Fevzo, i cili ka alergji nga pantallonat e kostumet e dokut të periudhës së socializmit dhe për konsekuencë nuk e nis ditën pa marrë dozën e tij fashistinante duke parë çdo mëngjes dokumentarin e Institutit Luce mbi ceremoninë e martesës së Mbretit Zog, vendosi t’i shtoje librit të tij të fundit, ‘Kur ndërtohej Shqipëria Dixhitale’, një kapitull paksa kundërthënës, mbi materialin e asfaltit. Henri, krejt moskokëçarës, ish përhumbur duke përpunuar tezën e tij të të mirave që vijnë nga kriza. Magazina Popullore (Mapo) duhet të ngjajë përherë plot edhe kur nuk është, si Shqipëria e vetë Kryemjeshtrit Sali.
Lavdi Veprës Sali-Lule-Like!
Rroftë Shqipëria e Bollëkut, ku numërohet çdo votë !
Ishte koha kur…
Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë , shoku Ramiz Alia, që shquhej nga një ndrojtje prej një mikroborgjezi finok e të përkorë , kish lëshuar një deklaratë që të habiste në një Plenium Partie. “Edhe bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim!” Me pak fjalë , regjimi i bënte rezistencë ndryshimit, e kërkonte të fshihte kalbëzimin e tij. Socializmi do ndërtohej me çdo kusht. Edhe duke i bërë të gjithë “të barabartë në varfëri”- kështu kish reflektuar mbi socializmin në të ngrysur të moshës së tij luftëtari i lirisë Petro Marko, teksa hidhte shënimet në ditar me makinën e tij të shkrimit i mbyllur në studio.
Ndërkohë udhëheqja përsëriste se nuk mund t’i lihej Shqipëria huliganeve flokëshprishur që dëgjonin muzikë të ndaluar perëndimore. Le më pastaj armiqve të betuar të klasës së përmbysur. Këto ishin të fundit urdhër-parulla të regjimit.
Lavdi Veprës Enver-Ramiz!
Rroftë Shqipëria Socialiste, e demokracisë popullore!
Nën regjime të ndryshme, nën të njëjtën liri të mpirë
Regjimi socialist, ndërsa po arrinte fundin, kërkonte nga njerëzit të vetë -sakrifikoheshin, e të privoheshin edhe nga ato të pakta e të njëjta të mira materiale, gjoja në emër të idealeve apo parimeve. Parimet kishin mbetur të vetmet spiranca të rreme të mbajtjes në breg të anijes Shqipëria e Re, të vetmet që mund të nanurisnin iluzione futuriste duke ngelur në vend numëro. Nuk bënin gjë tjetër veçse përpiqeshin t’i zgjasnin jetën me çdo kusht regjimit.
Ndërsa tani, nën regjimin e ri na kërkohet të pranojmë asfaltin si dikur barin. Duan të na nanurisin me iluzione futuriste të një Shqipërie dixhitale, të një Shqipërie superfuqi atomike, të një Shqipërie të asfaltuar. Në fakt, Shqipëria që na shitet si e tillë jo vetëm që është një Shqipëri fund e krye virtuale, e rremë , po një Shqipëri që tkurret e mpaket përditë se po i mpihet liria. Po pakësohen e ngushtohen hapësirat ku ushtrohet liria. Shqipëria në ekspozitë duket bukur. Tek kutia e televizorit.
8, Shtator, 2012
Coli