Gallata me Parkun e Liqenit

Në rreshtat më poshtë do të na duhet të merremi pak me dy tre teknikalitete ligjore që në fakt nuk duan ndonjë mund të madh për t’u zbuluar, mjafton të shfletohet legjislacioni i duhur. Në Shqipëri ekziston një Ligj që quhet “Për zonat e mbrojtura”. Këtu klasifikohen zonat e mbrojtura dhe niveli i mbrojtjes. Kështu në Ligj parashikohen si objekt të tij parqet natyore, momunentet natyrore, rezervuaret natyrore të menaxhuara në të cilin bën pjesë dhe parku natyror rajonal. Nëse Liqenit të Tiranës do t’i jepet ky status, atëherë ai do të mbrohet nga Ligji për zonat e mbrojtura.

Do të mbrohet në kuptimin më sipërfaqësor të fjalës. Në fakt, po t’i hedhim një sy pak më të thelluar ligjit do të shikojmë se efektet e dhënies së këtij statusi mund të jenë relativisht larg cilësimit mbrojtje. Statusi i parkut natyror rajonal është një status që sanksionon mbrojtjen e hapësirës së cilësuar por pa lënë mënjanë dhe menaxhimin e saj. Interpetimi i fjalës menaxhim në zhargonin shqiptar, shumë fatkeqësisht dhe në atë ligjor, nuk nënkupton mirëmbajtje dhe investim në mirëmbajtje por edhe ndërtim dhe investim në ndërtim. Kështu, ligji thotë se veprimtaritë si prerja e drurëve, përdorimi i kimikateve, nxjerrja e mineraleve dhe mbi të gjitha ndërtime të çdo lloji mund të kryhen pasi subjektet kërkuese pajisen me leje ndërtimi. Për të qënë më të saktë, këtë dispozitë e gjejmë në nenin 9 të Ligjit, kombinuar me nenin 5, pika 2.

Nëse për rezervat strikte natyrore aktivitetet e përmendura më lart ndalohen kategorikisht, për rezervat e menaxhuara (në fakt, parqet natyrore rajonalë) këto aktivitete lejohen nëse lëshohet një leje mjedisore. Pa e zgjatur shumë në këtë pikë, duhet të themi dy fjalë në lidhje me lejet mjedisore. Një leje e tillë nuk është garanci për mbrojtjen totale të mjedisit, por është garanci se mjedisi nuk do të preket substancialisht nga veprimtaritë ekonomike të njeriut. Kështu, një subjekt që shfrytëzon një minierë duhet të marrë një leje mjedisore, për arsye se aktiviteti i ti në thelb është anti-mjedisor, por ama ai duhet të kufizojë pasojat e dëmshme maksimalisht në mjedis duke respektuar kufijtë që përcakton leja mjedisore. E njëjta logjikë dhe për një subjekt që pret pyje ose për një subjet që ndërton një TEC ose një fabrikë. Me pak fjalë, një leje mjedisore jepet kur aktiviteti ekonomik njerëzor është primar nëse respektohet mjedisi dhe pasojat mbi të nuk janë përtej niveleve të lejuara.

Tani, që të rikthehemi të Liqeni ynë. Në pamje të parë, duket sikur dhënia e statusit park natyror rajonal e shpëton atë Liqen nga fundi tragjik që po duket gjithmonë më i pashmangshëm. Kënetizimi i tij është pasoja më pak e rëndë duke patur parasysh se tani po kthehet në një vatër infeksionesh të shumta pasi aty po derdhen lloj lloj produktesh nga kompanitë e ndërtimit që kanë ngërthyer atë copë territor gati për ta gllabëruar. Dhe pikërisht janë këto biznese ndërtimi që mendojmë se përbënin shumicën e grupit të interesit në takimin me Edmond Panaritin, Nënkryetar i Bashkisë, si dhe Drejtor i strukturës mjegullnajë të Mbrojtjes së Konsumatorëve në Bashki, që me këtë veprim tregon se vetëm konsumatorët nuk është duke i mbrojtur, por tinëz po u shkatërron të vetmin mjedis tërësisht të gjelbër që ka Tirana. Pasi dihet se në kushtet e Shqipërisë, lejet mjedisore mund të japësh si të duash dhe sa të duash dhe, duke lexuar përmbajtjen el igjit, një gjë e tillë, pra ndërtimi edhe i komplekseve banimi do të lejohen në atë zonë me anë të një leje mjedisore, mjeti që duhet të kufizojë një veprimtari ekonomike por që në fakt, legjitimon të pariparueshmen. E keqja në këtë rast qëndron në dy nivele: në cinizmin e atyre që na shërbejnë dhe në legjislacionin e dobët në shërbim të këtij cinizmi. Duhet të ngrihemi dhe të flasim fort kundër kësaj farse të radhës që po na servirin.

Nuk duam të bëhemi kritikë kot. Dhënia e një statusi Liqenit Artificial është në vetvete një hap cilësor përpara. Aktualisht ai territor nuk ka asnjë status. Është më mirë të ketë një mbrojtje ligjore sesa të kënetëzohet më thellë nëpërmjet mungesës minimale ligjore mbrojtëse. Por nuk duhet të mohojmë realitetin. Nëse miratohet dhënia e Statusit të Parkut Rajonal, asgjë nuk ndalon ndërtimin nga pikëpamja ligjore. Në këtë rast, sërish grupet ambjentale dhe vet njerëzit duhet te bëjnë një betejë të ngjashme me betejën e importit të plehrave (a nuk është ky import i ligjëruar me anë të një ligji?). Por edhe në rastin se ky Status nuk miratohet, rreziku mbetet ende i hapur për shfarosjen përfundimtare të Liqenit dhe Parkut që e rrethon. Në të dyja rastet, grupet e interesit dhe vet banorët e Tiranës duhet të tregojnë vigjilencë ndaj projekteve të dyshimta në lidhje me të.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *