E majta dhe e djathta

Tërheqja gjuhësore e opozitës në fakt është një tërheqje taktike e saj përpara një opinioni shqiptar çuditërisht të rrënjosur thellë sipas të cilit nëse shqiptohet mbiemri “i/e majtë” domethënë pazgjidhshmërisht është “komunist/e”. Këtë amalgamë gjuhësore të pakuptimtë e ka shumica e shqiptarëve, pavarësisht edukimit, prejardhjes etj. Origjina e një ngatërrese të tillë do të mbetet, si shumë gjëra të tjera shqiptare, të zymta. Por fenomeni është penalizues për të majtën që mund ta quajmë institucionale, thënë ndryshe, për atë të majtë që po kërkon të marrë pushtetin.

Kjo e majtë shqiptare ka vuajtur gjithmonë nga një krizë e thellë identiteti, nga një dëshirë për t’u dukur europiane, për t’u shkëputur nga e kaluara dhe kështu iu desh që të përqafonte ëndrrën euroatlantike, ofertën më të qartë që vazhdon të trumbetojë dhe sot dalzotsi Fatos Nano, por që kuptueshëm ora i ka mbetur shumë pas. E majta sot përpiqet të driblojë mes nevojës që ka shoqëria për më shumë solidaritet, më shumë barazi, më shumë mundësi punësimi, shëndetësi pa lekë në dorë, më shumë emancipim, të gjitha elementë pjesë përbërëse të çdo programi të majtë që në krye të herës. Në parim, këto elementë kanë qenë gjithmonë busulla programore e të majtës institucionale kudo në botë, pa prekur thelbin e organizimit shoqëror pjesë e së cilës jemi: organizimin kapitalist. Megjithatë, në një sistem të bazuar në lirinë individuale, çdo tentativë për fuqizimin e kolektivitetit, për shembull nëpërmjet shtetëzimeve, krijonte një masë njerëzish të pakënaqur dhe që shprehnin thelbësisht lidhjen e tyre me sistemin liberal duke përqafuar krahëhapur busullën ideologjike të së djathtës, e përbërë nga konservatorizmi, rritja e fuqisë individuale përkundrejt kolektivitetit, shprehur ekonomikisht nëpërmjet privatizimeve. Në këtë mënyrë, të dy tendencat, më shumë se sa kahje politike, janë në pozitë mjaft të favorshme të plotësojnë njëra-tjetrën në përmbushjen e nevojave të shoqërisë dhe në gjetjen e ekuilibrave, të cilat, si kudo, duhet të udhëheqin dhe politikëbërjen, sepse nëpërmjet tyre, presupozohet se arrihet dhe lumturia e shoqërisë.

Në shikim të parë, kjo “luftë” ideologjike, që nuk është veçse një përpjekje aspak antagoniste midis dy botëve me interesa të ndryshëm, është në fakt një plotësim i njëra-tjetrës drejt gjetjes së një ekuilibri që nuk ka për synim ndryshimin e rendit ekzistues. Përkundrazi, ajo përpiqet të ruajë këtë sistem, të mos e dëmtojë në thelbin e tij, por të kanalizojë pakënaqësitë në luftën “frontale” që dy kahjet i bëjnë njëra tjetrës. Në periudhat e begata ekonomike, çdo shqetësim popullor mund të kanalizohej nëpërmjet paraqitjes së një alternative të afërt me aspiratat dhe kështu, mundësia për të përmbushur sadopak ato aspirate, duke ruajtur thelbin e sistemit, pra gjetja e një ekulibri, sigurohej. Ndryshe kjo lojë pakëz fasade quhet rotacion. Është kalimi i pushtetit më normal që mund të konceptohet dhe që ende trumbetohet nga burokratët evropianë. Natyrisht, në një mjedis perfekt, asgjë nuk do të ishte më e pëlqyeshme sesa një ndryshim i butë tendence që do të shprehte aspiratat e popullit. Por kjo nuk mund të ndodhë pafundësisht. Mjafton të hedhim një sy në botën ku jetojmë dhe të bëjmë një punë të vogël retrospektive që të kuptojmë se bota është më e larmishme dhe se format e qeverisjes së saj nuk përmblidhen në këtë ëndrrën demokratike të rotacionit. Nëse i shtojmë dhe krizat e sistemit, të cilat janë të vazhdueshme dhe tashmë globale, rotacioni i propozuar nga të majtat dhe të djathtat shfaqet gjithmonë e më shumë problematik, sepse kriza nënkupton vetiu prishjen e ekuilibrave shoqërorë dhe përgjigjet të cilat këto tendenca japin mbartin në vetvete tensionin social dhe nuk kanë asnjë mekanizëm për ta shëruar atë. Rasti i François Hollande-it është tregues i qartë i qëndrimit politik diametralisht të kundërt me premtimet që mbajti gjatë fushatës. Premtoi taksimin e fitimeve mbi 1 milion euro me 75%, deklaroi bujshëm në një miting se “kam një armik, të padukshëm, quhet Bota e Financës”. Me këto deklarime ai fitoi zgjedhjet, por nuk siguroi dot ndryshimin, por thjesht rotacionin. Dhe bashkë me të, siguroi dhe vijimësinë e krizës, pasi zgjidhjet që ai propozon në praktikë nuk dalin nga nomenklatura e zgjidhjeve brenda sistemit.

Në këtë aspekt, duhet riparë dhe mbi të gjitha rikonceptuar dialektika e luftës politike. Duhet parë mundësia e rikonceptimit të marrëdhënieve të reja në prodhim, e një pjesëmarrjeje më e madhe në vendimmarrje e atyre që marrin pjesë në prodhim, që krijojnë pasuri dhe pasurinë që krijojnë nuk e kanë të vjedhur, të zaptuar apo të pikuar nga qielli. Bota gjithmonë e më shumë i stigmatizon status-quonë e krijuar nga botëkuptime filozofike të shekullit të XIX-të. Është ky koncept i vjetër që sot në Shqipëri për shembull, e konsideron ish pronarin si të shenjtë, por në fakt ai është tërësisht i huaj në marrëdhëniet tregtare që krijohen. Sepse është treguar mjaft qartë se si të ekzistojë apo jo pronari, prona e tij do të zhvatet nëse kapitali (i ligjshëm ose i padrejtë) ia ka vënë syrin. E vetmja ëndërr e ish pronarit është të jetojë me rentë dhe të realizojë atë që e ka për detyre shteti: të drejtën për të pasur një banesë. Ky nuk është më vizioni i pronësisë në botën e sotme. Ky është vizioni i deformuar te i cili jemi të nxitur të besojmë.

Në rastin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të ngjashme me të, e majta dhe e djathta merr një kuptim akoma më të pakuptimtë. Jo vetëm për shkak të rolit ideologjik mjaft të vogël që ajo mund të luajë por edhe për shkak të politikave të përcaktuara ndërkombëtare drejt të cilave ajo duhet të rend turavrap, pa patur luksin e përjashtimit të saj nga këto politika. Megjithatë, si çdo popull dhe ai shqiptar e ndjen nevojën e një solidariteti më të madh, e ndjen nevojën e pranisë së një shteti më të fortë, e ndjen nevojën e sigurisë së humbur dhe të nevojës për punë. E ndjen nevojën e një ndryshimi që duhet të kristalizohet, nëse jemi të ndërgjegjësuar politikisht dhe ta shprehim qëndrimin tonë siç duhet në ditën që duhet. Do të ishte më mirë sikur opozita të mos përdorte fjalën “rotacion” por “ndryshim”, shenjë e një kompleksiteti që vazhdon dhe thellohet. Kjo shkarje semantike flet shumë për qëndrimin që do të ketë për të ardhmen. Por nuk janë këto problemet kryesore të Shqipërisë. Problemi është deformimi i gjithçkaje, në drejtësi, institucione dhe ekonomi. Pyetja që shtrohet për të majtën dhe që duhet të përcaktojë dhe orientimin e saj në të ardhmen është: këto deformime janë si pasojë direkte e zbatimit të sistemit, apo mund të rregullohen brenda tij? Këto janë pyetjet që po shtrohen sot në botë. Gjithmonë e më shumë sot, nga pikëpamja e diskutimeve, shtrohet çështja e rishikimit të sistemit ku jetojmë. Ky duhet të jetë shtrati ideologjik i një të majte të vërtetë.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *