Far West-i i Saliut

Ligji aktual shqiptar mbi shtetësinë lejon që çdo person që ka të paktën një prej prindërve shqiptar është automatikisht shqiptar.  Mirëpo institucionet përgjegjëse në lidhje me shtetësinë nuk ua japin këtyre personave shtetësinë automatikisht (bëhet fjalë kryesisht për bijtë e të emigruarve të shumtë në Shqipëri, që shquhen për një patriotizëm të rrallë) duke nxjerrë arsye që vetëm pjellat toptaniste të regjimit të sotëm mund të mbrojnë: s’ka vendim qeverie që të zbatojë ligjin.  Dhe si pasojë, një gjë të natyrshme që ua jep Kushtetuta jonë dhe ligji ynë për shtetësinë, ata nuk e përfitojnë dot pa ndjekur procedurat e natyralizimit.  Pra, sipas funksionarëve tanë të ndritur të rendit, shtetasit e huaj që kanë të paktën një prind shqiptar duhet të plotësojnë etapat për marrjen e shtetësisë sikur të mos kishin asnjë lidhje me Shqipërinë.  Se shkelet Kushtetuta, dukshëm atyre nuk ua bën syri tërr.

Dje Saliu në fakt e preku këtë problem.  Për mendimin tonë, shumë vonë.  Por përveç këtij problemi hodhi dhe shashkën e radhës, atë të marrjes së shtetësisë me kusht që të investohet më shumë se 100,000 Euro.  E kuptojmë që Saliut nuk i bëhet vonë për Shqipërinë dhe nami që mund t’i dalë si strehuese e kriminelëve të të gjithë llojeve, kriminelë që kanë në llogaritë e tyre të paktën 100,000 Euro për t’i investuar. Por a i bëhet vone për Evropën, e cila rrezikohet si asnjëherë nga futja në territorin e saj të njerëzve të dyshimtë që kanë marrë shtetësinë shqiptare në bazë të kësaj reforme të radhës dhe në bazë të marrëveshjes së liberalizimit të vizave?  Natyrisht që jo.  As për këtë nuk i bëhet vonë.  Por nuk ka gjë.  Kështu është ai.  Do të iki së shpejti, ja dhe një vit, thonë dhe më optimistët ndër ne, të cilët kanë aftësinë e çuditshme të harrojnë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri këto vitet fundit.  Si gjithmonë, shpresa vdes e fundit…

Viroi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *