. Por derisa totalitaristi i fundit në Shqipëri të largohet prej aty ku është, dhe për hir të pushtetit të tij, do të na duhet të durojmë ende poshtërime të një pas njëshme. Do të dëgjojmë Turqinë të na japë leksione se si shkruhet historia, të cilën nuk paskemi ditur ose dashur ta shkruajmë siç duhet. Do të dëgjojmë Rumaninë të na thotë se këtu 10% e popullsisë i përket minoritetit të saj. Do të shohim se si ambasadori i shtetit fqinj inauguron shkollën serbe mu në mes të Fierit. Greqia do të na e marrë detin e tokën pa iu dridhur syri, e jo vetëm këto por edhe dinjitetin. E mbase shuarja e një fshati të tërë në dyert e Tiranës, nuk do të na mjaftojë për ta ndjerë të nevojshme dhënien fund të kësaj agonie; dhe as ekzekutimi i katër fukarenjve, bij të kësaj toke e të ketij mjerimi, mu përpara derës së pushtetarit të fundit të tipit totalitar, nuk do të na japë kurajon për ta bërë sot e jo nesër ndryshimin…

Ajo çka na ngushëllon të gjithëve është se Berisha do të jetë i fundit i kësaj race. Deri kur do të zgjasë ky fund askush nuk e di. Deri atëhere do të na duhet të durojmë helmetat që kanë pushtuar vendin.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *