Dua t’ju pyes!

unë kam edhe një pyetje tjetër: po përse nuk proteston më? Apo e ke harruar 21 janarin?  Përse e ke harruar? Në fakt, kam shumë pyetje për 21 janarin, më intereson të di se si mendoni ju populli shqiptar rreth kësaj ngjarjeje.
Unë dua të pyes Qamilin, Haxhiun, Amarildon, Anxhelinën, … dua ti pyes të gjithë për 21 janarin. E kjo ishte pyetja e parë, vetëm pyetja e parë.
Unë jam konfuz, dhe dua të kthjellohem, prandaj kam shumë pyetje për ju o popull. Do ju pyes edhe për Gërdecin, do ju pyes edhe për Diverolin, do ju pyes edhe për Mediun, dhe do të shënoj në bllok përgjigjet tuaja. Dua rezultate absolute, një për një, se nuk besoj as institute statistikash, as Gallupër, as analistë, as parti e as shoqata, nuk besoj as mikun tim më të mirë, sepse tashmë unë jam i sëmurë, jam konfuz. Dhe fajin e keni Ju!

Do ju pyes për demokracinë, do ju pyes për votën e lirë, do ju pyes për transparencën, do ju pyes për korrupsionin, do ju pyes për 97-ën, do ju pyes për 22 marsin, për 20 shkurtin, për 8 dhjetorin, për 8 nëntorin, për 2 korrikun, do ju pyes për Enverin, për Hitlerin, për Edin dhe për Saliun.
Do ju pyes si jetoni? Me se jetoni? Sa fitoni? Si i fitoni? Ku i shpenzoni? A i paguani dritat, ujin, taksat? A vidhni? A jepni ryshfete? A pranoni ryshfete? A keni shkollë? Sa diploma keni?  Ku i keni marrë? Përse ju duhen kaq shumë diploma? A shisni diploma? Po leje ndërtimi?
Do ju pyes për kë votoni? Sa herë votoni? Do ju pyes për kë do të votoni më 8 maj? Për kë votuat në 29 qershor? Përse do votoni për…? Do ju pyes përse nuk doni të votoni? Do ju pyes nëse keni kartë identiteti? Falsë apo të vërtetë? Apo i keni të dyja llojet? Atëherë sa karta falsë keni? Do ju pyes për emrin? Sa emra keni?

Do ju pyes për Greqinë, për Amerikën, për Evropën, për Libinë, Singaporin dhe Vorio-Epirin. Do ju pyes çfarë jeni nëse nuk ndiheni shqiptarë? A jeni grekë, apo jo? Po përse jeni grekë? Përse doni të bëheni grekë?
Do ju pyes për gjykatat, për ambasadorët, për prokurorët, për spitalet, shkollat, kopshtet, lulishtet, gradaçelat dhe për tapinë e shtëpisë. A keni një tapi shtëpie? Si e keni marrë? Po përse nuk keni një tapi shtëpie? Sa jeni të gatshëm të paguani që të keni një tapi shtëpie?
Do ju pyes për fëmijët tuaj? Do ju pyes nëse e dini se çfarë është e ardhmja? Do ju pyes se si e përfytyroni ju të ardhmen? Dhe në fund fare do ju pyes nëse i doni apo jo fëmijët tuaj? A jeni gati të sakrifikoni për ta?
Pas kësaj lodhjeje të skajshme, me aq aritmetikë që di, do i mbledh përgjigjet tuaja, një për një, dhe të paktën do të jem i qetë dhe i qartë, sepse do të di të vërtetën, dhe më pas në dreq të venë të gjitha, edhe çmenduria ime.
                                                                                                                                                                 Marka X

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *