Fetishizimi i mallrave (Pjesa e I)

Në radhë të parë, tregu dhe konkurrenca në përgjithësi paraqesin avantazhe në krahasim me ekonomitë e drejtuara në mënyrë të centralizuar dhe me ekonomitë tradicionale. Nuk është e thënë që këto avantazhe të jenë të përjetshme dhe ndosha kemi mbërritur në stade të tilla zhvillimi ku aspektet negative kanë filluar të jenë më të shumta se avantazhet… Megjithatë, avantazhet shpjegojnë pjesërisht aderimin e individëve në formën shoqërore të jetesës aktuale edhe pse mjaft anksiogjene.

Në radhë të dytë, bota e mallrave është në fakt një botë tërësisht fetare dhe gjen burimin e forcës së saj në të njëjtat arsye mbi të cilat bazohet dhe feja. Këtu duhet t’i referohemi teorisë së fetishizmit të mallrave, për herë të parë të cituar në Kapitalin e Marksit. Sipas tij “Malli është diçka komplekse, e tejmbushur me hollësi metafizike dhe teologjike”. Në formën e vlerës së përdorimit, malli është i dënuar të plotësojë nevojat e njerëzve dhe në këtë kuptim ai nuk është misterioz. Nuk përmban asnjë mister edhe nëse do të kemi parasysh se malli konsiderohet si produkt i punës së njeriut. Problemi qëndron diku tjetër. Mallrat janë të tilla vetëm sepse janë produkte të punës së njeriut dhe i këmbejmë në treg sipas rregullit të barazisë së vlerave: një sasi x e një malli A këmbehet me një sasi y të një malli B. dhe këtu ndodh dhe metamorfoza e konceptit të mallit.

Në këtë moment, mallrat fitojnë një aspekt social që Marksi e përkufizon si sende që kanë kuptim ose jo. Nëse ato kanë kuptim, mallrat do të jenë mallra fizike. Por mallrat në kuptimin fizik nuk na jepen automatikisht. Është tërheqja subjektive e nervit optik, ose shqisave në përgjithësi, që na e paraqet si formën e ndjeshme të diçkaje jashtë syrit tonë. Thënë ndryshe, transforimi nga diçka subjective në një send që duket objektivisht përbën thelbin vet të njohjes; jemi të dënuar të konceptojmë përshtypjen subjektive si një paraqitje e diçkaje objektive, por nuk mund të kemi akses të drejtpërdrejtë me sendin pasi ai jeton jashtë nesh. Megjithatë, ky koncept vlen vetëm për sendet fizike por jo kur mallrat i konceptojmë në kuptimin social, pasi “forma e vlerës dhe raporti i vlerës së produkteve të punës  nuk kanë asnjë lidhje me formën e tyre fizike.”

Nëse “forma vlerë” nuk ka të bëjë me formën fizike të mallrave, ajo nuk do të jetë rrjedhimisht një send i prekshëm, i perceptueshëm nga shqisat, siç janë sendet që i përkasin botës jashtë ndërgjegjes. Forma vlerë gjendet tërësisht brenda veprimtarisë së ndërgjegjes njerëzore dhe nuk është aspak një realitet material. Analiza e formës vlerë nuk është një analizë e një procesi objektiv, e një procesi që do të ishte pavarësisht nesh si për shembull lëvizja e planeteve. Por është analiza e një procesi sipas të cilit sendi që varet nga ne, i cili është produkti i veprimtarisë së kombinuar të shumë individëve, një send që nuk është tjetër veçse manifestimi i jashtëm i një fuqie subjektive ose personale e prodhuesit , konceptohet si një process po aq i pavarur sa dhe lëvizja e planeteve. Por, ky lloj transformimi i pushtetit të shpirtit njerëzor në një fuqi imagjinare që i imponohet shoqërisë në tërësi është tejet i ngjashëm, për të mos thënë tërësisht, me “alienimin fetar”.

(Marrë nga libri i filozofit Denis Colin “Makthi i Marksit” – A është kapitalizmi një histori pafund?)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *