Drejtësi e harruar

Gjykatat aktualisht kanë seksionet e tyre administrative dhe, edhe ashtu siç janë kanë mundësi që të rrisin nivelin e vendimeve që japin në këtë fushë.
Por vërejmë se nuk është aspak e vërtetë. Gjykatat tona mëkatojnë në interpretimin e ligjit, që do të thotë se nuk është çështje institucionale por çështje dëshire dhe mungese përgatitje për të pritur zhvillimet e reja në fushën e të drejtës administrative. Për të qënë më konkret, mund të përmendim interpretimin e nenit 326 të Kodit të Procedurës Civile ku thuhet se “aktet administrative të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të nivelit qëndror dhe vendor që kanë karakter normative nuk mund të paditen, përveç kur ato cenojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore si dhe interesa të ligjshëm të përsonave fizikë dhe juridikë”. Edhe pse ligji është shumë i qartë, seksionet administrative të gjykatave bëjnë një analizë të gabuar duke pranuar padi vetëm për akte që mund të klasifikohen si individualë (lista me persona që shpronësohen…) ndërkohë që ligji thotë qartë se nuk janë vetëm këto lloj aktesh. Kur thotë se aktet normative që cenojnë të drejtat e njeriut dhe interesat e ligjshëm mund të paditen, do të thotë se çdo vendim i autoritetit publik që krijon një situatë abuzive duhet të paditet. Një akt normative që parashikon rregulla ta caktuara, pa përmendur emra drejt të cilëve këto rregulla do të zbatohen, mund të paditet nëse shkel interesat e ligjshëm të individëve ose grupeve shoqërore. Ky është interpretim që vendet e evropiane e kanë arritur kohë më parë, jo me pak luftë kundër abuzimeve të autoritetit publik, por që nuk po bëhet ende refleks për gjyqtarët tanë, gjë që ndihmon ndjeshëm abuzimin e autoritetit publik kundër popullit.

Së dyti, mund të përmendim gjithashtu dhe interpretimin e gabuar që bëjnë disa gjyqtarë në Tiranë në lidhje me mënyrën sesi shprehet administrate: me shkrim, me urdhër të pashkruar ose me mosveprime? Fatkeqësisht edhe në këtë rast, disa gjyqtarë kërkojnë aktin administrativ të shkruar që duhet atakuar në gjyq, përndryshe, sipas tyre nuk mund të identifikohet pikënisja e shkeljes administrative. Ky është gjithashtu një interpretim aspak ligjor dhe abuziv. Nuk është ligjor pasi ligji për dëmet jashtëkontraktore të administratës thotë se dëmi mund të shkaktohet nga veprimet ose mosveprimet e administratës. Togfjalëshi “veprime dhe mosveprime” përfshin heshtjen, urdhrat gojorë dhe mosveprimet e administratës. Dihet që autoriteti publik nuk shprehet vetëm me shkrim, për shembull arrestimi i një personi nga policia nuk bëhet domosdoshmërisht me urdhër të shkruar nëse diktohet nga urgjenca, por ama ai mbetet një akt administrativ. Një interpretim i tillë është dhe abuziv, pasi shton fuqinë e shtetit përballë individit dhe grupeve shoqërore që kërkojnë mbështetje legjitime pranë gjykatave, të cilat duhet të japin drejtësi por duhet dhe të ndihmojnë palën më të dobët të gjejë pozitën e saj procedurale sa më mirë përballë makinës shtetërore që vë në dispozicion të vetes të gjitha mjetet e nevojshme që të mbrojë interesat e saj.

Nuk është e rëndësishme, si në shumë fusha të tjera, votimi i ligjeve, por mbi të gjitha, është zbatimi sa më i saktë dhe në respekt të të drejtave të njeriut të ligjit nga ata që kanë si moto “drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar” dhe që nuk do të ishte keq të shtohej dhe “drejtësi e harruar”.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *