Fali Zot, se nuk dinë ç’amnistojnë

Dhe për këtë arsye, duke u nisur nga “parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik”, siç thotë vetë Ligji për Amnistinë, është parë e arsyeshme që disa prej të dënuarëve për krime të lehta dhe që kanë dhënë prova se dënimi ka kryer funksionin e tij primar, atë social dhe edukativ, të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit të mbetur.

Mirëpo, “parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik” do të diktonin në radhë të parë drejtësinë. Drejtësinë për viktimat, drejtësinë për viktimat e ardhshme, drejtësinë për ata që kanë humbur shpresat se ajo mund të rilindë ndonjëherë në këtë vend. 

Dhe ja ku jemi. Këto parime shërbyen për të varrosur drejtësinë sërish, nëpërmjet një akti ligjor, skuth, tinëzar, një thikë pas shpine e planifikuar me kohë, pasi për të vetmen figurë penale ku mund të shpresohej se Mediu mund të merrte ndonjë dënim (rikujtojmë se plagosja e rëndë e kryer nga pakujdesia dënohet vetëm një vit…), u shfaq krejt papritur amnistia. U shfaq sepse i erdhi koha, u shfaq sepse me një paragraf të shkruar kot nga fundi, si pa gjë të keq përfiton dhe Mediu, u shfaq se nuk funksionon drejtësia, pasi nga shtyrja në shtyrje të seancave, erdhi koha e amnistisë.

Fuqia hyjnore e monarkut u shfaq e mishëruar në një ligj. Ligji shpreh mendimin e sovranit popull. Por ka raste kur Ligji shpreh mendimin e sovranit që i ka shkëputur lidhjet me popullin. Në emër të humanizmit, çhumanizon njeriun, përçudnon drejtësinë por shpëton sojin e vet, sojin e kurdogjendur të lakmitarëve për pushtet dhe para.

Viroi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *