E shenjta pronë

Por në emër të saj, po shkatërrohet mjedisi, po rrënohet ekonomia e vendit dhe ç’është më e keqja, po ndërzehen njerëzit kundër njëri-tjetrit. Ndoshta një raport i tillë mes individëve është risia që sjell vetë prona, por kur ky raport nuk rregullohet nga shteti për shkak të mungesës së tij, ai thellohet dhe bëhet më konfliktual dhe rrjedhimisht, në emër të kësaj shenjtërie prishen ekuilibrat socialë, që mund të rezultojë në situata konfliktuale të pakthyeshme.

Po nuk ka si të ndodhë ndryshe nëse prona dhe shenjtëria e saj përdoren si pretekste për të arritur rezultate të caktuara, kryesisht me sfond politik ose për të kënaqur kërkesat e momentit. Shenjtëria e pronës në fakt shërben si armë ideologjike për ta zaptuar atë dhe për të krijuar tensione sociale që mund të jenë të papërballueshme për shtetin ende të brishtë shqiptar.

Nuk duam këtu të zgjatemi mbi reformën e legalizimit të hapësirave informale ose thënë shkoqur zaptimin e tokave publike dhe private. Në thelb të tyre qëndron padrejtësia ndaj pronarëve të vjetër, atyre ndaj të cilëve iu mohua për më shumë se 40 vjet e drejta për të gëzuar pasurinë e tyre.  Kush do e mendonte që dhe pas 20 vitesh nga njohja e pronës private në çdo aspekt të saj, kjo shtresë do të vazhdonte të vuante mosrespektimin e pronës së saj.  Po këto janë pasojat e zhvillimeve sociale të furishme, të cilat shteti nuk mësoi kurrë t’i përballojë, herë me dashje herë nga diletantizmi.  Ligji i parë për kthimin dhe kompensimin e pronës është votuar në vitin 1993 dhe pasi pësoi disa amendime u votua një ligj tjetër në vitin 2004, edhe ky me shumë “arnime”.  Këto ligje njihnin në mënyrë të padiskutueshme respektin e pronës private por me kalimin e kohës ato u ballafaquan me një realitet tjetër, i cili u mishërua te legjislacioni për legalizimet dhe kësisoj, legjislacioni i pronës në Shqipëri u bë më shumë ai i kompensimit të pronarëve sesa ai i rikthimit të pronës, pasi një gjë e tillë u bë objektivisht e pamundur.

Por përballë nevojës sociale dhe lëvizjes së popullsisë, respekti ndaj pronës mund të dalë në plan të dytë.  Nuk mund të ketë një shoqëri liberale me probleme pronësie, ashtu siç nuk mund të ketë një shoqëri demokratike pa kohezion social.  Dhe në këtë aspekt, rregullimi i zonave informale ishte një domosdoshmëri, por duke respektuar të drejtën e pronës.  Çështje ekuilibrash që shteti ynë po i humb, për shkak të vonesave në ekzekutimin e vendimeve, të humbjeve të afateve, të vonesave në procese gjyqësore, për paqartësi të theksuara në legjislacion dhe ruajtjen e status-quo-së së rrëmujës dhe konfuzionit për të mundësuar zaptime më të qeta…

Por edhe në rastet kur shteti ka një kuadër ligjor relativisht të stabilizuar dhe që rregullon në mënyrë harmonike marrëdhëniet midis individëve, ai sajon (fjala e duhur kjo duhet të jetë) situata të tilla që shkelin ligjshmërinë, krijojnë padrejtësi dhe rrisin sërish tensionet sociale.  Dhe kjo në emër të shenjtërisë së pronës.  Bëhet fjalë për Udhëzimin e famshëm të lirimit të banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë.

Ky udhëzim bie ndesh me ligjshmërinë, më saktë me Kushtetutën.  Mund të duket fjalë goje në këto kohëra që ka përfunduar Shqipëria, por një konflikt i tillë është i rëndë.  Së pari, aktet normative nxirren në raste nevoje dhe urgjence për marrjen e masave të përkohshme, thotë Kushtetuta në nenin e saj 101.  Ku është urgjenca?  Kësaj çështjeje ka disa vjet që shteti shqiptar përpiqet t’i japë zgjidhje dhe pa sukses.  Ku është masa e përkohshme?  Akti normativ në fjalë tenton të zgjidhë përfundimisht këtë çështje dhe jo përkohësisht.  Nga kriteret mbetet vetëm nevoja, por sot në Shqipëri të gjithë dhe gjithçka kanë nevojë për zgjidhje, por ky kriter nuk mjafton për të nxjerrë në këtë fushë një akt normativ.

Së dyti, Akti Normativ (do të bëjmë sikur atë që thamë në paragrafin më lart ta hamë me bukë dhe ta mbysim me një gotë verë…) në substancë është antikushtetues.  Sepse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të datës 4 prill 2007 ka shpallur si antikushtetues një copëz të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës që ka të njëjtën përmbajtje me atë të aktit normativ, ku në thelb qëndron ideja se akti nuk e lidh detyrimin e lirimit të banesës me strehimin përfundimtar të qiramarrësve.  Pra, Akti Normativ i lë në qiell të hapur derisa të gjejnë një shtëpi ku të jetojnë.  Ka dhe arsye të tjera që e bëjnë antikushtetues, por kaq sa thamë mjafton për të kuptuar se ky Akt Normativ tashmë pjesë e legjislacionit tonë, prodhon efekte, sado antikushtetues qoftë (mrekullitë e tranzicionit), si dhe krijon një tension social të panevojshëm dhe kjo në emër të shenjtërisë së pronës, më shumë se kurrë një koncept konjuktural se një parim udhëheqës për shoqërinë tonë.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *