Golemi hebre dhe Golemi i Durrësit

Megjithatë, nuk duhet ndonjë vëzhgim i mprehtë për të vënë re se det nuk shikon. Ose thënë ndryshe, duhet një shikim i mprehtë dhe nga një lartësi e konsiderueshme për të parë detin nga porta hyrëse jugore e Durrësit që quhet… Golem. U habita nga përkimi i të dy emrave dhe aty më lindi befasishëm ideja për të përafruar legjendën me të vertetën e hidhur.

Nëse Golemi ynë njihej për plazhin dhe hapësirat e bukura, sot ai është transformuar në një gjë të pashpirtë, amorfe, mbytëse dhe cfilitëse per sytë e udhëtareve. Ndoshta nga persekutimi i kësaj fjale, ndoshta jo, përkimi mund të jetë një kazualitet i thjeshtë, Golemi është kthyer në një grumbull të pashpresë betoni ku pushuesit janë të dënuar të jetojnë dhe të mbushin me jetë një tërësi gjigjande të dënuar që në lindje t’i ngjajë Golemit të shkretë prej balte të cilit nuk guxonte njeri t’i hidhte sytë. Dhe natyrisht, meqënëse ne shqiptarët jemi njerëz të ekstremeve, në shëmtinë e tij Golemi ynë është një kryevepër, një qytet afër detit, i cili e ushqen atë me të gjitha llojet e lëndëve të para të nevojshme për gjallërimin e faunës bregdetare. Dhe në këtë ekosistem golemik, njerëzit lahen duke harruar se po jetojnë në barkun e një krijese të pashpirt.

Po Shqipëria ka plot Golemra, jo vetëm atë të Durrësit. Dhe këto kanë ardhur si pasojë e shumë elementeve të ndërthurur me njëri-tjetrin. Ndoshta më kryesori është dhënia e një pushteti të konsiderueshëm (leja e ndërtimit është e tillë) pushtetarëve lokalë, njerëz të rëndomtë nëse Shqipëria ka të tillë, të cilët përballë tundimit për përfitim personal ishin të gatshëm të shkruanin gërmat EMET mbi cdo leje ndërtimi, në dëm të mjedisit, turistëve, zhvillimit normal të Shqipërisë. Pra, me pak fjalë, Ligji për Pushtetin Vendor rezultoi ndoshta si vetëvrasja më perfekte që një komb mund t’i bënte zhvillimit të tij. Tashmë, sfida është e madhe. Rabinët, sipas legjendës, mund të hiqnin gërmën E dhe të linin vetëm gërmat MET mbi ballin e Golemit, që në hebraisht do të thotë vdekje: dhe zemra e Golemrave prej argjile pushonte së rrahuri. Po sot, është shumë e vështirë që të bëhet e njëjta gjë me Golemrat tanë dhe ky është një shembull shumë i mirë që tregon se realiteti është më i hidhur se legjenda…
                                                                                                                                                       Stavri           

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *