Ëndrra marksiste e Kryeministrit

Sot, ndoshta duhet thënë më në fund, PS-ja ka paraqitur një përmbledhje programi rreth 92 faqe të bazuar në 4 shtylla. Te shtylla e rimëkëmbjes ekonomike zë një vend të rëndësishëm rivendosja e taksës progresive, sipas të cilës, taksa (në fakt duhet thënë tatim, për të qënë në harmoni me terminologjinë ligjore) do të jetë më e lartë për të ardhurat më të larta, sipas një raporti progresiv. Kështu, pesha e tatimit që do të paguajë një person që merr të ardhura më të larta do të jetë më e konsiderueshme se tatimi paguan një person me të ardhura modeste.

Tatimi progresiv nuk është një shpikje e PS-së, por zbatimi për 5 vjet i tatimit të sheshtë në Shqipëri, sikur e bën rikthimin e saj në debatin politik si një prurje inteligjente me anë të të cilës PS-ja do i thyejë të gjithë kundërshtarët në mes. Ndoshta mund të jetë një formulë që do e afrojë popullin më shumë me PS-në, por ajo është një formulë ekzistuese dhe me thënë të vërtetën e zbatueshme dhe nga shtete që në krye kanë qeveri liberale.

Ky tatim nuk ka asgjë marksiste në vetvete. Është një metodë për të ndërgjegjësuar të pasurit që duhet të bëjnë një minimum lëshimesh nëse nuk do ndonjë revoltë t’i vijë prapa qafe krejt papritur dhe e bën modestin të ndihet se paska një drejtësi në këtë tokë.

Dhe me përdorimin e mbiemrit marksist, i referohemi kritikave të të kundondodhurit Sali që në mungesë të dëshirës për të debatuar për gjëra reale ose në mungesë të njohurive të mjaftueshme në atë fushë, i fut një marksist majtas e një marksist djathtas dhe mbetet konsekuent në linjën e tij të ashpër anti komuniste. Realiteti, natyrisht, është krejt tjetër. Siç e thamë kjo taksë nuk ka asgjë marksiste. Dhe nuk ka si të jetë se tatimi mbi fitimet ndodh në një mjedis ku si përkufizim nuk është marksist, pasi vendet marksiste nuk e kishin këtë lloj tatimi… Në fakt, ajo që të habit më shumë është përdorimi i këtij emir nga Saliu, që para disa muajsh çoi në Parlament një projekt-ligj që kishte si synim të tatonte subjektet mbi fitimin.

Ky projekt-ligj, pa hyrë në detaje, rivendoste parimin e tatimit progresiv mbi fitimin. Ideja e projekt-ligjit ishte që të tatonte subjektet e mëdha (kryesisht operatorët celularë) të cilët sigurojnë fitime të konsiderueshme. Mirëpo, për të evituar emërimin e tyre, pasi kjo do të ishte një diskriminim i hapur kunderjt një biznesi ndaj një tjetri thjesht dhe vetëm për shkak të aktivitetit, Qeveria gjeti një formulë “skuthe” për të tatuar ata që fitojnë më shumë në bazë të një llogaritjeje progressive të fitimit. Pra, sa më shumë fitonte një biznes, aq më shumë do të paguante tatim mbi fitimin.

Sistemi i përgatitur nga inxhinierët financiarë të Ministrisë së Financave synonte në fakt ata që bënin fitime shumë të mëdha, pavarësisht aktivitetit. Pas sensibilizimit nga ana e tyre dhe pas presioneve të forta ky projekt-ligj u harrua. Në thelb, ai nuk ishte i keq. Por për të mbushur arkat bosh të shtetit, Qeveria liberale u detyrua të vishte për ca çaste kostumin e “marksistit”, atë kostum që sot Saliu ia vesh të tjerëve.

Në fakt, përdorimi i tepërt i termit marksist për të anatemuar të tjerët bëhet edhe për të mbrojtur politikën fiskale të Qeverisë duke filluar nga 2005 që në fakt edhe pse nuk jemi specialistë fushës, shikojmë se po vijon të shkojë drejt një degradimi të plotë. Dhe kjo jo vetëm prej korrupsionit dhe paaftësisë menaxhuese të sektorit tatimor por edhe për shkak të përjetësimit të tatimit të sheshtë. Kur erdhi në fuqi PD-ja, tatimi i sheshtë u pa si një mënyrë për të ndihmuar bizneset që të ngrejnë kokë, pra ishte një mjet kalimtar që nuk do të zgjaste shumë dhe që do të shërbentë të rimëkëmbte ekonominë. Kjo e fundit as nuk është rimëkëmbur dhe as nuk po jep shenja se ndonjë ditë mund ta marrë vetën nga krizat financiare botërore të njëpasnjëshme dhe mbetet e kapur peng nga zbatimi i një politike fiskale kalimtare.

Tatimi progresiv ka të mirën e ndërgjegjësimit të atyre që fitojnë më shumë, se liria që ata shfrytëzuan për të krijuar pasuri, mirëqënie, por edhe vende pune dhe rritje ekonomike, nuk mund të mos ndiqet nga një përgjegjësi që buron nga vet ajo. Nuk mund të shfrytëzojnë të mira materiale dhe krahë pune pa u ndërgjegjësuar se fitimet nuk i kanë krijuar vetëm në saj të nuhatjes së tyre por edhe për shkak të punës së të tjerëve të cilët, nëse zbatohet tatimi i sheshtë, e shikojnë veten të trajtuar nga shteti në të njëjtën mënyrë siç trajton të pasurit. Në këtë kuptim, tatimi progresiv është një nga mjetet që mund të tentojë të sjellë një drejtësi sociale si dhe t’i japë kuptimit e vërtetë lirisë. Por është shumë t’i kërkosh njeriut me karrige më të madhe se të tjerët, në tavolinën ovale të Qeverisë, një analizë të tillë.

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *