Fabula me Kryeministër

Do të thosha që më së shumti e kam parë te votuesi i ri në moshë, por jo domosdoshmërisht, kryesisht i zonave urbane dhe në pjesën dërrmuese me arsim të lartë. Te këta votues shoh objektivitet mendimi, pjekuri  politike, ide liberale dhe botëkuptim perëndimor, sidomos gjatë periudhës midis dy zgjedhjeve (kujdes!). Te këta të rinj shoh neveri ndaj të vjetrës dhe intolerancë ndaj mbeturinave të sistemit të kaluar, mbeturina të cilat shfaqen fuqishëm në lidershipin aktual të vendit. Shoh mbi të gjitha mos identifikimin e tyre me atë çka shfaqet në TV e serviret nëpër gazeta çdo ditë. Një neveri për atë çka thuhet dhe mënyra si thuhet, ndaj asaj çka bëhet dhe mënyra si bëhen gjërat, më konkretisht neveri nga  klasa politike por kryesisht nga figura e Kryeministrit. Nëse shohin veten në pasqyrë këta të rinj kurrsesi nuk do të gjejnë një shëmbëlltyrë që ti afrohet sado pak Kryeministrit Berisha.

Pra fenomeni X, i cili duhet thënë se është masiv edhe pse në dukje selektiv, i përket qytetarëve shqiptarë me këto pikëpamje e këto karakteristika por edhe me një veçori tjetër që do mundohem ta sqaroj me sa më pak fjalë. 

Tani, mbase po e ekzagjeroj, por jam i bindur që them një të vërtetë shkencore nëse përjashtoj nga ky fenomen edhe votuesit e majtë të Republikës së Shqipërisë. Këta në pjesën dërrmuese, krenohen me bindjet e tyre politike, dhe hapur, e deklarojnë simpatinë për liderin aktual të opozitës, paçka se vota duhet të jetë e fshehtë dhe deklarimi publik i saj nuk është motiv krenarie. Meqë dua të jem sa më i saktë nuk po i kategorizoj si të djathtë votuesit tek të cilët kam vënë re këtë fenomen (në Shqipëri ka shumë konfuzion mbi kahun politik të cilit i përkasin partitë), por po i kategorizoj si votues të Partisë Demokratike. Tani, e di që po e stërholloj shumë përshkrimin por dua ti vë pikat aty ku duhet. Po shtoj që mbase nuk janë as thjeshtë votues të PD-së por janë votues të Sali Berishës dhe e them këtë me bindje, se kam përshtypjen që nuk do të kishim Fenomen X pa fenomenin Berisha.

Domethënë fenomeni X përbëhet nga ajo pjesë e rinisë, që jeton në qytet, ka një formim të lartë, ide liberale, botëkuptim perëndimor, mban qëndrim kritik ndaj bastardimit politik në vend, ka neveri për regjimin Enverist dhe gjithë dishepujt e tij, përfshirë edhe kryeministrin aktual.  Kjo pjesë e shoqërisë gjithashtu nuk pranon të identifikohet me metodat feudale, të tipit: fyej, përça, vrit e sundo të Kryeministrit dhe njerëzve të tij por, dhe ketu qëndron e veçanta, një herë në dy vjet, sa herë afrohen zgjedhjet, këta rreshtohen, në rresht për një dhe votojnë totalitaristin e fundit të Evropës.

I kërkoj ndjesë votuesit të bindur të Zotit Kryeministër nëse gabimisht u ndje i prekur nga sa më sipër. Dua të sqaroj që ky shkrim nuk ka në shënjestër votuesin e bindur, votuesin e deklaruar të djathtë. Aspak… Këta të fundit mund të votojnë e të zënë be për bacën e tyre. Asgjë nuk më habit nga kjo besëtytni.  Fenomeni komik X nuk ka të bëjë fare me bestytninë e tyre. Aq më pak me liderin e tyre shpirtëror. Fenomeni masiv X shfaqet përkundrazi te ata që e kryqëzojnë për 2 vjet rresht Kryeministrin, nga zgjedhjet e përgjithshme te ato për pushtetin vendor dhe anasjelltas; nuk ndjehen të përfaqësuar prej tij, madje edhe turpërohen për njeriun që përfaqëson këtë vend e që rrjedhimisht përfaqëson edhe vetë ata. Në 730 ditët që ndajnë afërsisht zgjedhjet nga njëra tjetra, nuk mund të gjesh opozitarë më të paepur se fenomenalët X. Problemi i madh me këta dhe me koherencën e tyre qëndron vetëm në një ditë çdo 2 vjet. Vetëm një në 730. Ditë kur ata rreshtohen, e duke u betuar kush për Kryq e kush për Mekë, X-in e shënojnë te fleta e votimit përkrah emrit Sali Berisha.

Vota është e shenjtë dhe vota është e lirë. Të paktën derisa shkon në dorë të Ristanëve të radhës dhe të liderit të përhershëm. Ndaj dhe ky shkrim nuk ka për qëllim të jetë një sulm ndaj votës së askujt. Por veshët tanë janë lodhur duke dëgjuar moralistë dhe pishtarë të së drejtës. Nëse akti më i rëndësishëm i pjesëmarrjes së tyre në jetën politike të vendit, vota, bie rigorozisht ndesh me llomotitjet në formë predikimi që bëjnë jashtë qendrave të votimit, me përulje dhe njëkohësisht insistim do t’iu kërkoja të votonin ashtu siç kanë bërë deri më sot, duke shfrytëzuar më pas mundësinë që iu jepet, të heshtin me dinjitet. 

Dikur indinjohesha përballë mendjelehtësisë dhe papërgjegjshmërisë së fenomenalëve X, sot ironizoj dhe buzëqesh përballë këtyre komedianëve, por në vetvete uroj që Berisha të qëndrojë aq gjatë në pushtet sa rrota e pushtetit të tij të rrokulliset edhe mbi kokat e tyre. Qartësisht një urim nën zë dhe jo seriozisht sepse egoizmi më shtyn që në radhë të parë të mendoj për veten dhe të ardhmen e vendit tim.

Onufri

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *