Fallxhorja e Petrushës

Ajo cka e bën të besueshme fallxhoren dhe të rrahur nga këmba e njeriut fshatin e saj, nuk është vetëm leximi i të shkuarës që u rrënqeth mishin “klientëve”, as parashikimi i të ardhmes që sipas dëshmive përkon me të vërtetën e pashmangshme dhe as ftohtësia me të cilën nxjerr të ardhmen, të bardhe apo të zezë pa dallim; më të besueshme pra tek njeriu i thjeshtë, Fallxhoren e Petrushës e bën taksa, ose më mirë mungesa e një takse për shërbimin e saj. Të shumtë janë ata që paguajnë çfarë t’iu ndjente zemra, por po aq të shumtë janë edhe ata që largohen të zbardhur në fytyrë, pa lënë asnjë lek mbi tavolinën e gruas së veshur me të zeza.
Në fillimin e viteve ’90, një vajzë e re në moshë, e cila është edhe burimi i kësaj historie dhe me të cilën më lidh një miqësi e vjetër, e vizitoi për herë të parë fallxhoren, e shtyrë më tepër nga kurioziteti. Vajza e cila në atë periudhë po planifikonte të martohej e të krijonte familje jo vetëm shtangu nga habia e madhe se si një fallxhore mund të zbulonte vërtetë të shkuarën e saj, me një lexim filxhani, por filloi të besonte cdo parashikim mbi të ardhmen. Edhe pse banonte asokohe në Burrel, ajo filloi të vizitonte rregullisht fshatin e largët e të humbur duke krijuar miqësi me fallxhoren e cila për disa vjet i kishte parashikuar vec të mira, por duke e paralajmëruar që gjërat ndryshojnë në këtë botë, edhe parashikimet e saj mund të ndryshonin nëse një dashakeq ndërhynte, për shembull nëpërmjet një magjie.
Në dimrin e 1997-ës pas një udhëtimi në Vithkuq ku merrte pjese në një ekspeditë me arkeologë të huaj, vajza, tashmë grua, vendos të ndalojë në Petrushë për të takuar miken e saj edhe pse nuk kishte asgjë për t’i pyetur. Do të kishte mundësinë që një fenomen të tillë folklorik të vendit tonë t’ua tregonte kolegëve të saj të huaj (rreth njëzet vetë). Por kjo ditë do të mbetej e ngulitur mirë në mendjen e arkeologes së re, duke mos u fshirë kurrë më nga kujtesa e saj, duke iu kthyer madje herë pas here në mendje, në formë makthesh. Fallxhorja nga Petrusha i tregoi se si fëmijët e saj do të mbeteshin pa shtëpi dhe ajo vetë do të rrënohej ekonomikisht si pasojë e trazirave që po afronin, parashikoi gjithashtu largimin e ngutshëm të të huajve që e shoqëronin, nën tmerrin e asaj që do të ishte periudha e anarkisë në Shqipëri…
Më pas do të zbuloja se Falxhorja e Petrushës, e cila vazhdon aktivitetin e saj edhe pse nuk e ka takuar më arkeologen, është e aftë të parashikojë edhe të ardhmen e një popullsie të madhe nëse shkojnë të paktën pesëmbëdhjetë individë së bashku, që kërkojnë shërbimin e saj.
Nisur nga kjo histori një grup të rinjsh menduan të niseshin drejt Petrushës me qëllim që të njohin të ardhmen e vendit të tyre i cili ka mbetur i fundit ndër vendet e kontinentit, përsa i përket reformave dhe rrezikon të humbasë edhe trenin e fundit që të con drejt BE-së. Donin të niseshin e të merrnin vesh edhe të ardhmen e qeverisë së tyre. Situata e tensionuar politike i ka bërë të rinjtë të mendojnë se duke mësuar të ardhmen përpara se kjo të vijë, do të jenë të aftë së paku në përgatitjen shpirtërore.
Paralelizmi me situatën e ’97-ës është i gabuar por personat që qeverisin janë të njëjtët dhe zgjedhjet të kontestuara. Vërtetë historia nuk përsëritet dy herë dhe nëse ndodh, herën e dytë na shfaqet si kopje e shëmtuar e të parës, por ankthi i të rinjve është i kuptueshëm. Si përfundim këta të rinj nuk do të shkojnë në Petrushë. Frika nga oguret e errta të fallxhores është më e madhe se kurioziteti për të njohur të ardhmen.
Por ajo çka vërtetë është shqetësuese është dorëzimi i tyre përballë fatit, a thua se në këtë vend nuk mund të jesh kurrë zot i të ardhmes tënde. Është shqetësuese që të rinjtë nuk merren me politikë, që ata pak të cilët janë të interesuar mbi fatin e vendit, e si pasojë për fatin e tyre, nuk arrijnë as ta imagjinojnë fuqinë që mund të kenë. Në krijimin e mendësisë së tyre të plogësht ka ndikuar pa më të voglin dyshim qeverisja e këtyre viteve të fundit që asgjë nuk ka të ndryshme nga ajo që ndrydhi disa breza me rradhë gjatë diktaturës komuniste. Edhe kthimi i syve nga ndërkombëtarët sa herë që gjerat shkojnë keq është pjesë e kësaj mendësie të lodhur fallxhorësh, sipas të cilës fatet tona varen nga fuqi të mbinatyrshme, të pakapshme ose që së paku nuk mund të marrin drejtimin që ne dëshirojmë. “Mungesë vullneti dhe këputje e shpresës”, ky është sindromi nga i cili duhet të shërojme Rininë tonë përpara se kjo sëmundje kronike, që shkaktohet nga arroganca dhe abuziviteti i pushtetarëve, ta nxjerri plotësisht jashtë loje të ardhmen e saj, që është Shteti i së Drejtës.

 

                                                                                                                                                  Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *