Duhet të vrasim Gjergj Elez Alinë!

Problemi i dytë, antishqiptarizmi, është më i mprehtë – ai qëndron mbi kokat tona si shpata e Damokleut. Pse duhet ta vrasim një mit frymëzues të sa e sa gjeneratave, një trim mbi trima një kockëzim të dashurisë vllazërore? Nje personifikim të shqiptarit të vërtetë, trim e sypatrembur? Në agun e Luftës së Dytë Botërore, Pater Anton Harapi shtroi një pyetje shumë domethënëse: “a jemi shqiptarë apo do bahemi?” Një analizë gjuhësore e kësaj pyetjeje dhe e situatës historike në të cilën ajo u parashtrua tregon se për Frat Antonin, në atë kohë, ne nuk ishim shqiptarë dhe, me forcë e vendosmëri, ai nxirrte në pah domosdoshmërinë që ne të bëheshim të tillë. A u bëmë? Në vazhdën e opinioneve të sotshme mbi vitet e komunizmit, mund të themi se sistemi monist jo vetëm që nuk e ngriti më lart figurën dhe karakterin e shqiptarit, por e degradoi edhe më shumë, e bëri dekadent. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për kaosin dhe tranzicionin (me që kjo fjalë na pëlqen kaq shumë) e demokracisë. Si përfundim: përderisa nuk jemi bërë akoma shqiptarë nuk ka pse na shqetëson edhe problemi i antishqiptarizmit: pa shqiptarë nuk mund të ketë antishqiptarë.

Kthehemi te Gjergji. Pse ta vrasim? Dhe, mbi të gjitha, pse ta vrasim moralisht?
Le të qartësojmë disa terma.
Gjergj Elez Alia është një mit, dhe një mit në një shoqëri kryen funksione të ndryshme. Mitologjia shpjegon gjenezën e kozmosit, tregon origjinën e fisit apo tribusë; miti përbën një ideal të palëvizshëm, që lëviz mes të shkuarës mbihistorike dhe së tashmes absolute, dhe në këtë të tashme (për mitet nuk ekziston kategoria “e ardhmja”) ai duhet që në bazë të normave të përcaktuara të rregullojë sjelljen e anëtarëve të komunitetit.
Si qëndron puna me Gjergjin?
Në bazë të një sociologjie të thjeshtë, detyra kryesore e një miti është që një tabu apo një normë ta kthej

ë në një vlerë kulturore. (qartësojmë se tabutë dhe normat janë rregulla të fiksuara që detyrojnë, ndërsa vlerat janë thjesht kritere që, për një anëtar të kësaj apo asaj kulture, filtrojnë dhe tregojnë se çfarë ky anëtar pëlqen apo nuk pëlqen; pra, normat dhe tabutë ecin me tog-fjalëshin “ti duhet”, për vlerat nuk mund të thuhet diçka e tillë).
Është e qartë se problemi në fjalë është një problem moral. Mitet janë ngushtësisht të lidhura me moralin. Edhe vdekja (e supozuar) e Bajlozit, nga topuzi i Gjergjit, është një vdekje morale. Ai vdiq sepse parashtroi haptazi dëshirat e tija seksuale karshi motrës së Gjergjit. Tani jemi mu në zëmër të problemit.
Ndërsa Bajlozi vdiq moralisht, me kalimin e kohës vdekja e tij u bë faktike. Ai ekziston, dhe ekziston pikërisht nëpërmjet vdekjes së tij. [Sartri mendonte se një njeri ekziston për ne në dy mënyra: nëpërmjet pranisë dhe nëpërmjet mungesës]. Përkundrazi, Gjergji akoma nuk ka vdekur; ai është i pranishëm (vetëm moralisht, duhet theksuar kjo), për shëmbull, në mëndësinë e çdo shqiptari që është gati ta kacafytet, madje edhe të vdesë, nëse ndokush shpreh dëshirat e veta erotike karshi nënës, motrës, apo familjarëve (të tjerë) të tij. Ky është ai Gjergji moral, dhe pikërisht këtë duhet të vrasim.
Çështja që shtrohet tani është disi e vështirë. Edhe pse guximi mund të duket i tepruar, këtu, mund të shtrohet një tezë: prania e miteve të tilla bën që shoqëria shqiptare të jetë një shoqëri tribale. Prania e miteve të tilla tregon se këto mite vazhdojnë të na paraqesin tabu dhe jo vlera. Gjergj apo Konstandini nuk e kanë përmbushur misionin e tyre. Të mos harrojmë se funksioni i një miti është që një tabu apo normë ta ktheje në një vlerë kulturore, diçka që Gjergji me Konstandinin nuk arritën ta bënin.
Ashtu si Sizifi, ata vazhdojnë të enden lart e poshtë skutave të errëta të një shoqërie me zemër tribale që ka hedhur mbi supe vellon e industrializmit dhe teknikës.
Pavarësisht se na pëlqen të dukemi perëndimorë, pavarësisht celularëve dhe internetit, ne vazhdojmë të jemi tribalë. Në një vënd perëndimor, çdokënd që do të pyesnim (përveç Makiavelit, sigurisht), do të na përgjigjej se është diçka e mirë që dikush ta mbajë fjalën e dhënë, se është diçka e mirë që njeriu të jetë i guximshëm dhe trim, që të përballojë situatat më të cilat ndeshet… por vetëm kaq. Besa e trimëria për  të, në ndryshim nga ne, nuk është një tabu. Nuk është një detyrim (nuk ka “ti duhet”). Të mos jesh i guximshëm apo trim, të jesh gënjeshtar, është diçka që jo domosdoshmërisht duhet të të turpërojë. Vlerat janë vlera dhe tabutë janë tabu.
Ja pra pse duhet ta vrasim (moralisht) Gjergjin – ja edhe pse (moralisht) Konstandinin duhet ta hedhim nga kali. Për të qënë perëndimorë. E them këtë duke patur parasysh dëshirën tonë ta madhe për t’u dukur apo për t’u bërë  të tillë. Nëse kjo është diçka e mirë apo e keqe, kjo është një çështje krejt tjetër. Kërkon debat të gjërë të përcaktosh nëse një popull duhet të përqafojë mendimin teknik, të veprojë vetëm duke pasur në mëndje përfitimin vetiak dhe dëshirën për t’u bërë i pasur, të mashtrojë për të arritur këtë qëllim, apo të jetë një njeri i besës, trim e guximtar, të ruajë njerëzinë dhe të respektojë mikun. (besoj se në qoftë se një problem i tillë do t’i parashtrohej një shqiptari ai pa asnjë mëdyshje do të zgjidhte në favor të besës, trimërisë dhe mikut).
Si përfundim, atij djalit që dëgjon minimal, që i mban pantallonat të varura deri poshtë prapanicës, dhe që i ka flokët si një supersajan; asaj vajzës gjimnaziste që dëgjon emo, rri e ngrysur dhe tualetin e sajon në një mënyrë të tillë që të duket sa më e zymtë, që e kaplon dëshira për t’u dukur sa më Junky; apo asaj vajzës tjetër që vishet “me rripa” dhe mahnit djemtë me kërcimet e saj nëpër lokalet e natës; apo atij djalit me këmishë të bardhë e mbërtheçka zbërthyer deri tek kërthiza që në makinën e tij dëgjon tallava… si përfundim, këtyre, por edhe shumë “perëndimorëve” të tjerë, mund t’u themi me plot gojën: miq të dashur, nëse vërtet dëshironi të dukeni të tillë, nëse vërtet dëshironi të bëheni të tillë, atëherë ju duhet të vrisni Gjergj Elez Alinë, dhe kjo nuk është aspak një detyrë e lehtë duke patur parasysh topuzin që ai mban ndër duar!!!

Kel Musaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *