Gjeopolitika e gazsjellësve dhe politika shqiptare e “gazit të botës”

Por rëndësia që kanë projektet e furnizimit me gaz dhe naftë, në peshën politike të ardhshme të shteteve nuk duhet të na lënë indiferentë. Jo më kot vërehet që jashtë këtij projekti ka mbetur edhe Turqia. Agresiviteti i politikave të jashtme të Erdoganit dhe ritmet e larta të rritjes ekonomike, e vendosin Ankaranë në pozita të forta në arenën ndërkombëtare dhe lajmi më i i bujshëm pra, nuk është anashkalimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë por ai i Turqisë.

Evropa është e etur për Energji
Jo më larg se 3 vjet më parë kontinenti plak u përball me një krizë të rëndë energjetike e cila rrezikoi të zhyste në terr shumë kryeqytete të Evropës. Arsyeja ishte konflikti mes qeverisë së atëhershme të Ukrainës dhe Gazpromit. Një prej arterieve kryesore të furnizimit të kontinentit me energji kalon nga Ukraina dhe mbyllja e rubinetit të gazit si presion ndaj Kievit rrezikoi të linte në mëshirë të dimrit 500 milionë evropianë. Në perspektivë e vetmja mënyrë që situata të ngjashme të mos përsëriten është gjetja e burimeve alternative të furnizimit. Mundësitë janë; Libia, e cila edhe sikur të mos ishte përballur me një luftë civile të përgjakshme nuk mundet e vetme të shuajë etjen e Brukselit për energji; Irani i cili për sa kohë do të vazhdojë projektin e tij bërthamor dhe përplasjen me thuajse të gjithë komunitetin ndërkombëtar, nuk përbën një alternativë të besueshme; Turkmenistani, i cili në një lojë aleancash ia ka shitur të gjitha rezervat e naftës dhe gazit Rusisë (kjo e fundit nuk ka nevojë dhe është eksportuesja më të madhe) dhe në fund Azerbaixhani alternativa e tretë pas Rusisë dhe Libisë.

NABUCCO dhe Tirana
Në situatën aktuale, gjeopolitika e furnizimit të Evropës me energji është e ndarë në dy pole. Në njërën anë qëndron Moska, e cila ka burime thuajse të pashtershme energjetike mbi të cilat ka ngritur gjithë fuqinë e saj ekonomike. Për të mos pasur probleme me shtete si Bjellorusia dhe sidomos Ukraina, ku kalojnë tubacionet e eksportimit të gazit, Rusia ka filluar tashmë ndërtimi i rugëve alternative të furnizimit “North stream”  dhe “South stream”. Ky i fundit do të kalojë në Bullgari dhe që këtu njëra degë do të drejtohet në Greqi e më pas në Itali dhe tjetra nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë do të kalojë në Evropën qendrore.

Southstream

Në anën tjetër qëndron Washingtoni, i cili nuk ka interes që të krijohet një varësi kaq e madhe e Brukselit nga Moska. Prandaj është ideuar alternativa amerikane ndaj gazsjellësve rus e cila mban emrin Nabucco, dhe  kalon nga Azerbaixhani, Gjeorgjia, Turqia, Greqia dhe nëpërmjet një dege të saj edhe nga Shqipëria nëpërmjet të anatemuarit AMBO.

Pra Nabucco amerikan si konkurrent i drejtpërdrejtë i Southstream-it rus. Është e qartë që interesi i Shqipërisë si në aspektin ekonomik ashtu edhe ne atë gjeopolitik është të mbështesë arterien amerikane. Por për çudinë e të gjithë partnerëve, por edhe të lojtarëve të tjerë ndërkombëtarë, qeveria Berisha lidhi një aleancë të pashpjegueshme me Gazpromin duke anuluar akordet e qeverive paraardhëse për  projektin AMBO, pjesë integrale e NABUCCO-s. Zëdhënësi i Kryeministrisë asokohe na siguroi të gjithëve, ashtu siç siguron vazhdimisht drejtësi dhe demokraci, se interesat e Gazpromit janë që tubacionet e gazit të kalojnë një copë herë edhe nga Shqipëria, dhe ne pak nga mungesa e interesit e pak nga naiviteti e besuam, ashtu siç besojmë që jemi një mini-superfuqi energjetike në rajon.

Nabucco

Fitorja e Rusisë
Por si funksionon financimi i një projekti me të tilla përmasa?
Mundësitë e financimit janë dy. I pari dhe më i mundshmi është autofinancimi i gazsjellësit. Kjo ndodh kur kompania që nxjerr lëndën djegëse në treg është e interesuar që ti ndërtojë vetë tubacionet e nevojshme për transportin. Operacion që ka kosto të larta financiare, por që një kompani e fuqishme nafte, si Gazpromi, e cila gëzon edhe mbështetjen shtetit rus që zotëron shumicën e aksioneve, mund ta përballojë pa shumë vështirësi.

Mundësia e dytë është financimi i gazsjellësit nga një shtet ose grup shtetesh që mbrojnë interesa të veçanta ekonomike dhe gjeopolitike. Ky opsion është më i vështirë, pasi kërkon një sakrificë financiare nga shtetet që e ndërmarrin, duke qenë se nuk ka një ndërmarrje private të gatshme për ta financuar tërësinë e projektit.
Që nga kuptohet se projekti i cili ka më shumë mundësi të jetë i suksesshëm është ai rus. 

Politika patriotike
Le të kthehemi te lajmi i ditës dhe indiferenca me të cilën e pritën mediat dhe opinioni publik. Për të mos i futur të gjithë në një thes po përmend edhe “habinë” me të cilën e pritën lajmin ata pak të interesuar. Këtu nuk ka asgjë për t’u habitur, mjafton të shohësh se si politika e jashtme e vendit tonë drejtohet nga diletantë. Interesat e Shqipërisë jo vetëm nuk mbrohen por as nuk njihen se cilat janë e në ç’drejtim çojnë. Shpesh herë kush merret me negociata të rëndësishme bilaterale dhe multilaterale, nuk njeh as historinë e Shqipërisë e as atë të vendeve fqinj, dhe këtu e kam fjalën për atë historinë bazë që studiohet në shkollat e mesme e asgjë më tepër. Mjafton të përmendim “gafën” me Greqinë dhe çështjen e kufirit detar. Përulësia përpara kolegëve të tyre të huaj është sa e neveritshme aq edhe matematike dhe s’ka si të jetë ndryshe. Patriotizmi i diplomatëve tanë është reduktuar në atë pak çfarë mban një portofol dhe diplomacia e tyre në allishverish të rëndomtë tregtari e cila përfundimisht e shpie Shqipërinë drejt nënshtrimit. Po akoma më e zymtë panorama bëhet nëse këta diletantë drejtohen nga një Kryeministër i cili në rastin më të mirë vë interesat personale mbi ato kombëtare…
Në rastin më të keq, zoti qoftë me ne!

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *