ECOUTE AISHA

Dëshiroj t’ju përmend historinë e një vajze të re që u këput nga jeta disa dekada më parë:

Më 13 mars 1964, njëzet e tetë vjecarja Catherine Genovese po kthehej në shtëpi në këmbë, pas një dite pune. Nuk kishte asgjë të pazakontë në lidhje me këtë, përveçse kjo ishte shëtitja e saj e fundit, sepse u godit me thikë dhe u vra nga një person i panjohur, pasi e kish përdhunuar. Edhe pse këto krime nuk ishin të reja në Nju Jork, ky krim tronditi opinionin dhe  pati një ndikim në botë. Historia, e raportuar nga të gjitha gazetat (nuk po ndalem në detajet e vrasjes) beri buje sepse 38 dëshmitarë të cilët  e kishin parë, nuk kishin thirrur policinë gjatë sulmit, madje  disa mbyllën dritaret ose ngritën zërin e televizorit për të mos dëgjuar klithmat e viktimës. Nëse çdo dëshmitar do e kishte thirrur policinë në kohën kur filloi agresioni, pothuajse me siguri Catherine Genovese do të ishte ende gjallë sot. Rasti i “Kitty Genovese” (siç u quajt nga media) u be shkak studimi i sjelljes së individëve, sjellje e karakterizuar nga indiferenca dhe inertësia.

Në rrethana të tjera, por me pasoja të ngjashme, humbi jetën në vitin e saj të 18  Aishe Vata, nga Xhafzotaj i Durrësit. Autori u zbulua dhe pranoi fajësinë në Polici, duke deklaruar një lidhje të gjatë me vajzën që prej 4 vitesh. Pra Aisha ishte vetëm 14 vjeç kur njohu “plumbin” e parë të Shaban Norjes, 80 vjeçar, bashkëfshatar banues fare pranë shtëpise së saj.

Sipas babait të Aishës, askush në familje nuk ka pasur informacion për ndonjë lidhje dashurie të Aishes. Vajza ka qenë aq e mbyllur sa lidhjet intime nuk ia ka besuar as motrave të veta. “Nuk ishte tip i qejfeve ajo. Nuk dilte nga shtëpia. As shoqe nuk ka në fshat. Në shkollë e çoja unë. E nxirrja deri te autobusi i Medresesë dhe e merrja po unë në kthim. Edhe kur i duhej të shkonte për ndonjë punë diku, e kam shoqëruar gjithnjë vetë. Nuk e di se çfarë ndodhi, por ajo ka qenë vajzë e shkëlqyer” – thotë babai i 18-vjeçares.

Nje baba kaq i kujdesshëm nuk e ka parë kurrë vajzën në sy dhe asnjëherë s’ka dyshuar asgjë, ka dyshuar vetëm natën e kobshme. Babai nuk e ka dëgjuar kurrë Aishen, as motrat e saj, s’i kanë parë as një lot në faqe, as një nxirje në krah, as ca flokë të krehura mirë, as një të ecur prej zonjusheje… Indeferenca e verbëria e familjes, të afërmve e komshinjve, fshatit, e të gjithëve vrau Aishen..

Si ajo ndoshta ka me qindra të tjera që heshtin, qajnë, fshehin shenjat, bëhen bashkëpunuese ndaj sharlatanëve që i mashtrojnë, sepse s’kanë një sup ku të mbeshteten, s’kanë një zë që t’u thotë “reago”, skane dikë që mund t’i dëgjojnë…

Ecoute Aisha! Dhe qindra të tjera si ajo!

Por tashmë pas bërjes publike të rrethanave të vrasjes së vajzës ka reaguar sërish i ati i Aishes  i cili ka deklaruar për A1 Report se ka mbyllur dyert e mortit në shtëpinë e tij. Që dje, në familjen e Muhamet Vatës nuk ka më mort, ndërkohë që ai e quan histori të mbyllur . “Na çnderoi, na turpëroi familjen, jam shokuar kur e mora vesh. I bija kokës me grushte. Faktin që Aishja ime ishte shtatzënë, e mora vesh pas varrimit. Nuk e dija më parë. E mora vesh nga gazetat. Se po ta dija, nuk do ta kisha varrosur me nderime të mëdha. Por tani e kam mbyllur mortin. Kam anuluar edhe vizitat për “të pestat”. Nuk dua ta diskutoj më këtë çështje” – u shpreh Vata.

E ndërsa ka varrosur përgjithmonë edhe kujtimin e së bijës, ai shton se ka dyshuar për gjëmën që mund t’i ndodhte në shtëpi. Madje, që kur ka konstatuar se e bija nuk ndodhej aty ,ka nisur kërkimet me shpresën se së paku do e gjente gjallë. “E parandjeva krimin .”

E parandjeu krimin vetëm kur një palë këpucë mungonin në shtëpi.

Nëse ky nuk është vend për vajza, e po në të njëjtin territor një baba/mashkull  anullon “të pestat” e të bijës e i bie kokës me grushta , atëherë nuk është as një vend për burra!

Se nuk dua të aludoj as mundësinë e devijimit të Aishes në moshe aq të re, as t’a lidh me sindromen e Stokolmit, ku viktima ndjen dhembshuri ose mbështet xhelatin e saj. S’mund të mendoj që ka qënë një histori dashurie e pasioni, e lindur në atë moshë me si-stërgjyshin e saj.  Le të flasim haptazi, edhe pse na pëlqen Nabokovi apo Kubrick-u, nuk jetojmë në USA dhe Lolita është vetëm një krijim artistik.

Koka e Aishes u hodh 100 metra më tutje nga vendgjarja dhe u gjend në pak orë, ndërsa hamendësimet a thashethemet për një mpleksje të mundshme me komshiun përballë a ndoshta 100 hapa më tujtje nuk u dyshuan kurrë.

Ne të tjerët  dëgjuam lajmin e ndërruam stacion, thamë nje “ah sa keq”  dhe vazhduam bisedën e mëparshme me cigaren e lënë përgjys, lyem buzët, dolëm jashtë, ngritëm zërin e lokaleve në mënyrë që klithmat të mos arrinin deri aty. Nuk e dëgjuam Aishen…

Nuk e dëgjuam e jemi fajtorë të gjithë, si shoqëri shurdhe, si baballarë qorra, si motra të heshtura, ne që shohim emancipimin e femrave tona bazuar vetëm te dekolteja e ekspozuar dhe ca përqindje kuota të rezervuara për femrat në politikë, e ka fajin spermatozoidi që goditi vezën, dhe gratë gojëliga të katundit që s’e perfolën kurrë, edhe pistoleta e pavajisur që gjendej rastësisht aty  e shkrepi si e re, edhe sëpata në motorr, edhe ara me misër qe s’fëshfëriu më fort, edhe rrobat e dhuruara që na pëlqejnë,  edhe qentë që s’nuhasin, edhe Erzeni që rrjedh…

Po ndoshta natyra e njeriut ka dhe anën e saj të coroditur e indiferente ose përndryshe do të mendoja se jemi të gjithë mazokistë.

Burime : MAPO, BALKANWEB, A1 Report

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *