E ardhmja e trishtë e premtimeve elektorale

Në mendje na shkon premtimi elektoral i Fatos Nanos në 1997 se do u rikthente njerëzve të gjitha paratë e piramidave. Pa dashur të bëjmë mirëkuptuesin e Presidentit të ardhshëm të Republikës, mund të themi se ky premtim elektoral “edhe hahej”. Perballë kishim nje mashtrues dhe nje popull që po e shtynte në ekstazë e sipër të mashtronte dhe ai atë bëri. Më vonë, kur iu rikujtua ky premtim i pambajtur, dribloi duke thënë se rikthimi i parave nënkuptonte yryshin e investimeve të huaja që do të gllabëronte Shqipërinë…

Tani që hymë pak a shumë në temë, na bëhet besoj e qartë, se premtimi elektoral është një mashtrim publik i ligjshëm dhe që nuk angazhon politikanin përveçse politikisht, kur të vijë data e zgjedhjeve të radhës dhe nëse zgjedhësit nuk do të kenë harruar deri atëherë mashtrimin.

Çështja komplikohet më shumë kur premtimi elektoral jo vetëm që nuk realizohet por bëhet tërësisht e kundërta e asaj që është premtuar. Pa e zgjatur shumë, e kemi fjalën për premtimin e Kryetarit aktual të Bashkisë Tiranë se jo vetëm do të zvogëlonte numrin e taksave që bizneset dhe qytetarët paguanin në Tiranë por dhe do t’i ulte ato, pasi sipas tij, ato rëndonin në xhepat e shqiptarëve dhe frenonin zhvillimin e bizneseve (për kujtesë, http://lulzimbasha.al/tatimet.nspx) . Nëse do t’i bindej skemës klasike të premtimit elektoral, nuk do të kishte asnjë ndryshim në politikën fiskale të Tiranës (po lëmë mënjanë rastin shumë hipotetik të uljes reale të taksave të Bashkisë…). Por jo. Si shumë gjëra në Shqipëri që nuk i binden asnjë skeme klasike, edhe ky premtim devijoi duke krijuar një precedent të rrezikshëm, nëse zgjedhësit, në kohën e duhur dhe të armatosur me kujtesën e nevojshme, nuk do e dënojnë këtë veprim. Taksat jo vetëm që nuk ulën, por ato u rritën. Dhe jo vetëm u rritën, por u rritën mirë, për shembull taksa e pastrimit për një biznes të vogël u rrit nga 6,600 lekë në 10,000 lekë, pra afërsisht 40%. Këtë lloj premtimi elektoral nuk dimë si ta përkufizojmë.

Premtimi për uljen e taksës së Bashkisë nuk ishte i mirë. Tirana ka nevojë për shumë gjëra dhe ekipi elektoral i Lulzim Bashës kishte material për t’u kapur, por jo pas arteries kryesore që mban gjallë Bashkinë e Kryeqytetit të Shqipërisë, atë që ka të bëjë me financimet. Premtimi u bë për të fituar vota, premtimi ishte mashtrues, por të paktën, ai mund të harrohej ose të lihej mënjanë për një kohë tjetër kur Bashkia mund t’ia lejonte vetes luksin e uljes së taksave. Sërish një sjellje e tillë nuk do të ishte e denjë për politikanë që pretendojnë se mendojnë si perëndimorë. Por përmbysja e logjikës brenda një kohe më të shkurtër se një vit është një faj i rëndë, që duhet të na shtyjë të gjithëve të rikonceptojmë marrëdhëniet me ata që zgjedhim. U lejojmë atyre një tolerancë për shkak të euforisë që na kap të gjithëve gjatë fushatës elektorale, por nuk mund të lejojmë kurrsesi mashtrime që asimilohen më shumë me një vjedhje të dytë pas asaj të votave.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *