Fituam protestën

Mediat buçasin me lajme. Ka të vërteta aty midis, por ka edhe plot informacione qesharake. Ka opinione ekspertësh, ambientalistësh, gjeostrategësh, diplomatësh, por edhe paçavure personazhesh të zbuluara te “Zonë e Lirë” (ma do mendja edhe Lek Plepi do e ketë thënë të tijën).

Në rrjetet sociale, FB, Twitter etj. nuk flitet për gjë tjetër. Ka një sensibilizim mbarëkombëtar, brenda dhe jashtë kufijve, pa dallim moshe, pa dallim bindjeje politike.

Dy faktorë e bashkojnë protestën dhe protestuesit.  “JO armëve kimike të Asadit në Shqipëri” dhe mungesa e theksuar e informacionit. JO-ja nuk ka nevojë për shumë shpjegime. JO-ja është fisnike, JO-ja është e drejta e popullit përballë pushtetit.

Por është mungesa e informacionit ajo që e bën edhe më të njehsuar protestën. Mbase armët kimike të Assadit nuk do të vijnë kurrë në Shqipëri, ndoshta do të vijnë vetëm pak tonë, ose siç trumbetohet  një mijë tonë andej, 1200, 1300, 1500 dhe së fundmi 1600, ndoshta thjeshtë do të stacionojnë në Shqipëri për t’u demontuar diku tjetër, ndoshta nuk do të na zgjedhin kurrë, ndoshta do të na zgjedhin por qeveria nuk do të pranojë. Mbase edhe po pranoi qeveria, nuk do të pranojë parlamenti. Po sikur të zgjidhemi, të pranojmë dhe të kenë të drejtë kimistët, pra demontimi të mos jetë i rrezikshëm? Po sikur pastaj ta kenë gabim dhe të ndodhi një Gërdec i dytë? Më keq akoma një Hiroshimë shqiptare?!

Te protestuesit më të flaktë, te ata që dalin në shesh, është një grup i cili e kundërshton politikisht aktin e pranimit të armëve kimike të Assadit në tokën shqiptare. Këta janë më të motivuarit dhe me argumentet më bindëse. Unë e mbështes këtë rrymë të protestës – Ne nuk jemi vasalë të askujt!
Ka edhe të gjelbër mes protestuesve. Çuditërisht nuk janë shumë, por edhe ata kanë argumente të pranueshëm edhe pse jo shumë të qarta. Ka sigurisht njerëz që nuk dolën kurrë në shesh për padrejtësitë e shumta që ka pësuar populli por edhe ata janë të pranueshëm. Sepse ka gjithmonë një herë të parë në jetë. Ata që s’duhen pranuar janë ata që duan të fitojnë kapital politik, por këta janë aq pak e të papërfillshëm saqë janë vetë “demontuar” në vazhdën e protestave.

Më shqetëson, dhe jo pak, që protestën e mbush një grup tjetër mjaft i madh, ai i qytetarëve të tmerruar. Të frikësuar protestojnë për të ardhmen e tyre, të familjeve të tyre, të atdheut. Në këtë panik të justifikuar qytetar kanë dhënë kontribut edhe mediat, sigurisht, me diletantizmin e tyre, por peshën e luanit e luan Qeveria me qëndrimin e saj të pavendosur. Kjo qeveri mund t’i thotë PO armëve kimike të Assad-it dhe le të përballet me tërbimin e popullit po të ketë guxim, por shoh që ka zgjedhur të përballet me pjesën më të painformuar dhe të trembur të shoqërisë civile. Ose le të thotë JO, edhe pa u bërë ende apeli, dhe të qetësojë kështu shpirtrat e trazuar të atyre që imagjinojnë skenarë apokaliptikë…

E sigurt është që me këtë protestë treguam që jemi qytetarë të mirë të shtëpisë tonë. Çfarë ndodh jashtë bahçes ama, nuk na përket. I keni parë sa mjerane i kemi ambjentet e përbashkëta ku jetojmë?! Po shtëpitë tona sa të pastra janë brenda, sa stonojnë ato me gjithë sa na rrethon?!
Kështu, jemi ne ata që jemi kundër Diktatorit Assad, jemi kundër masakrimit të popullit sirian me armë kimike, jemi kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane apo të NATO-s në Siri, dhe jemi kundër demontimit të armëve kimike në Shqipëri, kundër stacionimit qoftë edhe të një pjese të tyre në Shqipëri… Nuk na intereson nëse i merr Jordania p.sh. (Kur ishim të vegjël luanim “le ti bjerë kujt t’i bjerë, vetes time mos t’i bjerë”, dhe lëshonim një bullon me barut shkrepëseje në ajër)…

Këto janë ditë protestash. Unë solidarizohem me çdo protestë. Unë hidhërohem kur nuk ka protesta. Frika e kishte mbytur protestën pas shtypjes me armë në 21 Janar. Nuk do të kisha dashur kurrë që protestën ta ringjallte po frika (siç po ndodh), por guximi dhe qëndrimi politik qytetar. E megjithatë, nga frika qoftë apo nga guximi, sot, fituam protestën që diku në zemrat tona e kishim humbur.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *