Evropa si alibi e babëzizë për plehra

Shqipëria pati fatin unikal që t’i refuzohej hyrja në BE dy herë, por kjo nuk e bën atë të jetë larg Evropës, sepse si vizionarë që janë, shtetet evropiane u kanë bërë thirrje me kohë vendeve si ky i yni që të zbatojnë ligje evropiane, në mënyrë që të lehtësohet hyrja në një kohë të dytë BE. Në këtë kuadër, duhet vendosur dhe transpozimi (edhe pse fjala në rastin e Shqipërisë nuk është i saktë) i Direktivës kuadër të 2008 në lidhje me menaxhimin e mbetjeve.
Shumë po flitet në lidhje me këtë ligj transpozues, po ama shumë pak po informohet. Shoqëria civile po përpiqet të ndërtojë mbrojtjen dhe duhet inkurajuar, ndërsa Qeveria po shmang çdo lloj informacioni në lidhje me këtë ligj duke u fshehur prapa gogolit evropian ose prapa broçkullave të lirisë së qarkullimit të mallrave. E para është fakt, e dyta është e diktuar nga marrëdhëniet ekonomike tashmë të padiskutueshme po nëse e para pranohet në parim, e dyta funksionon në bazë të disa rregullave pa të cilat njerëzit do ishin kthyer në skllevër ose kafshë, të dyja në kuptimin e parë të fjalës.
Në lidhje me direktivën e famshme për menaxhimin e mbetjeve, rregullat bazë janë parimi i ndotësit-pagues, i përgjegjësisë së prodhuesit përgjatë gjithë zinxhirit të transportit dhe parimi i afërsisë dhe autosufiçencës (ose menaxhimi i mbetjeve sa më afër vendit të prodhimit).

Vetëm duke lexuar dy të parat e kupton se sa problem do të jetë zbatimi i këtij ligji në Shqipëri. Nëse Erzeni do të kthehet në një rrënojë arkeologjike, nëse malet ku ka kaluar ethshëm Skënderbeu mbi kalë do rrafshohen me tokën pasi t’u jetë nxjerrë dhe grushti i fundit i gëlqeres, nëse të gjitha stalagmitet dhe stalagtitet e Shqipërisë do të kenë zbukuruar mejhanen e shëmtuar të ndonjë kryekomunari nëpër Shqipëri, atëherë do të jetë tepër vonë për të kapur për veshi ndotësin dhe për ta detyruar të paguajë, akoma më keq kur mbrohet nga Qeveria. Që këtu mund ta quajmë debatin të mbyllur dhe të arrijmë në konkluzionin se nuk mund të ketë tanspozime parimesh të bukura në Shqipëri me këto palo mekanizma që kemi.
Por për hir të debatit dhe të sqarimit në lidhje me importimin e plehrave duhet të themi dy fjalë në lidhje me pikën e tretë, domethënë me parimin e afërsisë së menaxhimit. Frika se mund të bëhemi të mërzitshëm nuk duhet të na ndalojë se cituari nenin 16 të direktivës që flet pikërisht për këtë parim: “Vendet anëtare ndërmarrin mjetet e nevojshme që, me ndihëm e vendeve të tjera anëtare kur del e nevojshme, të vendosin një rrjet të integruar dhe të përshtatshëm eliminimi të mbetjeve. Vendet anëtare mund të kufizojnë importin e mbetjeve kur ky import rezulton në eliminimin e mbetjeve kombëtare (përdoret fjala eliminim dhe jo djegie) ose nëse këto mbetje duhet të trajtohen jo sipas planit kombëtar të menaxhimit. Rrjeti konceptohet në mënyrë të tillë që t’i lejojë Bashkësisë të sigurojë vet eliminimin e mbetjeve të saj dhe të lejojë vendet anëtare që të shkojnë individualisht drejt këtij qëllimi duke marrë në konsideratë kushtet gjeografike ose të instalimeve të spacializuara për disa lloje mbetjesh.”

Përkthimi i shkurtuar kishte si qëllim të nxirte thelbin e këtij neni. Duket qartë se në radhë të parë ky nen është objekt i një interpetimi të gjerë. Nëse e interpreton si Artan Hoxha, që ka hallin e prodhuesit më shumë se të konsumatorit, ky nen shikohet si shpërthimi përfundimtar i çdo lloj kufiri në favor të tregut dhe kësisoj plehrave, me qëllim babëzinë e prodhuesve dhe indirekt ndonjë përmirësim i momentit i jetës ekonomike të shqiptarëve. Sipas vizionit të tij të zhvillimit industrial shqiptar me hope të shpejta si në kohën e Enverit, Shqipëria shumë shpejt do të ketë nevojë për përdorimin e saj të brendshëm më shumë plehra për të ricikluar se ç’mund të prodhojë… Ne edhe mund ta urojmë këtë vizion optimist të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, por ne nuk jemi në gjendje ta vërtetojmë edhe pse diçka na thotë që ky është argumenti i gjetur aty për aty për të mbrojtur për të disatën herë Qeverinë në lajthitjet e saj.
Po nëse e interpreton sipas parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, të autosufiçencës, të respektit të natyrës dhe të një plani ekonomik të qartë që do të udhëhiqte politikat në Shqipëri, do t’i përafroheshim më shumë interpetimit që bën Kodi francez i Mjedisit, i cili në lidhje me trajtimin e mbetjeve parashikon kushtet në të cilat pushtetet vendore mund të kërkojnë, përjashtimisht, kapacitete djegieje ose magazinimi jashtë departamentit në rast të tejngopjes së kapaciteteve të tyre trajtuese. Që do të thotë se një vend si Franca nuk tenton të nxjerrë mbetjet si zgjidhje përfundimtare të trajtimit të tyre, por vendos një kufi në bazë të parimit të afërsisë, pikërisht sepse vetëm kështu mbrohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe vetëm kështu mund të “kënaqet” tregu me mbetjet e recikluara. E njëjta gjë duhet të vlejë dhe për Italinë. Besojmë se ajo ka kapacitete djegieje dhe recikluese më të mëdha se tonat, megjithatë i hedh sytë nga ne. Nuk kemi pse t’i bëjmë një proçes strategjive italiane. Këtu vlen të kritikojmë gatishmërinë e qeverive tona si majtas ashtu dhe djathtas për t’i hapur rrugë importit ndërkohë që nuk ka asnjë masë kontrolli, nuk ka asnjë plan aktual për trajtimin e mbetjeve tona dhe nuk e dimë në ç’nivel është ndotja aktuale e mjedisit me atë lloj menaxhimi që i bëjmë tani mbetjeve.

Shumë mbrojtës të Qeverisë thonë se nëse nuk pranohet importi nuk do të bëhen as investimet për pajisjen me fabrika recikluese sipas standardeve evropiane. Ky është një argument që e thurrin ata që Shtetin e shikojnë si gjë që s’funksionon kur e shikojnë se duhet investuar për të. Dhe këtu heqin dorë fare nga investimi për Shtetin dhe për të mirën e kombit, në favor të zgjidhjeve të shëmtuara kolonizuese. Kapacitetet për të ndërtuar fabrika reciklimi nuk i kemi, po ama nëse bëhet investimi i duhur më këtë drejtim do të pajisemi me to. Dhe këtu, kur Shqipëria të jetë bërë një recikluese model të mbetjeve dhe kur Shqipëria të ketë nevojë të ngutshme për letër, pasi të gjithë do të jenë bërë shkrimtarë, poetë, prozatorë, atëherë,duke shfrytëzuar direktivën, mund të hapnim rrugën e importimit të mbetjeve nga vendet fqinje.

Puna është se nuk duam dhe e lëmë veten të kushtëzohemi nga të huajt: bëni këtë, që të keni atë. Në çdo negociatë ka kushte, po dorëzimi pa kushte nuk është negociatë, është kapitullim. Dhe Shteti ynë po kapitullon. Bashkë me të dhe shpresat për një të ardhme më të mirë, në një mjedis të pranueshëm për ne dhe për ata fëmijë udhëheqësish aktualë që nuk do të largohen jashtë vendit.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *