Greva që çorri një tufë me maska

Natyrisht që ne nuk duam që këto të përsëriten në Shqipëri. Periudha kaotike në të cilën ato u zhvilluan i përket një kohe tjetër. Megjithatë, vija ndarëse për të legjitimuar një protestë dhe jo një tjetër është shumë e ngushtë. Në një shtet si i yni ku partishmëria është më e fortë se ndjenja e përkatësisë në një shtet të së drejtës gjithkush ka bindjen e thellë se protesta e tij është më e mirë, më sublime dhe më e legjitimuar se e tjetrit. Në këtë aspekt, të bëhemi gati se sapo të kemi ndërrim të pushtetit do të kemi balukekrehurit e qeverisë në rresht për një para një çadre blu për të prerë çdo lidhje midis stomakut të tyre dhe ushqimeve dhe për të kërkuar ndonjë të drejtë që qeveria do jua mohojë në mënyrë të padrejtë.
Por nuk i themi këto për të minimizuar rëndësinë e grevës dhe të protestës në përgjithësi. Përkundrazi, protesta mbetet në këtë vendin tonë një armë e pashfrytëzuar mirë me anë të të cilës mund të dëgjohen seriozisht kërkesat e grupeve që reklamojnë të drejtat e tyre me anë të këtij mjeti. Dhe kjo për arsye se në Shqipëri nuk mund të sigurohen, mbrohen dhe promovohen të drejtat minimale që ka gatitur Kushtetuta dhe ligjet për individin për shkak të mentaliteteve të vjetra që ende sundojnë, për shkak të korrupsionit, për shkak të dëshirës atavike për pushtet të njerëzve si Kryeministri ynë. Rrjedhimisht, të vënë para një situate që nuk siguron mbrojtjen kushtetuese të individëve, e drejta do të kërkohet me protestë. Kjo nuk duhet të vihet më në diskutim sot në Shqipëri. Por, nëse protestat berishiane kishin nje pamje klanore, protesta e ditëve te sotme edhe pse tërësisht e legjitimuar nuk i ndahej dot idesë se në disa aspekte ajo dukej e sforcuar dhe e ndrydhur. E sforcuar sepse u desh një katalizator i fuqishëm si greva e urisë për të ndërgjegjësuar njerëzit të dilnin të denonconin fillesën e çdo nëpërkëmbje të të drejtave të tyre. E ndrydhur sepse fjalimet përshkallëzoheshin duke i dhënë shpesh herë tone apokaliptike dhe kur vinte momenti i shpërthimit, u kujtohej turmës nga ligjëruesit  se ajo duhet të përmbahej për të treguar se “ne i respektojmë institucionet”… Por nuk mund të qe ndryshe. Ne jemi në fillesat e ndërgjegjësimit qytetar dhe protesta, e pavarur nga çdo parti politike, nuk ka hyrë ende në kulturën tone qytetare.

Ndoshta, që të triumfonte kauza e protestës më shpejtë, do të nevojiteshin disa grupe të pavarura politikisht të cilat do të radikalizonin veprimin politik. Natyrisht, kjo Qeveri shurdhe do të nxirrte daullexhinjtë dhe kërcimtaret e rastit për të nënvizuar qytetarinë e tyre shterpë dhe për të stigmatizuar grupet e revoltës si anti-demokratike dhe staliniste, por pak rëndësi ka. Në këtë kakofoni deklaratash që ata na kanë mësuar, veprimi i organizuar do të binte më shumë në sy në ambjentin e squllët politik shqiptar dhe do të bënte që daullexhinjtë qeveritarë të merrnin trajtat e papagajve besnikë në përsëritjen e alogjizmave qeveritare…

Por më shumë sesa triumfi i kauzës (që mbetet për t’u vërtetuar) dhe triumfi i qytetarisë përballë rreshtimit fashist që shteti bëri në krah të interesave të Kryeministrit, vlen të theksohet se kjo grevë shërbeu për të identifikuar disa sjellje në mesin tonë që tregon se jo vetëm nuk jemi në një demokraci të mirëfilltë evropiane, por po vuajmë ende mendësi të vjetra, të pluhurosura të të kaluarës që kanë refleksin tashmë të njohur të rreshtimit krah pushtetit kur pushteti e kërkon “me mirësjellje” një gjë të tillë. Dhe këto rreshtime jo vetëm nuk janë të shëndetshme por duhet të fusnin intelektualët në mijëra mendime në lidhje me qënien e tyre si të tillë dhe misionin që mund t’i kenë caktuar vetes, nëse e kanë caktuar një të tillë.
Në këtë kuptim, na u duk shumë domethënëse antimitingu i Sali Berishës, që nuk duam ta komentojmë më, pasi vet njerëzit e pranishëm aty e kuptuan për një çast se si njeriu mund të bëhet hije e vetvetes dhe të bjerë në kotësinë e një ekzistence, në të cilën të fusin metodat fashiste që fatkeqësisht i përdor një qeveri kinse demokratike… Na është dukur shumë domethënëse, edhe pse e papritur listimi i intelektualëve, term gjenerik që në Shqipëri nuk do të thotë asgjë, nëpër lista kundër grevës për arsye që një deputete aktore e PD-së i rreshtonte si shumë të rëndësishme, duke filluar nga bllokimi i bulevardit dhe duke përfunduar me bjerrjen e personalitetit të gruas, pasi sipas saj një grua nuk duhet të futet në grevë se ka shëndet më të dobët…  Ishte shumë e turpshme të lexoje nëpër gazeta shkrime intelektualësh (gjithmonë kjo fjala që në Shqipëri nuk do të thotë asgjë…) me arsyetime nga më banalet, nga më çoroditëset që nuk i prisje të formuloheshin nga gojë që deri dje përfaqësonin ajkën e intelektit shqiptar (…) si A. Plasari apo S. Kumbaro por që sot vetëm me një shkrim inkoherent nëpër gazeta aspak koherente kanë treguar se aftësinë e tyre për të bërë kompromise të pështira me ndërgjegjen e tyre. Nga ana tjetër, dihet mjaft qartë që intelektualët e vendit tonë nuk janë shumë të respektuar. Atyre u duhen bizneseve të reja për të ngritur prestigjin, i trajtojnë mirë financiarisht por kurrsesi nuk duhet të thonë fjalën e tyre dhe rrjedhimisht raporti i tyre me të vërtetën nuk është aspak fisnik ashtu sikundër mund të jetë karriera e tyre. Pikërisht sepse çdo fjalë e tepërt e thënë u rrezikon të ardhurat, bizneset që i punësojnë, sepse qeveria me anë të gëringave, rohm-ëve dhe gëbelsave të saj të vegjël reagon pa paralajmëruar… Megjithatë, për të qënë në krah të intelektualëve paksa të frikësuar, duhet të themi se opozita, për shkak të veprimeve të saj kur ishte në pushtet nuk i ka krijuar mundësitë intelektualëve që të jetojnë si të pavarur…

Kjo grevë shërbeu gjithashtu për të kuptuar se ç’lloj marrëdhënie mban Evropa, më saktë institucionet e saj, me Shqipërinë. Më shumë se kurrë, na duhet të përsërisim atë që kemi thënë në një artikull të mëparshëm të Gjeneralit se Evropës i rreh meraku te stabiliteti dhe jo te standardet. Evropa e ka shumë të qartë se çfarë zgjedhjesh mund të organizojnë partitë politike shqiptare dhe tashmë i kanë akorduar violinat e tyre në një tonalitet: zgjedhjet më të mira se të fundit po sërish me disa probleme (të cilat presupozohen se do të rregullohen në turin e ardhshëm zgjedhor, ose nëpërmjet disa ndryshimeve surrogate të kodeve zgjedhore si ai i 2005, i sponsorizuar nga të panjohurit e famshëm të OSBE-së…). Dhe zgjedhjet e radhës nuk i shpëtuan këtij rregulli. Evropa është në gjendje të kuptojë kasaphanën që fshehin ato kuti, po nuk do kurrsesi të hapen sinqerisht pasi mbi të do të bjerë faji i rëndë i pranimit në gjirin e saj të një vendi me shumë probleme që nuk kërkon t’i ballafaqojë, por t’i fshehë në një petk zhvillimi vegimtar. Dhe Evroa i bën iso kësaj loje të shpifur. Tashmë, kërkesa e opozitës kokëfortë po e ve Evropën para një dileme të madhe: të heshtë prapa preteksteve të stabilitetit dhe justifikimeve shterpë të qeverisë për respektim vendimesh të gjykatave apo të hapë kutitë duke u ballafaquar dhe ajo me refleksin demokratik që duket se e ka harruar jo vetëm në marrëdheniet me Shqipërinë por dhe brenda marrëdhënieve që e lidhin atë me isntitucionet e saj…

                                                                                                                                                                   Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *