Fushata e ëndërruar!

Për sa i përket partive politike ato që nuk garantojnë aspak këtë proces. Njëra prej palëve e ka deklaruar që këto zgjedhje janë politike, ndërsa pala tjetër me fjalë ka deklaruar të kundërtën, por me vepra edhe ajo po vepron si për zgjedhje politike. Këtu lind edhe një pyetje: në cilin  vend të botës, ministra dhe deputetë dorëhiqen për të kandiduar  për  drejtues vendorë? Raste të kundërta edhe janë parë e dëgjuar. Na u tha që për shkak të  së ardhmes së qytetit u bë gjithë kjo sakrificë e dhimbshme. Pallavra.

Do të donim një fushatë ndryshe. Një fushatë ku të përplaseshin idetë dhe premtimet. Një fushatë ku të përplaseshin cv-të e kandidatëve . Por jo,  në fakt kemi një përplasje të gënjeshtrave, kush gënjen më bukur, kush shtiret më bukur.  Kemi përplasje të shpifjeve dhe fyerjeve reciproke. Turp.
Le të ndalemi pak tek premtimet, se tek e fundit ato janë thelbi i çdo fushate, qofshin premtime konkrete apo premtime që kanë të bëjnë me ide dhe vizione. Po përse u dashka gënjyer, përse u dashka premtuar pa fund?  Po se vetëm kështu mund të trullosen mendjet e fjetura të shqiptarëve të varfër, e shqiptarëve që shpresa ju vdes e fundit, si e çdo njeriu në botë, edhe atij banorit të shkretë në Fukushima. Ky shqiptari i shkretë me vete thotë mbase kësaj here është ndryshme, mbase këto premtime janë të vërteta.

 Por  gënjeshtra në Shqipëri nuk i ka këmbët e shkurtra. Ajo nuk ka këmbë fare. Këtu gënjehet, ose një term pak më i butë: premtohet kot;  këtu premtohet pa fund, sepse dihet që nuk ka një opinion publik që nesër mund të reagojë apo edhe të gjykojë ndaj këtyre gënjeshtrave, e cila automatikisht do shndërrohej në një rrufe përgjegjësie mbi autorin e gënjeshtrës: mbi gënjeshtarin. Ka prova që populli shqiptar ose halli që e ka zënë popullin shqiptar ka bërë që kujtesa e tij historike të jetë e shkurtër, më e shkurtër se koha që i duhet një individi për të vënë një plus në formë kryqi në fletën e votimit.

Po mund të thoni, se ku ka fushata pa premtime?! Oh, po, patjetër që do të keni të drejtë, premtime bëhen gjithandej në fushatat e vendeve demokratike, por ama atje nuk guxohet që të gënjehet mbi premtimet. Një gabim sado i vogël, ose edhe i pandërgjegjshëm  do kishte kosto të larta politike në procesin e ardhshëm zgjedhor dhe në vetë integritetin e kandidatit.
Sikur ne shqiptarët të gjykonim drejtë mbi premtimet që na janë bërë në këto 20 vjet, atëherë nuk do kishin parë dy herë të njëjtin kandidat. Do i ishte “prerë” gjuha si gënjeshtar apo do i ishin “prerë” duart si hajdut.

Ne prisnim një fushatë tjetër, një fushatë me premtime natyrisht, por me premtime jo sipas dëshirës, p.sh. mungon një shkollë këtu dhe me vrap  premtimi “këtu do të ngrihet një shkollë moderne dhe sipas standardeve perëndimore”, ka një rrugë të pa shtruar këtu, atëherë natyrshëm vjen premtimi “këtu do të ndërtojmë një rrugë”, e me radhë me mijëra problemet e një qyteti, që u zgjidhkan me një fjalë goje.  Është shumë e thjeshtë të konstatosh në një vend ku nuk ka shkollë  që këtu duhet shkollë, këtu s’ka rrugë, atëherë këtu duhet rrugë, lulishte…  Por harrohet fatura financiare. Çdo premtim ka një faturë financiare, çdo shkollë kushton, çdo rrugë kushton, çdo lulishte, bibliotekë, teatër, kushton lekë; janë lekët e taksapaguesve, janë lekët e popullit. Dhe pikërisht që këtej mund të nisej një premtim, në çdo njësi vendore, ku dihen se sa janë vlerat e të ardhurave nga taksat, shpenzimet për rroga dhe ato administrative, ndihma sociale etj. Prandaj mendojmë se kandidatë duhet të na tregojnë se si do ta ndajnë buxhetin që kanë në dispozicion (nisur nga vitet e fundit si dhe duke pasur parasysh edhe rritjen në katër vitet e ardhshme), duke shpjeguar çdo detaj të shpenzimeve deri në qindarkën e fundit.

Por jo kjo nuk ka për të ndodhur , sepse nuk është përmbushur ende kushti i parë, kushti i kostos ndaj premtimeve të pambajtura.
                                                                                                                                           Marka X

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *